Ngec në vetting kandidati për Kushtetuesen, kalon anëtarja e SPAK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj, kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që është rikonfirmuar prokurorja Elida Kaçkini e përzgjedhur në listën e 15 anëtarëve për SPAK.

KPK vlerësoi se Mustafaj kishte probleme me pasurinë. Në deklaratën e tij të pasurisë u pa që kishte mospërputhje  në çmimin dhe sipërfaqjen e apartamenteve në pronësi.

Një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë, Mustafaj, në deklaratën e vettingut ka thënë se e ka blerë për 40 mijë euro, ndërsa në deklaratën e vitit 2007, s’deklarohet kjo pasuri. Për këtë arsye KPK vendosi ta shkarkojë por Mustafaj ka deklaruar se do ta ankimojë këtë vendim.

Në përfundim Mustafaj u shpreh se ka humbur vendi, Gjykata Kushtetuese pasi sipas tij s’do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm. Ai tha se ka mbështetur vettingun dhe reformën në drejtësi, por deklaroi se kundërshton shkarkimin duke paralajmëruar ankimim.

“Me vendimin e sotëm të Komisionit nuk ka humbur Ilir Mustafaj si individ, pasi Mustafaj do e ankimojë në instanca më të larta të cilat do i japin të drejtë. Sot ka humbur vendi. Ka humbur Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të ketë në përbërje një profesor të së drejtës”,- u shpreh Mustafaj menjëherë pas dhënies së vendimit nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj.

KPK gjithashtu ka shkarkuar nga detyra kreun e prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli për mos justifikim të pasurisë.

Nga ana tjetër Komisioni i Vettingut ka rikonfirmuar në detyrë prokuroren Elida Kaçkinaj e cila është përzgjedhur edhe nga KLP si anëtare e SPAK.

Gent Ibrahimi: SPAK gati në fund të shtatorit

Ngritja dhe vënia në funksionim e Prokurorisë Sepciale (SPAK), është një nga angazhimet më të rëndësishme të momentit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në një intervistë për A2CNN, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi, ka treguar se fundi i shtatorit, apo fillimi i tetorit, do të  jetë koha kur SPAK do të vihet në funksion.

“Kemi një listë që ka ardhur si rezultat i një procedure të dakordësuar paraprakisht, është rezultat i aplikimit sipas atyre kritereve vlerësimi që janë dakordësuar paraprakisht, çdo pakënaqësi që mund të shfaqet kur ballafaqohesh në fund me listën i hap rrugën vetëdijes që është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme”.

“Në këto kushte mund të them se shtatori është optimist si afat duke patur parasysh se institucionet e vetting-ut do të duan kohën e tyre për të procesuar të 15 kandidatët e SPAK-ut, por fillimi i tetorit do të jetë koha kur do të jemi në gjendje që të krijojmë strukturën”, u shpreh Ibrahimi.

Aktualisht është miratuar lista paraprake me 15 emrat e prokurorëve kandidat për SPAK, një pjesë e të cilëve do të duhet të kalojnë Vettingun që të bëhen më pas anëtar të kësaj strukture. Megjithatë, KLP ka kërkuar që për këta prokurorë, Vettingu të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke pasur parasysh rëndësinë që ka krijimi i SPAK.

SPAK, Murrizi: Tani ‘Peshqit’ e mëdhenj në burg

Të martën u miratua lista paraprake me 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të synojnë një vend  në Prokurorinë Speciale (SPAK). Krijimi i këtij organi, që del nga Reforma në Drejtësi, është çelsi i edhe për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në tetor. Në një intervistë televizive, nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, ëshë shprehur se rezultatet e SPAK do të jenë të shpejta. Sipas tij, peshqit e mëdhenj, do të bien shumë shpejt në “grepin” e Prokurorisë Speciale për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Do të ishte mirë të vinin amerikanë apo anglezë për një periudhë kohe, por këta kemi tani. Ishalla uroj që të gjithë këta me kurajo dhe integritet të kalojnë edhe vettingun dhe të fillojë kjo strukturë dhe të merren me ata që janë bërë si baballarët e kombit. Do të merren ustallarët e baballarëve të kombit. Ata që ua kanë futur dy këmbët në një këpucë do i detyrojnë”.

“Peshqit e mëdhenj? Goditjet e para besoj që do të jenë brenda këtij viti. Hajduti nuk ka ngjyrë, këta janë në një vend. Nuk janë veç e veç për të vjedhur, po të hapësh tefterët e biznese do të shikosh gallatë. Kjo është arsyeja që prej 20 e ca vitesh punojnë 2-3 biznesmenë që kur ka qenë Nano, qeveria ime, por edhe kjo punonin bashkë, që Basha u thotë tani oligarkë. E kanë mbyllur rrethin. Kur ndajnë me ata i quajnë biznesmenë, kur nuk ndajnë i quajnë oligarkë” tha ai.

KLP shpall listën: 15 emrat e kandidatëve për SPAK. Mbeten jashtë Prela e Hajdarmataj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar në mbledhjen e së martës listën me 15 kandidatët për anëtarë të SPAK.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi pasi lexoi listën tha se nuk është përfundimtare pasi do të pritet përfundimi i të dy etapave të vettingut për këta kandidatë.  “Kjo nuk do të thotë se kjo listë është përfundimtare dhe se SPAK do të ngrihet menjëherë. Por do mbetemi në pritje të ecurisë së vettingut. Vetëm pasi kanddiatët të kalojnë dy etapat e vettingut atëherë do të marrim vendimin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë, KLP ka vendosur të përjashtojë nga gara disa prej emrave të njohur të sistemit të drejtësisë, siç është drejtuesja aktuale e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, si dhe ish-kreun e kësaj Prokurorie, Besnik Hajdarmataj.

Gjithashtu, janë përjashtuar edhe dy prokurorët Dritan Prençi e Vladimir Mara, të cilët njihen si prokurorët e dosjeve “të nxehta”.

Kandidatët për anëtarë të SPAK:

Altin Dumani

Anton Martini

Elisabeta Imeraj

Arben Kraja

Doloreza Musabelliu

Klodian Braho

Enkelejda Millonai

Manjola Kajana

Edvin Kondilli

Ened Nakuçi

Elida Kackini

Behar Dibra

Besnik Muçi

Anila Jella

Ndini Tavani

KLP zbulon kandidatët që përjashtohen nga gara

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar në mbledhjen e së martës raportin mbi procesin e vlerësimit të kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë anëtarë të SPAK.

Raporti është lexuar nga Relatori i Komisionit të Posaçëm për SPAK, Sandër Beci, i cili bëri të ditur se për të qenë anëtarë të SPAK kanë aplikuar gjithsej 28 kandidatë, prej të cilëve 3 nuk plotësonin kriteret dhe njëri është pezulluar nga vettingu dhe është përjashtuar nga gara.

Konkretisht sipas KLP-së, kandidati Gëzim Cena nuk plotëson kushtet për të qenë anëtar i SPAK pasi nuk ka punuar asnjëherë si prokuror. Kandidatët Fatmir Hoxha dhe Irena Nino që të dy kanë punuar si prokurorë dhe kanë eksperience pune mbi 10 vjet sikurse e parashikon ligji, por që të dy janë larguar me kërkesën e tyre nga sistemi. Por futja sërish në sistem ka një sërë procedurash më të komplikuara se sa është kërkesa për ngritje në detyrë. Ndaj dhe kandidaturat e tyre përjashtohen nga gara për SPAK.

Një tjetër prokuror që largohet nga gara për SPAK është edhe Eugent Beci për shkak se ai është shkarkuar nga detyra nga komisioni i Vettingut. “KLP vendosi pezullimin e garës për kandidatin Eugent Beci”.

Relatori Sandër Beci bëri të ditur se në procesin e vlerësimit të kandidatëve është përfshirë edhe ekspertiza ndërkombëtare e EURALIUS dhe e OPDAT.

“Me Euralius dhe Opdat është diskutuar metodologjia për kriteret e vlerësimit të kandidatëve të SPAK”, tha Beci, i cili lexoi kriteret specifike mbi bazën e të cilave do të përzgjidhen prokurorët që do të jenë anëtarë të SPAK, të cilët duhet të japin prova konkrete se në punën e tyre kanë qenë të sukseshëm veçanërisht në luftën kundër korrupsioni, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Ngritja e SPAK është një strukturë që rrjedh nga Reforma në Drejtësi dhe po kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët që të jetë sa më shpejt funksionale. Kjo strukturë do të vërë para drejtësisë zyrtarët e lartë dhe politikanët e niveleve të larta të akuzuar për afera korruptive.

SPAK, një hap larg. Të mërkurën, lista e plotë e prokurorëve

Ngritja e SPAK tashmë është realitet. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të shpallë të mërkurën listën me emrat e prokurorëve të përzgjedhur pas mbylljes së procesit të intervistimit të 23 kandidatëve të garë.

Intervistat u zhvilluan nga data 8-12 korrik dhe kandidatët për anëtarë të SPAK iu përgjigjen pyetjeve nën monitorimin e ndërkombëtarëve.

Në garë ishin 23 kandidatë për 15 vende që do të ketë Struktura e Posaçme e Hetimit të zyrtarëve të lartë të akuzuar apo të dyshuar për afera korruptive apo për lidhje me krimin.

Rregullorja e Këshillit përcakton datën 16 korrik si afatin e fundit për përzgjedhjen e kandidatëve.

Ngritja e SPAK është kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët. Ambasadori i BE-së Luigi Soreca vetëm pak ditë më herët përmes një mesazhi në twitter vuri theksin në domosdoshmërinë e ngritjes sa më parë në institucioneve të reja të drejtësisë.

“Është gjithashtu koha për të ecur përpara me reformat e sundimit të ligjit. Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe është e pakthyeshme. Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe sjellja e Gjykatës Kushtetuese në funksionalitetin e saj. Pasi të përfundojë rigorozisht verifikimi i kandidatëve, SPAK do të përmirësojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Gjykata do të jetë në gjendje të sqarojë të gjitha çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me të drejtat kushtetuese, duke përfshirë çështjet e zgjedhjeve”, theksoi Soreca në twitter.

Qeveria blindon SPAK dhe Byronë e Hetimit

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit BKH janë organet e reja që do i shtohet sistemit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta të qeverisjes.

Procesi i ngritjes së tyre është ende në fazën e verifikimit nga Vettingu të kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtyre strukturave të reja të drejtësisë. Kjo nuk e ka penguar qeverinë që të miratojë masat mbrojtëse të ruajtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm që do të vendosen në drejtimin e SPAK dhe BKH. Në disa raste qeveria ka miratuar edhe marrjen në mbrojtje të familjarëve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm nëse në adresë të tyre vijnë kërcënime për jetën.

Në vendimin e qeverisë theksohet se drejtuesit e SPAK dhe BKH kanë të drejtë t’u sigurohet mbrojtje personale, madje edhe familjarëve të tyre . Ato do të kenë në dispozicion një oficer dhe një nënoficer që do t’i shoqërojë gjatë gjithë kohës.

Prokurorët dhe gjyqtarët,  kandidat për SPAK pritet të përfundojnë  procesin e vettingut, një proces që verifikon të ardhurat e pasurisë, pastërtinë e figurës së tyre dhe aftësitë profesionale. Pas kalimit të vettingut, kandidatët do të jenë në garë për t’u zgjedhur, të cilët do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.  Prokuroria e Posaçme do të kryej funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm dhe do të monitorohet nga ndërkombëtarët. Kjo strukturë e veçantë që do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë për rastet e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Vendimi i plotë

PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit u sigurohet mbrojtja personale, sipas parashikimeve të ligjit nr 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Mbrojtja personale, e parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, ofrohet mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga subjekti që kërkon të mbrohet.

Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me oficer e nënoficer.

Garantimi i mbrojtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme bëhet sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit.

Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, për shkak të apo gjatë ushtrimit të detyrës, u sigurohet mbrojtje personale e jetës, shëndetit dhe pronës, nëse kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në rastet e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme si dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa depozitohet pranë komisionit të posaçëm që ngrihet e funksionon sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.

Në rastet e zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa vlerësohet nga komisioni i posaçëm, i cili përbëhet nga:

– një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme;

– një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;

– një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme;

– drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

– një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kryetar i komisionit të përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi, është përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme. Në mungesë të kryetarit, anëtarët thirren nga personi i autorizuar prej tij, i cili kryeson mbledhjen e komisionit.

Kërkesa për mbrojtje i paraqitet komisionit atëherë kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se subjektit kërkues apo subjekteve të parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi, u rrezikohet jeta, familja ose prona.

Procedurat që ndiqen nga komisioni janë të njëjta me procedurat e ndjekura nga komisioni i posaçëm, që garanton mbrojtje të veçantë për magjistratët.

Oficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, familjeve dhe banesave të tyre nuk zëvendësohen pa marrë, paraprakisht, miratimin e kryetarit të Gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komisionet e posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, si dhe të banesave të tyre.

Struktura dhe organika e nevojshme për ruajtjen e shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, së bashku me ruajtjen e banesave ose të rezidencave të tyre, si dhe kriteret e përzgjedhjes së efektivave që ngarkohen me këtë detyrë, miratohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ngarkohen kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ministria e Brendshme, Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

SPAK, intervistohet Imeraj: Do ketë rezultate të mira

Paraditen e të mërkurës, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë intervistuar 5 kandidatët e tjerë për t`u bërë pjesë e Prokurorisë Speciale (SPAK). Prokurori Dritan Prençi nuk shtë paraqitur, pasi KLP nuk ka pasur gati materialet për vlerësimin e tij. Vendin e Prençit për intervistim nga KLP, e zuri Behar Dibra, i cili më herët nuk ishte paraqitur për shkak se kishte një seancë gjyqësore. Katër prokurorët e tjerë që janë intervistuar të mërkurën, janë Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Dorjana Benko dhe kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Shefja e akuzës në Prokurorinë e Tiranës, në një ndër pyetjet që i është bërë, ka qenë dhe ajo për arrestimin e ish-drejtorit të burgjeve Artur Zoto, që tashmë ka fituar pafajësinë, pas animimit në Apel. Imeraj ka deklaruar se për Zoton ka  zbatuar ligjin dhe do të vepronte njësoj edhe tani. Ndërkohë, prokurorja që kërkon të bëhet pjesë e 15-es të SPAK, është pyetur edhe mbi pritshmëritë e saj mbi këtë strukturë. Ajo mësohet të ketë thënë se rezultatet do të jenë më të mira, pasi do të ketë pas Byronë e Hetimit njëherazi dhe kushte më të mira për të punuar.

Duke nisur prej të hënës, janë pyetur disa nga kandidatët që kërkojnë të punojnë për Prokurorinë Speciale, që do të ketë në fokus hetimin e zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar. Ngritja e këtij organi hetimor është një nga pikat themelore të zbatimit të Reformës në Drejtësi, që praktikish, rrit mundësinë reale për ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

Ngritja e SPAK, Donika Prela para KLP, pyetet për dosjet e “nxehta”

Krijimi i Prokurorisë së Posaçme që do të hetojë korrupsionin në nivele të larata dhe krimin e organizuar në vend, ka nisur të marrë jetë. Pas intervistës së dhënë nga katër prokurorët e parë të hënën para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të martën ka qenë radha drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për të dhënë intervistën e saj përballë KLP-së dhe ndërkombëtarëve.

Report Tv, raporton se Prela është pyetur për karrierën e saj në organin e akuzës, dhe shqyrtimin e dosjeve të nxehta hetimore, si ajo ndaj Shullazit dhe  bandës së tij. Një tjetër pyetje drejtuar Donika Prelës, ka qenë ajo në lidhje me përgjimet e publikuar nga gazeta gjermane “Bild”. Për këtë çështje, Prela mësohet të ketë thënë se “çështja është nën hetim”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vrejtur më herët probleme me kalimin e Vettingut nga znj.Prela. Por, shefja e Krimeve të Rënda, ka dhënë sqarime edhe për këtë çështje, duke i qëndruar të njëjtave deklarata që ka dhënë edhe para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Më herët, është marrë në pyetje edhe nga KLP edhe Besim Hajdarmataj, pyetjet për të cilin kanë qenë pothuajse të njëjtat, ashtu si dhe për Donika Prelën.

KLP, intervista “sekrete” për SPAK. Ibrahimi: Fshehtësia, për të mbrojtur kandidatët

Përveç Gjykatës Kushtetuese që do të nisë të funksionojë brenda muajit korrik, duket se edhe SPAK është në rrugë të mbarë drejt ngritjes dhe fillimit nga puna.

Mëngjesin e së hënës Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar katër intervistat e para me kandidatët për SPAK-un. Në pyetje u morën Altin Dumani, që është drejtues në Prokurorinë  e Apelit të Krimeve të Rënda, Anton Martini prokuror te Krimet e Rënda,  Arben Kraja prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.

Ndërkohë, gjatë të martës dhe deri në datën 12 korrik janë parashikuar që të dalin para KLP-së të tjerë prokurorët që kandidojë për të qenë pjesë e SPAK.

Ajo që bie në sy është se intervistat me prokurorët, kandidatë për SPAK, zhvillohen në diskrecion të plotë dhe nën monitorimin e ndërkombëtarëve. Secili prej kandidatëve ka një orë në dispozicion. Intervistat me 22 kandidatët për SPAK-un nuk do të bëhen të njohura për publikun për faktin se gjatë marrjes në pyetje, ata do të pyeten dhe do të japin shpjegime për dosje të caktuara, me emra të pandehurish, apo ato që lidhen me persona te caktuar dhe numra dosjesh me objekt sekret hetimi.

Në fund të intervistimit të katër kandidatëve të parë, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, zbuloi arsyet pse ky proces u vendos të bëhej me dyer të mbyllura dhe jashtë syrit të kamerave.

“Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjëri kandidat mund të ankimojë vendimin tonë. KLP është e prirë të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Gjatë intervistave konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, tha Ibrahimi.

Prej kandidatëve të marrë në pyetje, vetëm prokurori Kraja ka kaluar me sukses procesin e Vettingut.

Lidhur me këtë, kreu i KLP është pyetur nëse ndonjëri nga kandidatët rrezikon të bëhet pjesë e SPAK, pasi mund të ngecë në Vetting. Ibrahimi nuk e përjashtoi rrezikun, duke thënë se KLP merret me profesionalizmin, ndërsa Vettingu me integritetin. Më tej, ai shtoi se i gjithë procesi është ndjekur edhe nga ndërkombëtarët.

“Rreziku ekziston, aftësia profesionale dhe integriteti shkojnë pranë-pranë. Ky proces synon profesionalizmin, ndërsa Vettingu integritetin. Kam besimin që të dy proceset do shpien drejt rezultateve të njëjta. Ndërkombëtarët janë pjesë e çdo etape të këtij procesi, kanë folur një për një, kanë punuar krah për krah. Ata nuk mund të japin pikë në fund, por ne nuk mund të fluturojmë përtej gjetjeve të procesit. Ne duam të marrim më të mirën e kandidatëve, meraku ynë ishte që po të bëhej publik procesi i intervistimit, kandidatët nuk do të ishin të lirë. Morëm një mendim për vështirësitë që kanë hasur ndaj proceseve gjyqësore. Ata dhanë arsyet dhe motivet për të konkurruar, si psh., që vlerësimi këtë radhë do të jetë maksimal. Edhe procesi i përzgjedhjes, kujtojmë si përzgjidheshin prokurorët e Krimeve të Rënda dikur, është si nata me ditën me tani. Besimi i tyre te procesi ishte një arsye kryesore për të konkurruar”, u shpreh kreu i KLP.

Intervistimi i 22 kandidatëve për SPAK përfundon më 12 korrik dhe kjo është etapa e fundit për ngritjen dhe funksionimin e SPAK.

Nga 22 kandidatë do të përzgjidhen 15 anëtarë për SPAK dhe sipas reformës në drejtësi SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë.

Pas takimit me Bashën, Soreca kërkon ngritjen sa më shpejt të SPAK

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca zhvilloi të martën një takim 60 minutësh me kreun e PD-së, Basha dhe fill pas këtij takimi publikoi në Twitter një mesazh, përmes të cilit thekson rëndësinë e ngritjes së më parë të strukturës së SPAK, që do të hetojë zyrtarët e lartë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Nuk dihet nëse të dy ngjarjet kanë lidhje me njëra tjetrën, pra takimi me Bashën dhe kërkesa për ngritjen e SPAK. Por ajo që është thënë prej kohësh është se ndërkombëtarët presin që Shqipëria të japë fakte konkrete për dënimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion.

“Kreu i KLP-së më dha informacionet më të fundit sot në lidhje me hapat finale që po ndërmerr Këshilli i Lartë i Prokurorisë për përzgjedhjen e kandidatëve për SPAK në konteksin e Reformës në Drejtësi. Është thelbësore që SPAK të jetë funksional sa më shpejt të jetë e mundur, për të rritur më tej aftësinë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shkruan Soreca në Tëitter, teksa njofton takimin me kreun e KLP-së, Gent Ibrahimi.

Gjatë të martës realstory njoftoi se 10 nga 15 prokurorët që nevojiten për krijimin e SPAK, tashmë kanë kaluar Vettingun dhe shumë shpejt kjo strukturë do të nisë shumë shpejt punën për të bërë konkrete  kërkesën e kahershme të ndërkombëtareve që është dënimi me burg i zyrtarëve të korruptuar. Madje sipas burimeve tona, flitet se ky është kusht për të hapur negociatat në tetor. Kusht që e ka përmenduar dhe vetë kryeministri duke sjellë si shembull rastin e Kroacisë, shtet i cili pasi dënoi me burg ish kryeministrin Sanader mori dritën jeshile për anëtarësimin në BE.

Skip to toolbar