Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Cakaj: Lënë për të dëshiruar, duhet të thellohemi

#NËRADAR


Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj foli në “Real Story” për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. Sipas Ministrit Cakaj, aktualisht, bashkëpunimi mes dy vendeve lë shumë për të dëshiruar. “Bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë lë shumë për të dëshiruara. Nuk kanë rrugë tjetër, veçse të shkojnë drejt bashkëpunimit të thelluar. Ideja është se ne duhet të shkojmë për të hapur tregun me Kosovën. Ky proces bëhet i mundur pas procesit që ka filluar për mini-Schengen Ballkanik”, tha Cakaj. Ai foli edhe për qëndrimin që mban Shqipëria në raport me taksën 100% të vendosur nga qeveria e larguar e Haradinajt ndaj mallrave serbe.


Cakaj u shpreh se Tirana zyrtare mban të njëjtin qëndrim, që mban zyrtarisht qeveria e Kosovës, duke lënë të kuptohet se çdo qëndrim që do të mbajë Albin Kurti në të ardhmen, do të mbështetet nga Tirana. “Në kosovë ekzistojnë katër qëndrime për taksën. Është një qëndrim që thuhet se taksa duhet të largohet, një tjetër thotë që taksa duhet të pezullohet. Një qëndrim tjetër është që taksa të zëvendësohet, është dhe një qëndrim tjetër që thotë se taksa duhet të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Shqipërisë i takon ta mbështesë pa kushte Kosovën”, tha Cakaj.

I pyetur nga gazetari Sokol Balla, në lidhje me faktin pse Shqipëria nuk ka mbajtur një qëndrim lidhur me iden e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Cakaj u shpreh se kjo nuk ka ndodhur për indiferencë. Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë, është se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Për faktin që qeveria shqiptare nuk është deklaruar për disa çështje në Kosovë, nuk është indiferencë. Elementi i dytë që ka karakterizuar qasjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi, ka qenë me faktin që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Secila njohje duhet të jetë e dizenjuar në atë mënyrë, që mundëson anëtarësimin e Kosovës ne BE dhe OKB. Shqipëria nuk mund të jetë e përfshirë ligjërisht në procesin e negociatave Kosovë-Serbi. Ne nuk jemi pjesë e asaj marrëveshje, por kjo nuk do të thotë se ne do trajtohemi si shtet i tretë në këtë çështje. Ne do kemi rolin tonë”, tha Cakaj.  

Qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, pritet të ketë një qëndrim jo optimist në lidhje me krijimin e mini-Schengen Ballkanik. I pyetur nga gazetari Sokol Balla, se nëse Kosova refuzon të pranojë bashkëpunimin për këtë projekt, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë në këtë rast, Cakaj tha se asnjë proces që nuk ka miratimin e Kosovës, nuk do të ketë miratimin e Shqipërisë. “Në atë rrethanë, midis interesave të bashkëpunimit rajonal dhe Kosovës, përparësi ka Kosova. Një proces që rezulton të jetë përjashtues për Kosovën, që nuk ka miratimin e Kosovës, nuk ka as miratimin e Shqipërisë. Vuçiç ka dhënë garanci se ky do të jetë një proces i hapur. Shqipëria qëndron me Kosovën, dhe jo me interesa të tjera, që vijnë si rrjedhojë e bashkëpunimit rajonal”, tha Cakaj.

Gent Cakaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin, dhe përballë Serbisë duhet të jemi si komb tha ai. Ndërkohë që nuk pranoi të zbulonte votën e tij në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, Gent Cakaj u shpreh se Albin Kurti është i mirëpritur në Tiranë. “Duhet të intensifikojmë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës që përballë Serbisë, të jemi si një komb. Votën time nuk mund ta zbuloj. Jemi në dispozicion për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën. Albin Kurti është i mirëseradhur në Tiranë dhe dyert e institucioneve janë të hapura për të”, tha Cakaj. /Realstory.al/