Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Cakaj: Lënë për të dëshiruar, duhet të thellohemi

Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj foli në “Real Story” për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. Sipas Ministrit Cakaj, aktualisht, bashkëpunimi mes dy vendeve lë shumë për të dëshiruar. “Bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë lë shumë për të dëshiruara. Nuk kanë rrugë tjetër, veçse të shkojnë drejt bashkëpunimit të thelluar. Ideja është se ne duhet të shkojmë për të hapur tregun me Kosovën. Ky proces bëhet i mundur pas procesit që ka filluar për mini-Schengen Ballkanik”, tha Cakaj. Ai foli edhe për qëndrimin që mban Shqipëria në raport me taksën 100% të vendosur nga qeveria e larguar e Haradinajt ndaj mallrave serbe.

Cakaj u shpreh se Tirana zyrtare mban të njëjtin qëndrim, që mban zyrtarisht qeveria e Kosovës, duke lënë të kuptohet se çdo qëndrim që do të mbajë Albin Kurti në të ardhmen, do të mbështetet nga Tirana. “Në kosovë ekzistojnë katër qëndrime për taksën. Është një qëndrim që thuhet se taksa duhet të largohet, një tjetër thotë që taksa duhet të pezullohet. Një qëndrim tjetër është që taksa të zëvendësohet, është dhe një qëndrim tjetër që thotë se taksa duhet të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Shqipërisë i takon ta mbështesë pa kushte Kosovën”, tha Cakaj.

I pyetur nga gazetari Sokol Balla, në lidhje me faktin pse Shqipëria nuk ka mbajtur një qëndrim lidhur me iden e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Cakaj u shpreh se kjo nuk ka ndodhur për indiferencë. Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë, është se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Për faktin që qeveria shqiptare nuk është deklaruar për disa çështje në Kosovë, nuk është indiferencë. Elementi i dytë që ka karakterizuar qasjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi, ka qenë me faktin që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Secila njohje duhet të jetë e dizenjuar në atë mënyrë, që mundëson anëtarësimin e Kosovës ne BE dhe OKB. Shqipëria nuk mund të jetë e përfshirë ligjërisht në procesin e negociatave Kosovë-Serbi. Ne nuk jemi pjesë e asaj marrëveshje, por kjo nuk do të thotë se ne do trajtohemi si shtet i tretë në këtë çështje. Ne do kemi rolin tonë”, tha Cakaj.  

Qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, pritet të ketë një qëndrim jo optimist në lidhje me krijimin e mini-Schengen Ballkanik. I pyetur nga gazetari Sokol Balla, se nëse Kosova refuzon të pranojë bashkëpunimin për këtë projekt, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë në këtë rast, Cakaj tha se asnjë proces që nuk ka miratimin e Kosovës, nuk do të ketë miratimin e Shqipërisë. “Në atë rrethanë, midis interesave të bashkëpunimit rajonal dhe Kosovës, përparësi ka Kosova. Një proces që rezulton të jetë përjashtues për Kosovën, që nuk ka miratimin e Kosovës, nuk ka as miratimin e Shqipërisë. Vuçiç ka dhënë garanci se ky do të jetë një proces i hapur. Shqipëria qëndron me Kosovën, dhe jo me interesa të tjera, që vijnë si rrjedhojë e bashkëpunimit rajonal”, tha Cakaj.

Gent Cakaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin, dhe përballë Serbisë duhet të jemi si komb tha ai. Ndërkohë që nuk pranoi të zbulonte votën e tij në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, Gent Cakaj u shpreh se Albin Kurti është i mirëpritur në Tiranë. “Duhet të intensifikojmë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës që përballë Serbisë, të jemi si një komb. Votën time nuk mund ta zbuloj. Jemi në dispozicion për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën. Albin Kurti është i mirëseradhur në Tiranë dhe dyert e institucioneve janë të hapura për të”, tha Cakaj. /Realstory.al/

Video/ Reja, fjalim emocionues para lojtarëve: Kemi zemër

Trajneri Edy Reja mbajti një fjalim emocionues përpara lojtarëve, në fund të takimit kundër Moldavisë, që Shqipëria e fitoi me rezultatin 4-0. Tekniku italian nuk mban asnjë meritë për vete, ndonëse është dora e tij që riktheu shpresën te kuqezinjtë, por motivon lojtarët duke u thënë se “jeni ju ata që keni arritur të ndërtoni një grup kaq të mirë”.

“Jeni ju ata që e keni arritur të ndërtoni këtë grup kaq të mirë. Si ju këtu edhe stafi që punon mbas trajnerit. Ju përgëzoj dhe ju falenderoj të gjithëve. Merita është vetëm e juaja. Unë kam 35 vite që e bëj këtë punë, nuk kam nevojë të marr merita apo të më lavdërojë dikush”.

“Merita është gjithmonë e juaja sepse keni bërë një punë të shkëlqyer. Nëse do kishim fituar ndaj Turqisë, do shkonim në Europë. Duhet të kishim 4 pikë më shumë. 3 me Turqinë dhe 1 me Islandën. I kemi bërë të gjitha ndeshjet mjaft të mira, Turqisë i treguam se kush jemi, ndërsa Franca është Francë, nuk ka vend për diskutim. Kemi zemër,”-u shpreh Reja.

Fjalim mjaft motivues për futbollistët e kombëtares, që në fakt duket se kishte munguar gjatë në ambientin kuqezi. Trajneri Edy Reja, pas fitores të së hënës, pritet të marrë si shpërblim zgjatjen e kontratës me kombëtaren tonë.

Sinjalet i dha presidenti Armand Duka, i cili pas “pokerit” në Moldavi, u shpreh se do të ulet me trajnerin për të folur për projektin e së ardhmes. Vetë tekniku italian, në konferencën për mediat të dielën, deklaroi hapur se dëshironte të vijonte punën me kombëtaren tonë.

https://www.facebook.com/FederataShqiptareeFutbollit/videos/806079319809960/

Shqipëria “kualifikohet” në zemrat e tifozëve

Moldavia mbetet “preha” e preferuar e “Shqiponjave”, por së pari e Sokol Cikalleshit. Tre golat e shënuar në pjesën e parë nga kuqezinjtë dhe një në pjesën e dytë, i dhanë fitoren 4-0 skuadrës kombëtare në fushën Moldave. Edy Reja kishte dhënë direktiva të qarta, asnjë ndryshim në stilin e lojës, në krahasim me Turqinë.

Që në minutat e para, kuqezinjtë rrisin presionin dhe fitojnë kontrollin e topit. Rezultati vjen në të 22`, kur Sokol Cikalleshi shënon një gol të bukur nga brenda zonës, pasi i kaloi mbrojtjes kundërshtare. Por nuk ndalet me kaq. Mbrëmjes moldave s`mund t`i mungonte as Keidi Bare.

Fieraku gjeti rrjetën në të 34`, pasi përfitoi nga një gafë e portierit vendas. Por kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, erdhi dhe qershia mbi tortë. Lorenc Trashi ishte thirrur disa herë në ekipin kombëtar, por maksimumi ishte stoli. Megjithatë, të hënën, Edy Reja ndryshoi mendim.

I plotësoi dëshirën Lorenc Trashit duke e hedhur që nga fillimi në fushën e lojës. Mbrojtësi i Partizanit e shpërbleu. Jo vetëm me lojën e shkëlqyer, por në të 39`, ai realizoi një gol spektakolar me të majtën nga jashtë zone.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë ruajnë kontrollin e topit, por gjejnë edhe golin e katërt të takimit. Në minutën e 90` të takimit, Odise Roshi pason në qendër te Rey Manaj, që gjen rrjetën duke shënuar me finte. Shqipëria 4, Moldavia 0. Festa është kuqezi, por feston dhe Edy Reja, që nuk u beson syve për kryeveprën e kuqezinjve, që në fakt është kryevepër e tij.

Pas fitores të së hënës, Shqipëria shkon në kuotën e 12 pikëve dhe mban vendin e katërt të grupit H. Ndërkohë, Franca dhe Turqia, dy skuadrat e tjera të grupit tonë, në përballjen mes tyre ndanë nga një pikë, pas barazimit 1-1. Të dyja skuadrat ndajnë vendin e parë dhe të dytë në Grupin H me 19 pikë, ndërsa vendi i tretë mbahet nga Islanda që fitoi kundër Andorrës me rezultatin 2-0.

Video/ Shqipëria në avantazh, Cikalleshi mposht moldavët

Shqipëria kaloi në avantazh ndaj Moldavisë në minutën e 22` të takimit. Sulmuesi Sokol Cikalleshi është autor i goli të kuqezinjëve.

Kavajasit gjeti rrjetën pasi kaloi mbrojtjen vendase dhe shënoi një gol të bukur, duke i dhënë avantazhin skuadrës kuqezi.

Shqipëria po luan kundër Moldavisë ndeshjen e tetë kualifikuese të Euro 2020. Skuadra jonë e ka nisur mirë takimin, duke ushtruar presion ndaj kundërshtarit.

Kuqezinjtë janë hedhur në sulm duke kërkuar golin e parë, teksa në dhjetë minutat e para të ndeshjes kuqezinjtë nuk patën asnjë rast konkret.

https://streamable.com/509ct

Talentet premtojnë, Shqipëria U-19 mund Poloninë

Kombëtarja U-19 e futbollit mundi Poloninë 3-1 në një takim miqësor të luajtur në “Selman Stërmasi”. Të besuarit e Nevil Dedes bën paraqitje të shkëlqyer kundër Kombëtares U-19 të Polonisë. Sulmuesi i dalë nga Akademia e Tiranës, Ernest Muçi, ishte autori i dy golave në fitoren 3-1 ndaj skuadrës polake.

Goli i parë i kuqezinjve u shënuga nga Muçi në minutën e 32-të ndërsa i dyti erdhi në të 53`. Ndërkohë, miqtë ngushtuan shifrat në 80`, ndërsa në fund të ndeshjes Marvin Çuni gjeti rrjetën duke shënuar golin e tretë për ekipin e Nevil Dedes.

Fitorja e ekipit U-19 erdhi një ditë pas fitores së ekipit U-17 që mundi 3-0 Malin e Zi në “Loro Boriçi”. Skuadra e drejtuar nga Elvin Beqiri fitoi me gola të kapitenit Mario Mitaj, Asan Mata dhe Elio Zalli, duke konfirmuar se ekipet zinxhir të kombëtares kanë talente premtues.

Të mërkurën, më 16 Tetor, skuadra e Beqirit do të luajë përsëri me Malin e Zi, ndeshje që do të jetë edhe testi i fundit për 17 vjeçarët në prag të ndeshjeve eliminatore të muajit nëntor ndaj Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Kundër Moldavisë, 150 tifozë mbështesin Shqipërinë

Kombëtarja jonë e futbollit përballet mbrëmjen e të hënës me Moldavinë, në ndeshjen tetë kualifikuese të Euro 2020. Ky do të jetë takimi i dytë radhazi i kuqezinjëve që luajnë në transfertë, pas ndeshjes kundër Turqisë. Ndeshja do të luhet në “Stadionul Zimbru” në Chisinau të Moldavisë.

Një impiant me 10.000 vende, ku pritet të ketë dhe tifozë shqiptarë. Realstory.al mësoi se të pranishëm për të mbështur kombëtaren në Moldavi të hënën në mbrëmje do të jenë rreth 150 tifozë.

Një numër shumë më i vogël se ai i tre ditëve më parë në Turqi, ku kombëtarja pati më shumë se 2000 mbështetës në stadium. Por pavarësisht numrit, prania e tifozëve në stadium do të jetë një motiv më shumë për kuqezinjtë, për të dalë me tre pikë nga fusha moldave.

Trajneri Edy Reja pritet të bëjë pak ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen ndaj Turqisë. UEFA zgjodhi një katërshe arbitrash nga Anglia për të drejtuar këtë takim.

Chris Kavanagh do të jetë arbitri kryesor, që do të asistohet nga Daniel Richard Cook dhe Constantine Hatzidakis, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Stuart Attwell.

Shqipëria nuk njeh humbje në tre takimet zyrtare që ka luajtur ndaj Moldavisë, ndërsa në një takim miqësor ndeshja është mbyllur në barazim 0-0. Ndaj në mbrëmje pritet të konfirmohet ecuria pozitive e kuqezinjëve. /Realstory.al/

LIVE/ Përfundon takimi, Turqia na ndëshkon në fund

Luhet takimi mes Turqisë dhe Shqipërisë në stadiumin e Fenerbaçe në Stamboll. Ekipi ynë kombëtar synon fitoren në këtë përballje, duke mbajtur gjallë shpresën për kualifikimin në Euro 2020. Ndërkohë, të njëjtin synim ka dhe Turqia, që shpreson të marrë tre pikë nga kjo përballje, me qëllim që të sigurojë kualifikimin. Kjo do të jetë përballja e dhjetë mes dy kombëtareve, e teta ndeshje zyrtare, ndërsa dy takime janë miqësore.

Ndiqni Live:

90+4`-Mbyllet ndeshja, Turqia fiton 1-0 ndaj Shqipërisë me gol të Tosun.

90`- Shqipëria i dhuron golin vendasve. Strakosha dhe Ismajli nuk merren vesh me njëri-tjetrin, ndërkohë që Tosun përfiton dhe gjen rrjetën.

88`- Rey Manaj humb një tjetër mundësi shënimi, ndërkohë që dy gjuajtjet e tij përfundojnë në duart e portierit.

86` Ndëshkohet me karton të verdhë Berat Gjimshiti.

83` Ndëshkohet me karton të verdhë Amir Abrashi.

80`- Dhjetë minuta nga fundit, turqit tentojnë të rrezikojnë por skuadra jonë është e kujdesshme.

76`- Odise Roshi del shkëlqyer nga krahu i majtë, duke pasuar pë Rey Manaj që shkon drejt portës. Por topi devijohet nga portier turk përpara se Manaj të mbrrinte. Shqipëria humb një rast të shkëlqyer.

72`- Shqipëria kryen ndërrimin e dytë, del kapiteni Memushaj, futet Amir Abrashi. Shiriti i kapitenit i shkon Odise Roshit.

68` – Calhanoglu rrezikon portën kuqezi, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Ndërkohë Ozan ndëshkohet me karton të verdhë.

66` – Ndërrimi i dytë për turqit, del Emre dhe futet Kahveci.

64`-Shqipëri fiton faull, por topi i gjuajtur nga Memushaj rikuperohet shpejt nga Turqit që nisen në kundërsulm. Por aksioni i Calhanoglu thyet në zonë nga Veseli.

57`-Trajneri Edy Reja kryen zëvendësimin e parë. Nga fusha e lojës del Ermir Lenjani, futet Odise Roshi.

50`- Turqit rrezikojnë me një gjuajtje të fortë nga brenda zonës por Strakosha pret, ndërsa Dermaku largon rrezikun.

49`- Kuqezinjtë shpërdorojnë një rast të shkëlqyer, me një kundërsulm që nuk shfrytëzohet si duhet nga Ermir Lenjani.

48` – Turqia shfaqet rrezikshëm në portën tonë nga dy goditje dënimi, por fatmirësisht pa probleme.

46`– Nis pjesa e dytë, Turqia kryen ndërrimin e parë.

Mbyllet pjesa e parë

45+3`- Manaj fiton faull, ndërkohë mbetet i dëmtuar futbollisti turk Tekdemir. Kuqezinjtë kanë shanse për të shënuar nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Manajt pritet nga portieri turk.

45`- Mbyllet koha e rregullt, arbitri jep katër minuta shtesë.

42`- Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, skuadra kuqezi tenton të dal në sulm, por gabon në metrat e fundit.

34` Kuqezinjtë dalin në zonën kundërshtare. Fitojnë një goditje dënimi, e cila gjuhet nga Memushaj por që nuk shkakton rrezik në portën kundërshtare, pasi topi pritet nga portieri. Por arbitri kërkon rigjuajtjen e goditjes së dënimit, pasi arbitri nuk kishte vërshëllyer.

27`- Kaan ndërhyn keq ndaj Cikalleshit në mesfushë. Arbitri nuk e kursen kartonin e verdhë

24`- Ulet ritmi i lojës, skuadrat lujnë në mesin e fushës.

20`- Njëzet minutat e para të ndeshjes mbyllen pa gola. Lojë e tensionuar mes dy ekipeve. Skuadra jonë përballon me sukses çdo rrezik deri tani, ndërsa nuk ka rrezikuar deri tani.

15`- Turqit bëjnë presion në zonën tonë. Megjithatë, rezultati mbetet barazim 0-0.

13`- Ndërpritet përsëri loja. Tensione mes futbollistëve të dy skuadrave. Arbitri ndëshkon Memushajn me karton të verdhë.

10`- Loja zhvendoset në mesin e fushës. Skuadra jonë mundohet të dali nga krahët, por aksionet thyen nga mbrojtja turke.

6`- Mbrojtësi i Turqisë, Demiral ndërhyn keq. Acarohen lojtarët. Demiral ndëshkohet me karton të verdhë së bashku me futbollistin tonë Keidi Bare.

4`- Faull nga Dermaku jashtë zone. Arbitri e ndëshkon me të karton të verdhë

3`- Turqit afrohen në zonën tonë, duke tentuar portën, por gjuajtja përfundon jashtë.

1`- Fillon ndeshja, topin e parë e gjuajnë turqit

Formacioni

PPE, thirrje BE: Shqipëria meriton negociatat

Partitë Popullore Europiane dolën me një deklaratë të përbashkët për mediat, ku u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të pranojnë hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deklarata, e mbajtur nga Presidenti i PPE-së, Joseph Daul, thekson se “Politika e Zgjerimit e BE-së, ka qenë mjet për ruajtjen e stabilitetit në kontinent”. “Politika e Zgjerimit të BE-së ka qenë një nga mjetet më të suksesshme për të sjellë stabilitetin dhe paqen në kontinentin tonë. Vendimet që do të merren më pas nga vendet anëtare nuk do të ndikojnë vetëm në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të kontinentit tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të fortë dhe për t’i qëndruar besnik angazhimeve tona në rajon”, thuhet në deklaratë.

Më tej, sipas Joseph Daul, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përparim në përputhjen me kërkesat për hapjen e këtij procesi, ndaj hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim në përputhje me kërkesat për hapjen e këtij procesi. Ndërsa mbetet shumë për të bërë, hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. Qytetarët, dhe veçanërisht rinia, e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë meritojnë një perspektivë evropiane pasi mbetet një burim motivimi dhe vendosmëri që ato vende dhe rajoni më gjerë të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të zbatuar më tej sundimin e ligjit, forcimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimit të pavarësisë së mediave”, shkruan PPE.

Duke e cilësuar vendimin e javës tjetër si historik për të ardhmen e kontinentit, PPE shprehet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët më të afërt, historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. “Vendimi i javës tjetër është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë e gjatë por është një rrugë që duhet të ndërtojmë së bashku, dhe nuk duhet të humbasim vrullin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë më të afërt; historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. BE nuk do të jetë e plotë derisa rajoni të jetë pjesë e bashkimit tonë”, shkruan PPE.

Video/ Para ndeshjes, kombëtarja heq dorë nga dieta

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edy Reja, festoi të enjten, një ditë para ndeshjes me Turqinë, 74 vjetorin e lindjes. Tekniku kuqezi është surprizuar nga stafi i kombëtares shqiptare dhe presidenti Armand Duka në hotelin ku po qëndron kombëtarja në prag të ndeshjes me Turqinë. Ishte vetë kreu i FSHF-së, që shkoi në ambientet e restorantit të hotelit me një tortë, që mbante sipër dy qirinj të ndezur me numrin 74.

Ndërkohë, vetë trajneri Edy Reja, lojtarët dhe pjestarët e tjerë të stafit, kënduan “Happy birthday to you” për trajnerin kuqezi, që feston plot 74 vite të tjetës së tij. Kështu, lojtarët dhe stafi “thyen” dietën përpara ndeshjes, duke shijuar torëtn e ditëlindjes së trajnerit. Ndërkohë, si dhuratë për ditëlindjen, lojtarët paralajmëruan se do të jetë fitorja ndaj Turqisë.

Ndërkohë, pasi fiku qirinjtë e tortës, trajneri mbajti një fjalim emocionues përpara lojtarëve duke treguar sekretin e rinisë së tij. “Fizikisht, jam akoma mirë, por e dini cili është sekreti? Qëndroj gjithmonë me të rinjtë, pasi jam i ri në kokë. Më dhatë një kënaqësi të jashtëzakonshme në ndeshjen kundër Islandës. U rritëm, dhe kjo gjë më lumturoi pa masë”.

“Është shumë e rëndësishme të mbërrish në moshën time dhe të jesh në gjendje të japësh, por unë gjithashtu edhe marr. Nesër në mbrëmje do të doja dhe një dhuratë të vogël, nëse është e mundur. Do ta doja këtë kënaqësi të vogël, jo për vete, por për ju. Nuk po them që po arrijmë majën, sepse është rrugë e gjatë, por jemi afër. Jemi në rrugën e duhur, do ta shikoni që do të ketë kënaqësi për të gjithë, sidomos për mua, meqë kam ditëlindjen”, tha Reja.

https://www.instagram.com/p/B3cSNt5Fe_L/

Edoardo Reja është lindur në datën 10 tetor të vitit 1945,  në Luicino të Italisë. Reja e nisi karrierën e tij me ekipin e të rinjëve të SPAL, e drejtuar nga trajneri Paolo Mazza. Ai luajti si mesfushor sëbashku me Fabio Capellon, një shok i tij, dhe me lojtarë të tjerë si Louis Pasetti dhe Adriano Zanier. Ata ndihmuan ekipin të fitonte kampionatin e të rinjëve në sezonin 1963–64. Në vitin 1965, Reja j’u bashkangjit Capellos në Serie A, duke u bashkuar me ekipin e parë të SPAL-it; paraqitjet e mira bënë që ai të luante një herë edhe me kombëtaren italiane nën-23.

Në pjesën tjetër të karrierës së tij, Reja luajti me dy ekipe të tjera, Palermon dhe Alessandrinë. Ai e mbylli karrierën e tij në vitin 1975, duke zhvilluar gjithsej 124 ndeshje në elitë, ndërsa më pas ai nisi karrierën si trajner, duke drejtuar ekipe si Lazio, Napoli, Atalanta, Hajduk Split, ndërsa kombëtarja shqiptare është eksperienca e parë e Edy Rejës si trajner i një përfaqësuese.

https://www.facebook.com/FederataShqiptareeFutbollit/videos/2468362733277020/

Turqia, delja jonë e zezë. I “hëngri kokën” Panuccit

Të premten në 20:45, kombëtarja jonë e futbollit do të përballet në Stamboll me Turqinë, në ndeshjen e turit të shtatë eliminator, për Euro 2020. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja do të tentojnë mrekullinë në këtë sfidë, pavarësisht se skuadra vendase vjen si favorite. Ajo e së premtes do të jetë përballja e dhjetë midis Shqipërisë dhe Turqisë në futboll, e teta ndeshje zyrtare, ndërsa 2 janë miqësore. Po çfarë thonë statistikat për përballjet mes dy kombëtareve. Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Turqisë daton në vitin e largët 1970, në kualifikueset e evropianit.

Në takimin e datës 13 dhjetor të vitit 1970, kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, në 14 nëntor 1971, Shqipëria fitonte 3-0 ndaj turqisë. Një dekadë më pas, dy kombëtaret do të takoheshin përsëri në eliminatoret e evropianit. Në 27 tetor të vitit 1982, Turqia fitonte minimalisht në shtëpi me rezultatin 1-0, ndërsa ndeshja e kthimit në Tiranë, në 11 maj 1983 përfundoi në barazim 1-1.

Pas këtij takimi, do të duheshin gati dy dekada që dy skuadrat të përballeshin mes tyre. ishte 22 prilli i vitit 2001, kur kombëtarja jonë u përball me Turqinë në transfertë në një takim miqësor, të cilin e fitoi me rezultatin 2-0. Katër vite më vonë, në 2005, Shqipëria e gjen veten në të njëjtin grup me Turqinë për kualifikueset e botërorit.

Turqit fituan të dyja takimet, të parin në shtëpi me rezultatin 2-0, ndërsa të dytin në Tiranë me rezultatin 0-1. Pas 2005, kombëtarja jonë përballet në takimin e radhës me Turqinë në Antalia, në 13 nëntor 2017. Takimi u fitua nga kuqezinjtë tanë me rezultatin 2-3, në atë kohë drejtuar nga Christian Panucci, ndërsa golat ishin dopieta e Sadikut dhe një i Eros Grezdës, të dy mungojnë në takimin e së premtes.

Ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Turqisë, ishte ajo e 22 marsit të këtij viti, kur kuqezinjtë drejtoheshin përsëri nga Christian Panucci, por në ndryshim nga 2017, ndeshja e këtij viti ishte zyrtare dhe Turqia fitoi me rezultatin 0-2 në Shkodër.

Ajo ishte në fakt dhe ndeshja e fundit e Christian Panuccit në krye të kombëtares tonë, pasi pas asaj humbje, FSHF vendosi t`i komunikonte trajnerit italian shkarkimin në orët e para të mëngjesit të datës 23 mars, ndërsa në maj të këtij viti, drejtimin e kuqezinjve e mori Edy Reja. Ndërkohë, sa i përket vlerave financiare, skuadra jonë kushton rreth 68 milion euro, ndërsa ajo turke kushton gati sa trefishi i kuqezinjve, me rreth 183 milion euro. /Realstory.al/

Skip to toolbar