Ngec në vetting kandidati për Kushtetuesen, kalon anëtarja e SPAK

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj, kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që është rikonfirmuar prokurorja Elida Kaçkini e përzgjedhur në listën e 15 anëtarëve për SPAK.

KPK vlerësoi se Mustafaj kishte probleme me pasurinë. Në deklaratën e tij të pasurisë u pa që kishte mospërputhje  në çmimin dhe sipërfaqjen e apartamenteve në pronësi.


Një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë, Mustafaj, në deklaratën e vettingut ka thënë se e ka blerë për 40 mijë euro, ndërsa në deklaratën e vitit 2007, s’deklarohet kjo pasuri. Për këtë arsye KPK vendosi ta shkarkojë por Mustafaj ka deklaruar se do ta ankimojë këtë vendim.

Në përfundim Mustafaj u shpreh se ka humbur vendi, Gjykata Kushtetuese pasi sipas tij s’do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm. Ai tha se ka mbështetur vettingun dhe reformën në drejtësi, por deklaroi se kundërshton shkarkimin duke paralajmëruar ankimim.

“Me vendimin e sotëm të Komisionit nuk ka humbur Ilir Mustafaj si individ, pasi Mustafaj do e ankimojë në instanca më të larta të cilat do i japin të drejtë. Sot ka humbur vendi. Ka humbur Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të ketë në përbërje një profesor të së drejtës”,- u shpreh Mustafaj menjëherë pas dhënies së vendimit nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj.

KPK gjithashtu ka shkarkuar nga detyra kreun e prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli për mos justifikim të pasurisë.

Nga ana tjetër Komisioni i Vettingut ka rikonfirmuar në detyrë prokuroren Elida Kaçkinaj e cila është përzgjedhur edhe nga KLP si anëtare e SPAK.




Skip to toolbar