DASH përgëzon Tiranën për dëbimin e ambasadorit: Irani, komplot terrorist

#NËRADAR


Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për luftën kundër terrorizmit. Raporti konfirmon se dëbimi nga Shqipëria i ish-ambasdorit të Iranit dhe një tjetër zyrtari të këtij shtetit, erdhi pasi u zbuluan përpjekjet për një komplot terrorist, i sponsorizuar nga Irani.

“Shqipëria vazhdoi mbështetjen e saj të fortë ndërkombëtare kundër terrorizmit gjatë vitit 2018, me pjesëmarrjen në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS. Në dhjetor, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin e Iranit në Shqipëri, në përgjigje të një komploti të sponsorizuar nga Irani për të kryer një sulm terrorist brenda territorit shqiptar”, shkruhet në raportin e DASH.


Në raport vlerësohet gjithashtu fakti që Shqipëria i ka kriminalizuar aktet terroriste, financimin e terrorizmit, nxitjen e akteve, pjesëmarrjen në organizata terroriste apo udhëheqjen e tyre. Në raport thuhet se Njësia e Antiterrorizmit në Policinë e Shtetit në Shqipëri punon ngushtë me agjencitë e SHBA.-së. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se barrierat e shkëmbimit të informacionit dhe sistemi i dobët gjyqësor, vazhdojnë të pengojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Ndërsa theksohet se kjo situatë pritet të zgjidhet me zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Reforma kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin është duke u zbatuar, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë në lidhje me korrupsionin, aftësinë profesionale dhe lidhjet me krimin e organizuar.  Që nga dhjetori i vitit të kaluar, komisioni i verifikimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pushuan nga puna 30 gjyqtarë, konfirmuan 31 gjyqtarë të tjerë, ndërsa 16 pjesëtar të sistemit të drejtësisë dhanë dorëheqjen përpara Vetting”, thotë raporti, duke evidentuar faktin që në Shqipëri janë duke u krijuar institucionet e reja të drejtësisë që do të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndërkohë, vlerësimet për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër terrorit, vlerësohen dhe nga Ambasada e SHBA në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgëzon Shqipërinë për përpjekjet e shtuara në forcimin e sigurisë kufitare, ndalimin e suksesshëm të terroristëve të njohur apo të dyshuar, si dhe për hapat drejt përmbushjes së plotë të rezolutës 2396 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të përmirësuar kontrollin e pasagjerëve që hyjnë në Shqipëri në rrugë ajrore”, thuhet.

Vetëm pak ditë më parë, Policia e Shtetit zbuloi një grup terrorist me baza në Iran, që synonte të godiste anëtarët e MEK (opozitës iraniane që strehohet në Shqipëri). Ndërkohë, të premten një përfaqësues i MEK zbuloi se terroristët do të godisnin me një makinë bombë muxhahedinët, por padyshim nuk përjashtohej mundësia që nëse sulmi do të ndodhte, të prekeshin dhe qytetarë shqiptarë. /Realstory.al/




Skip to toolbar