Moti është tërbuar keq mbrëmjen e së mërkurës
duke sjellë dimër në mes të verës në shumë qytete të vendit nga Veriu në Jug.
Stuhi, breshër dhe era e fortë kanë shkulur pemët dhe kanë shkaktuar dëme të
shumta materiale. Ndërsa në zonat bregdetare pushuesit e trembur janë larguar
nga plazhi.
Stuhia e fortë ka prekur qytetin e Sarandës. Për
shkak të erës është ndërprerë energjia elektrike në disa zona, ndërsa janë shkatërruar
pemët nëpër rrugë.
Në Velipojë ka pasur reshje të forta shiu duke
shkaktuar përmbytjen e rrugëve dytësore, ndërkohë që era ka shkulur pemët, duke
krijuar një situatë të rëndë tek banorët e zonës. Fatmirësisht nuk raportohet
për persona të lënduar, por deri tani janë shënuar vetëm dëme materiale.
Edhe në Shëngjin gjatë natës të mërkurën janë
rrëzuar disa pemë, ndërsa janë dëmtuar
edhe disa makina, të cilat ishin parkuar pranë zonës ku kanë rënë pemët
gjigande.
Moti i keq në qarkun e Gjirokastrës ka shkaktuar
probleme në qarkullimin e automjeteve. Një pemë është shkulur si pasojë e erës
së stuhishme dhe shirave të rrëmbyeshëm pranë Doganës së Kakavijës duke sjellë
edhe bllokimin e qarkullimit drejt Greqisë.
Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e
para të mëngjesit, duke bërë të mundur hapjen e rrugës për automjetet.
Erë e fortë dhe breshër ka rënë në edhe në
plazhin e Spillesë, në Lezhë dhe në zonën e Peqinit dhe Elbasanit duke
shkaktuar dëme të shumta në bujqësi.
Në Vlorë raportohet se rruga e portit është
përmbytur nga reshjet që ranë me intensitet të lart. Nga erërat e forta janë
thyer edhe xhamat e disa banesave.
Disa qytete si Shkodra, Velipoja, Divjaka, Lezha
etj. kanë pasur ndërprerje të energjisë
elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit nga thyerja e pemëve
nga era e fortë.
Probleme ka pasur edhe në Berat, ku mjaftuan vetëm pak minuta reshje të dendura duke sjellë vërshimin e ujit dhe bllokimin e rrugëve kryesore të qytetit. Për disa minuta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë, por është rikthyer.