Kundër Moldavisë, 150 tifozë mbështesin Shqipërinë

AKTUALITET


Kombëtarja jonë e futbollit përballet mbrëmjen e të hënës me Moldavinë, në ndeshjen tetë kualifikuese të Euro 2020. Ky do të jetë takimi i dytë radhazi i kuqezinjëve që luajnë në transfertë, pas ndeshjes kundër Turqisë. Ndeshja do të luhet në “Stadionul Zimbru” në Chisinau të Moldavisë.

Një impiant me 10.000 vende, ku pritet të ketë dhe tifozë shqiptarë. Realstory.al mësoi se të pranishëm për të mbështur kombëtaren në Moldavi të hënën në mbrëmje do të jenë rreth 150 tifozë.


Një numër shumë më i vogël se ai i tre ditëve më parë në Turqi, ku kombëtarja pati më shumë se 2000 mbështetës në stadium. Por pavarësisht numrit, prania e tifozëve në stadium do të jetë një motiv më shumë për kuqezinjtë, për të dalë me tre pikë nga fusha moldave.

Trajneri Edy Reja pritet të bëjë pak ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen ndaj Turqisë. UEFA zgjodhi një katërshe arbitrash nga Anglia për të drejtuar këtë takim.

Chris Kavanagh do të jetë arbitri kryesor, që do të asistohet nga Daniel Richard Cook dhe Constantine Hatzidakis, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Stuart Attwell.

Shqipëria nuk njeh humbje në tre takimet zyrtare që ka luajtur ndaj Moldavisë, ndërsa në një takim miqësor ndeshja është mbyllur në barazim 0-0. Ndaj në mbrëmje pritet të konfirmohet ecuria pozitive e kuqezinjëve. /Realstory.al/




Skip to toolbar