Deschamps paralajmëron të tijët: Shqipëria na ka mundur!

Ndryshe nga kapiteni i skuadrës, trajneri i Francës Didier Deschamps është me këmbë në tokë, kur vjen puna për të vlerësuar kombëtaren shqiptare. Pas fitores së vështirë me përmbysje ndaj Moldavisë, Deschamps tregon se Shqipëria është një ekip që meriton respekt, dhe se të dielën do të tregojë dashurinë për futbollin. “Do të thosha që nesër do të jetë një ndeshje e fortë, pasi do të luajnë në fushën e tyre, në inaugurimin e stadiumit. Shqiptarët do të manifestojnë dashurinë e tyre për futbollin”, tha trajneri francez.

I pyetur nga gazetarët se nëse do të zgjidhte një futbollist shqiptar për kombëtaren e Francës, Deschamps dha përgjigje diplomatike. Por vlerësimin për lojtarët e kombëtares tonë e ka maksimal, për këtë ai kujtoi humbjen që Shqipëria i shkaktoi Francës në kualifikueset e Euro 2016 në Elbasan. “Do përpiqem të jap një përgjigje. Mund të përzgjedh vetëm lojtarë francezë, jo shqiptar (qesh). Do thosha që ju keni lojtarë të një cilësie të mirë, duhet ta pohoj këtë. Duhet t’i referohem dhe humbjes që pësuam në Elbasan 1-0. Duhet të them se lojtarët shqiptarë kanë një cilësi të mirë”, tha trajneri Deschamps.

Megjithatë, synimi i Francës është fitorja ndaj Shqipërisë. Trajneri shprehet se nesër do të ketë përballë një ekip të motivuar, por pretendon se do dalë nga “Air Albania Stadium” me tre pikë. “Jam i bindur që nesër do të kemi përballë një ekip të motivuar. Ndeshjet me Moldavinë dhe Turqinë janë harruar, i përkasin të shkuarës. Unë besoj se ekipi im, nesër do të bëjë një performancë të mirë, ndaj Shqipërisë së motivuar. Do të thosha që edhe për nesër unë pres dhe ndihmësi im e ka përgatitur ndeshjen, që ekipi im të marrë një rezultat pozitiv. Ndeshjen e Shqipërisë me Andorrën e kam parë, pasi duhet të përshtatej skema për sfidën e ardhshme”, shtoi trajneri i Deschamps.

Foto/ Franca vjen në Tiranë, pasdite stërvitja zyrtare

Pak pas mesditës të së shtunës, kombëtarja e Francës zbarkoi në Aeroportin e Rinasit, në prag të ndeshjes kualifikuese që do të luajë ndaj kombëtares tonë.

“Gjelat” u pritën në aeroport nga ambasadorja e Francës në Tiranë, ndërsa më pas u nisën drejt hotelit ku do të qëndrojnë mbrëmjen e të shtunës.

Autobusi, me të cilin u transportua skuadra franceze nga aeroporti në drejtim të Tiranës, u shoqërua nga forca të shumta policie dhe RENEA.

Ndërkohë, sipas axhendës, kombëtarja e Francës do të qëndrojë në hotel deri në orën 16:30. Në orën 17:00 trajneri Dider Deshamp së bashku me kapitenin e skuadrës franceze, do të dalin në konferencë për mediat.

Më pas, ekipi francez do të zhvillojë seancën stërvitore zyrtare në “Air Albania Stadium”, duke u përgatitur për ndeshjen e të dielës në mbrëmje.

Lojtarët fajësojnë veten. Injoruam trajnerin, e kishim mendjen te Franca

Barazimi me Andorrën ishte një “rrufe në qiell të pastër” për kombëtaren. Futbollistët u shprehën të zhgënjyer pas ndeshjes, duke fajësuar veten për humbjen. Lorenc Trashi tha se trajneri u kishte thënë të mos e mendonin Francën, por vetëm Andorrën, duke pranuar se gabimi ishte i të gjithë lojtarëve.  “Të gjithë e kanë pasur mendjen te Franca dhe trajneri na ka thënë që të mos shohim Francën por ta kemi mendjen te kjo ndeshje. Ai na ka thënë se për Francën motivohemi vetë por duhet motivim në këtë ndeshje ndaj Andorrës. Të gjithë janë profesionistë por në fushë është tjetër gjë. Ishte një gabim i të gjithëve dhe kjo ndeshje iku”, tha Trashi.

Gabimin e pranoi dhe Keidi Bare, i cili tha se të gjithë e kanë pasur mendjen te Franca, ndeshje që do të luhet të dielën. Duket se vetë lojtarët kanë kuptuar, pas ndeshjes, se gabuan duke mos e dëgjuar trajnerin.  “Besoj se mendja ishte te Franca, si lojtarët dhe tifozët. Dhe trajneri e ka thënë se kjo ishte ndeshja më e vështirë dhe ishim të përgjumur. Menduan se do e zgjidhnim sa më shpejt, por po nuk shënove në fillim e pëson. Me Francën për të fituar, pavarësisht se është e vështirë. Shpresoj të mos e përsërisim të njëjtën ndeshje me Francën”, tha Bare.

Rey Manaj mendon ndryshe nga shokët. Sipas tij, mendjen e kishin tek Andorra dhe jo te Franca. Megjithatë, sulmuesi pranon se faji ishte i lojtarëve që gabuan në këtë sfidë, duke humbur shansin dhe për të pretenduar vendin e tretë në grup. “Të gjithë menduan se do të ishte e lehtë por ne e dinim që Andorra do të mbyllej. Gabuam në ato dy gola por janë gjëra që ndodhin. Shënuam dhe besoj se në fund luanim me topa të gjatë dhe nuk na doli loja. E kishim mendjen tek Andorra dhe donim rekordin e pikëve dhe për t’i treguar të gjithëve se kemi ndryshuar. Ky është një hap pas dhe kemi mundësinë që të bëjmë tjetër paraqitje. Duket sikur kanë faj mbrojtësat pasi aksioni kaloi nga sulmi në mesfushë. Duhet edhe mbrojtësit të bëjnë punën e tyre dhe në këto ndeshje kemi luajtur si ekip dhe kemi bërë shumë mirë”, tha Manaj.

Formacion me dëmtime ndaj Andorrës

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edy Reja, zbresin në “Elbasan Arena” mbrëmjen e të enjtes për të luajtur takimin e parafundit kualifikues të Euro 2020 përballë Andorrës.

Sfida do të luhet në orën 20:45, para se të dielën kuqezinjtë të luajnë sfidën e fundit në grupin H atë kundër Francës. Trajneri Edy Reja është i detyruar të ndryshojë formacionin, duke nisur nga mbrëmja e të enjtes.

Sokol Cikalleshi mungon për shkak të dëmtimit, ndërsa Klaus Gjasula është i pezulluar nga kartonët e verdhë.

Megjithatë, alternativat nuk mungojnë. Pas dëmtimit që  kaloi një muaj më parë, kapiteni Elseid Hysaj është gati për të luajtur, ndërsa në mbrojtje Gjimshiti, Veseli, Trashi apo Dermaku, pritet gjithashtu ta nisin nga minuta e parë.

Në mesin e fushës, për shkak të mungesës së Gjasulës, Bare, Ramadani dhe Memushaj pritet të shërbejnë në këtë repart. Sulmi është një tjetër dilemë, që pritet të vendoset këtë të enjte nga trajneri.

Megjithatë, Balaj e Manaj ndoshta do të jenë ata që do ta nisin titullar, ndërsa Seferi, Roshi apo Kamberi, mund ta nisin nga stoli. Shqipëria është favorite për të fituar këtë ndeshje, ndërkohë që takimin e parë kuqezinjtë e fituan në Andorra me rezultatin 3-0.

DASH përgëzon Tiranën për dëbimin e ambasadorit: Irani, komplot terrorist

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për luftën kundër terrorizmit. Raporti konfirmon se dëbimi nga Shqipëria i ish-ambasdorit të Iranit dhe një tjetër zyrtari të këtij shtetit, erdhi pasi u zbuluan përpjekjet për një komplot terrorist, i sponsorizuar nga Irani.

“Shqipëria vazhdoi mbështetjen e saj të fortë ndërkombëtare kundër terrorizmit gjatë vitit 2018, me pjesëmarrjen në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS. Në dhjetor, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin e Iranit në Shqipëri, në përgjigje të një komploti të sponsorizuar nga Irani për të kryer një sulm terrorist brenda territorit shqiptar”, shkruhet në raportin e DASH.

Në raport vlerësohet gjithashtu fakti që Shqipëria i ka kriminalizuar aktet terroriste, financimin e terrorizmit, nxitjen e akteve, pjesëmarrjen në organizata terroriste apo udhëheqjen e tyre. Në raport thuhet se Njësia e Antiterrorizmit në Policinë e Shtetit në Shqipëri punon ngushtë me agjencitë e SHBA.-së. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se barrierat e shkëmbimit të informacionit dhe sistemi i dobët gjyqësor, vazhdojnë të pengojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Ndërsa theksohet se kjo situatë pritet të zgjidhet me zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Reforma kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin është duke u zbatuar, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë në lidhje me korrupsionin, aftësinë profesionale dhe lidhjet me krimin e organizuar.  Që nga dhjetori i vitit të kaluar, komisioni i verifikimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pushuan nga puna 30 gjyqtarë, konfirmuan 31 gjyqtarë të tjerë, ndërsa 16 pjesëtar të sistemit të drejtësisë dhanë dorëheqjen përpara Vetting”, thotë raporti, duke evidentuar faktin që në Shqipëri janë duke u krijuar institucionet e reja të drejtësisë që do të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndërkohë, vlerësimet për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër terrorit, vlerësohen dhe nga Ambasada e SHBA në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgëzon Shqipërinë për përpjekjet e shtuara në forcimin e sigurisë kufitare, ndalimin e suksesshëm të terroristëve të njohur apo të dyshuar, si dhe për hapat drejt përmbushjes së plotë të rezolutës 2396 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të përmirësuar kontrollin e pasagjerëve që hyjnë në Shqipëri në rrugë ajrore”, thuhet.

Vetëm pak ditë më parë, Policia e Shtetit zbuloi një grup terrorist me baza në Iran, që synonte të godiste anëtarët e MEK (opozitës iraniane që strehohet në Shqipëri). Ndërkohë, të premten një përfaqësues i MEK zbuloi se terroristët do të godisnin me një makinë bombë muxhahedinët, por padyshim nuk përjashtohej mundësia që nëse sulmi do të ndodhte, të prekeshin dhe qytetarë shqiptarë. /Realstory.al/

Shqipëria hap seli diplomatike në Ukrainë

Së shpejti Shqipëria do të ketë seli diplomatike në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Vendimi është marrë në Këshillin e Ministrave, ndërsa lajmin e dha Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj. Ai shprehet se vendimi për të hapur mision në Kiev, është dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e detyrës përgjatë kryesisë së OSBE gjatë vitit 2020.

“Këshilli i Ministrave ka marrë projektvendimin për hapjen e misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë. Ky vendim është shprehje e përkushtimit të Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e detyrës përgjatë Kryesisë së OSBE-së 2020”.

“Qëllimi i tij është përmbushja e një ndër prioriteteve kryesore të Kryesisë shqiptare të rradhës së OSBE-së, që ka të bëjë me situatën në, dhe përreth Ukrainës, krahas konflikteve të tjera të zgjatura të cilat janë në fokus të kësaj organizate”.

“Shqipëria si vend kryesues i OSBE-së e ka me rëndësi madhore të përcjellë, së pari, tek pala ukrainase mesazhin e rëndësisë dhe vëmendjen që i jep adresimit me qëllim zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, dhe së dyti, tek 56 shtetet anëtare të OSBE-së. Shqipëria është e angazhuar maksimalisht për një kryesi të suksesshme me besueshmëri ndërkombëtare”, shkruan Cakaj.

Yuri Kim në Senat: Shqipëria besnike, ta mbajmë afër

Gjatë fjalës së saj përpara Senatit, e përzgjedhura e Presidentit të SHBA Donald Trump për ambasadore në Shqipëri, foli me superlativa për shqiptarët, si një nga popujt më proamerikan në botë. Yuri Kim tha se sondazhet tregojnë se shqiptarët janë ndër mbështetësit më të mëdhenj në botë.

“Pak miq kanë përqafuar ngrohtë SHBA. Sondazh pas sondazhi tregohet se mbështetja shqiptare për Shtetet e Bashkaura mbetet ndër më të lartat në botë. Pak aleatë kanë qenë kaq besnikë. Trupat shqiptare kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bosnje.  Dhe pak partnerë janë po aq të gatshëm të bëjnë më shumë me Shtetet e Bashkuara”.

“Ne kemi një mik të fortë dhe besnik si Shqipëria, dhe është e domosdoshme që të mbajmë miq si Shqipëria pranë nesh, veçanërisht përballë sfidave strategjike për interesat, vlerat dhe institucionet tona të përbashkëta”, u shpreh Yuri Kim, që tashmë pret konfirmimin e Senatit për të ardhur në Tiranë.

SHBA masakron BE: I hapët rrugën Rusisë në Ballkan

SHBA kritikon ashpër vendet e Bashkimit Europian që dolën kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në raportimin përpara Komitetit të Punëve të Jashtëme në Senat, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, shprehet se mosveprimi i Këshillit Europian lumturoi Rusinë dhe Kinën.

“Mosveprimi i Këshillit Evropian javën e kaluar rrezikon besueshmërinë e BE jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Evropën dhe globalisht. Duke mos njohur në mënyrë të qartë arritjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe vazhdimi i ngecjes së zgjerimit, Këshilli Europian u dërgoi një sinjal negativ aspirantëve të tjerë, se dera për në Evropë është e mbyllur”.

“Ai gjithashtu dobëson argumentet që pohojnë dobinë e miratimit të reformave të vështira dhe bërjen e kompromiseve të guximshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit demokratik. Më në fund, krijon një boshllëk udhëheqës që Rusia, Kina dhe të tjerët janë më shumë se të lumtur për të mbushur”, tha Palmer.  

Mathew Palmer shtoi se ky mosveprim i Këshillit Europian për të njohur progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është zhgënjyes për Shtetet e Bashkaura të Amerikës.

“Jemi zhgënjyer thellësisht nga dështimi i vendeve anëtare të BE-së për të aprovuar hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë javën e kaluar në Bruksel. Edhe pse ne nuk jemi anëtarë të BE-së, ne jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian më 29 maj se të dy vendet kanë bërë përparim të rëndësishëm të reformave, duke përmbushur kushtet e Këshillit Evropian dhe duke krijuar një themel të fortë për të vazhduar reformat gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve të acquis”, thotë Palmer./Realstory.al/

Palmer: Reforma në drejtësi pastroi gjyqësorin. U dënua Shullazi e Balili

Mathew Palmer raportoi të mërkurën përpara Senatit në SHBA për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. I Dërguari i Posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, tregoi mes të tjerash, edhe zhvillimet në Shqipëri. Realstory.al siguroi raportin e Senatit, ku Palmer flet për zhvillimet në vendin tonë. Një nga temat kryesore ishte zbatimi i Reformës në Drejtësi. Mathew Palmer e cilësoi përpara Senatit Amerikan këtë reformë, si një hap të jashtëzakonshëm për të çrrënjosur korrupsionin endemik në sistemin e drejtësisë.

“Aleati jonë në NATO, Shqipëria, ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në rrugën e reformave duke zbatuar reformën gjyqësore për të çrrënjosur korrupsionin endemik. Reforma kërkon verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuritë e pashpjegueshme dhe lidhjet me krimin e organizuar”, tha ndër të tjera Palmer. Më tej ai tregoi para Senatit amerikan, se nga 143 gjykatës dhe prokurorë të thirrur në Vetting, vetëm 43% e tyre kaluan këtë proces.

“Vetëm 43% e 143 juristëve të verifikuar deri më tani kanë kaluar Vettingun, duke konfirmuar lidhjet e sistemit të vjetër të drejtësisë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shqipëria krijoi gjithashtu dy organe të reja për mbikëqyrjen e gjyqësorit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilët emërojnë dhe qeverisin gjyqtarët dhe prokurorët. Vendi tani është në prag të krijimit të një njësie të re të pavarur antikorrupsion SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, puna e tyre do të jetë të hetojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e zyrtarëve të lartë”, shprehet Palmer.

Ai nuk la pa theksuar edhe dy arrestimet e bujshme në vendin tonë, Klement Balilin dhe Emiljano Shullazin. “Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të goditur bosët e paprekshëm të krimit të organizuar, siç dëshmohet me dënimin e “mbretit të drogës” me profil të lartë Klement Balili dhe shefi famëkeq i krimit Emiljano Shullazi”, thotë ndër të tjera Palmer në lidhje me Shqipërinë. /Realstory.al/

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Cakaj: Lënë për të dëshiruar, duhet të thellohemi

Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj foli në “Real Story” për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. Sipas Ministrit Cakaj, aktualisht, bashkëpunimi mes dy vendeve lë shumë për të dëshiruar. “Bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë lë shumë për të dëshiruara. Nuk kanë rrugë tjetër, veçse të shkojnë drejt bashkëpunimit të thelluar. Ideja është se ne duhet të shkojmë për të hapur tregun me Kosovën. Ky proces bëhet i mundur pas procesit që ka filluar për mini-Schengen Ballkanik”, tha Cakaj. Ai foli edhe për qëndrimin që mban Shqipëria në raport me taksën 100% të vendosur nga qeveria e larguar e Haradinajt ndaj mallrave serbe.

Cakaj u shpreh se Tirana zyrtare mban të njëjtin qëndrim, që mban zyrtarisht qeveria e Kosovës, duke lënë të kuptohet se çdo qëndrim që do të mbajë Albin Kurti në të ardhmen, do të mbështetet nga Tirana. “Në kosovë ekzistojnë katër qëndrime për taksën. Është një qëndrim që thuhet se taksa duhet të largohet, një tjetër thotë që taksa duhet të pezullohet. Një qëndrim tjetër është që taksa të zëvendësohet, është dhe një qëndrim tjetër që thotë se taksa duhet të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Shqipërisë i takon ta mbështesë pa kushte Kosovën”, tha Cakaj.

I pyetur nga gazetari Sokol Balla, në lidhje me faktin pse Shqipëria nuk ka mbajtur një qëndrim lidhur me iden e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Cakaj u shpreh se kjo nuk ka ndodhur për indiferencë. Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë, është se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Për faktin që qeveria shqiptare nuk është deklaruar për disa çështje në Kosovë, nuk është indiferencë. Elementi i dytë që ka karakterizuar qasjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi, ka qenë me faktin që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Secila njohje duhet të jetë e dizenjuar në atë mënyrë, që mundëson anëtarësimin e Kosovës ne BE dhe OKB. Shqipëria nuk mund të jetë e përfshirë ligjërisht në procesin e negociatave Kosovë-Serbi. Ne nuk jemi pjesë e asaj marrëveshje, por kjo nuk do të thotë se ne do trajtohemi si shtet i tretë në këtë çështje. Ne do kemi rolin tonë”, tha Cakaj.  

Qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, pritet të ketë një qëndrim jo optimist në lidhje me krijimin e mini-Schengen Ballkanik. I pyetur nga gazetari Sokol Balla, se nëse Kosova refuzon të pranojë bashkëpunimin për këtë projekt, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë në këtë rast, Cakaj tha se asnjë proces që nuk ka miratimin e Kosovës, nuk do të ketë miratimin e Shqipërisë. “Në atë rrethanë, midis interesave të bashkëpunimit rajonal dhe Kosovës, përparësi ka Kosova. Një proces që rezulton të jetë përjashtues për Kosovën, që nuk ka miratimin e Kosovës, nuk ka as miratimin e Shqipërisë. Vuçiç ka dhënë garanci se ky do të jetë një proces i hapur. Shqipëria qëndron me Kosovën, dhe jo me interesa të tjera, që vijnë si rrjedhojë e bashkëpunimit rajonal”, tha Cakaj.

Gent Cakaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin, dhe përballë Serbisë duhet të jemi si komb tha ai. Ndërkohë që nuk pranoi të zbulonte votën e tij në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, Gent Cakaj u shpreh se Albin Kurti është i mirëpritur në Tiranë. “Duhet të intensifikojmë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës që përballë Serbisë, të jemi si një komb. Votën time nuk mund ta zbuloj. Jemi në dispozicion për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën. Albin Kurti është i mirëseradhur në Tiranë dhe dyert e institucioneve janë të hapura për të”, tha Cakaj. /Realstory.al/

Skip to toolbar