Skënderbeu nis përgatitjet në Durrës, dilema për të ardhmen

Skënderbeu ndodhet në udhëkryq. Skuadra korçare ditët e fundit është vënë në fokusin e shumë aludimeve, të cilat e lidhin ekipin me një zbritje të mundshme nga Kategoria Superiore për sezonin tjetër.

Megjithatë, Ardian Takaj zhvilloi një mbledhje pak ditë më parë me tifozët korçar, duke u deklaruar besnikëri dhe se do të vijojë investimet, në mënyrë që Korça të mos mbetet pa futboll.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe këtë të hënë, pasi presidenti i klubit ‘bardhekuq’ ka qenë i pranishëm në seancën e parë stërvitore që ekipi i Skënderbeut zhvilloi në Durrës. Të hënën  paradite skuadra ka nisur grumbullimin nën drejtimin e dy trajnerëve, Gentian Liçi dhe Ilir Bozhiqi.

Të pranishëm në seancën e parë stërvitore kanë qenë të gjithë lojtarët të cilët kanë pasur kontratë që nga sezoni i kaluar. Me ekipin janë bashkuar dhe 5 lojtarët e përfituar nga ekipi Under19, Aldo Qoshku, Jorgo Qeleshi, Eqerem Liqeri, Flavio Demollari dhe Kosta Vangjeli.

Nuk dihet ende se cili do të jetë trajneri kryesor i ekipit për sezonin e ri. Gjithsesi, deri në mesin e kësaj jave pritet të zgjidhet çdo dilemë në lidhje me të ardhmen e Skënderbeut, nëse do të jetë në Superligë apo do të zbresë një kategori më poshtë.

Zhgënjim në Europë, Kukësi largon Ernest Gjokën

Pas dështimit në turin e parë të Europa League, Kukësi ka vendosur të shkarkojë trajnerin Ernest Gjoka. Me një deklaratë publike, skuadra verilindore shkruan se “trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të skuadrës së Kukësit. Vendimi është marrë pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve kualifikuese të Europa League. Klubi ynë trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetjen e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës së skuadrës nënkampione të Shqipërisë”.

“Kukësi falenderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit. Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të ketë fitimin e titullit Kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës”, shkruhet në komunikatën e ekipit Verilindor.

Megjithatë, pas publikimit të këtij lajmi, mësohet se trajneri që pritet të marrë drejtimin, është emri i Ilir Dajës. Mësohet, se ish-trajneri i disa ekipeve në Superligë, sezonin e fundit me Flamurtarin, ka pasur një takim me presidentin e Kukësit Safet Gjici, por klubi ende nuk ka konfirmuar asgjë. Kukësi u eliminua nga Debrecen, pasi humbi në ndeshjen e parë dhe barazoi në kthim, në turin e parë të Europa League.

Ndryshon kampionati, rritet konkurrenca në Superligë

Për herë të parë struktura e Superligës shqiptare të futbollit, ka pësuar një ndryshim për skuadrat që zbresin dhe ngjiten në këtë kategori. Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, është vendosur që sezonin e ardhshëm, deri në sezonin 2022-2023, ekipet që do të luftojnë për mbijetesën në elitën e futbollit tonë, do të jenë tre. Ndryshe nga deri tani, kur luftonin për të mbijetuar në Superligë dy skuadar, apo thënë më qartë, në fund të sezonit zbrisnin dy skuadrat që renditeshin praktikisht në vendin e fundit dhe të parafundit të kampionatit, sezonin e ri, do të jetë në luftë për mbijetesë edhe skuadra që renditet në vendin e tetë të kampionatit.

“Nga sezoni 2019-2020 nga Kategoria Superiore do të zbresin direkt dy skuadra (vendi i 9 e 10) dhe vendi 8-të do të luajë një play-out me fituesen e play-offit të Kategorisë së Parë. Play-offi i Kategorisë së Parë është produkt i vëndeve të dyta të Grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen që do të luajë me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e skuadrës që është renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së, ndërkohë që këtë sezon, Superliga do të nis zyrtarisht më 24 gusht dhe do të mbyllet më 23 maj.

Edhe Kategoria e Parë do të pësojë disa ndryshime. Sezonin e ardhshëm nuk do të ketë më pëgjysmim pikësh në fazën e tretë të kampionatit, ndërsa shtohet një ndeshje play-off, midis dy ekipeve që renditen në vend të dytë në dy grupet përkatëse të kësaj kategorie, me fituesin që  do të luajë ndeshjen e play-out me vendin e tetë të Superligës. Kategoria e Parë do të fillojë më datë 14 Shtator dhe do të përfundojë në datë 16 Maj. E njëjta skemë do të përdoret edhe për skuadrat që do të luftojnë për mbijetesë, me dy ekipet që renditen te fundit do të zbresin direkt në Kategorinë e Dytë, ndërsa vendet e teta në grupet përkatëse, do të luajnë ndeshje play-out me vendet e dyta në dy grupet e Kategorisë së Dytë. Deri në vitin 2023, Kategoria e Parë do të jetë me 14 ekipe, nga 20 që është aktualisht. Disa ndryshime, lidhur me numrin e ekipeve pjesëmarrëse, ka pësuar edhe Kategoria e Dytë, ndërkohë që si datë fillimi të kampionatit për këtë sezon, është përcaktuar data 21 shtator.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF miratoi krijimin e Kampionatit Kombëtar U-15, në të cilin do të marrin pjesë 20 skuadra të cilat do të jenë të ndara në dy grupe nga 10 skuadra. Ky kampionat do të zhvillojë ndeshjet në tre faza me systemin vajtje-ardhje. Në këtë mbledhje të rradhës së KE nuk u miratua propozimi nga Liga për rritjen e numrit të të hujave nga 4 në 5. Komitetit Ekzekutiv miratoi kërkesën e klubeve dhe shoqatave sportive për zerimin e tarifave për zyrtaret e ndeshjeve në të gjitha kampionatet Rajonale dhe Kombëtare. FSHF merr përsipër mbulimin e shpenzimeve për arbitrat dhe delegatët, shpenzime të cilat deri më tani paguheshin nga klubet dhe shoqatat që merrnin pjesë në këto kampionate. Superkupa e Shqipërisë do të zhvillohet më datë 18 Gusht 2019.

Përballja me Partizanin, Gjoka: Duhet sforcim i madh për të fituar

Kukësi mbetet ende në vorbullën e rrezikut për të mos mbajtur dot vendin e dytë në renditje në Superligë, pasi ndodhet vetëm një pikë para Teutës së vendit të tretë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka do të përballet nesër me Partizanin në një ndeshje e cila mbetet delikate për ekipin verilindor. Ernest Gjoka ka folur gjatë ditës së sotme në konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se nesër do të duhet sforcim i madh për të mposhtur Partizanin.

“Ndeshje shumë e fortë, ndaj kampionëve të rinj të cilët i respektojmë. Vendi i dytë nuk është i sigurt tashmë, ndaj ndeshja e nesërme merr kuptim tjetër dhe do duhet sforcim i madh”.  “Shameti do të mungojë, Maliqi po ashtu. Rroca do mungojë për dëmtim, Shkurtaj jemi munduar ta përgatitim dhe të shohim, Valdet Rama është kthyer”.

Gjatë konferencës për shtyp, Ernest Gjoka ka folur edhe për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, duke e komentuar kështu: “Nuk dua sukses mbi fatkeqësinë e tjetrit. Me vjen keq për Tiranën, por më duhet te mendoj vetëm për Kukësin. Tirana mund të presë një dhuratë nga Kukësi në fund? Ne duam së pari të fitojmë neser, nuk e mendojmë ndeshjen kundër Kastriotit. Ka kohë deri atëherë”.

🎙️💬 #KFPARTIZANIFKKUKESI ERNEST GJOKA: "Ndeshja e nesërme, do të jetë një përballje shumë e fortë.Luajmë përballë skuadrës, e cila ka siguruar titullin Kampion, por nuk duhet të harrojmë që rrezikohet vendi i dytë në tabelën e klasifikimit, pas dy ndeshjeve të fundit me rezultate negative të skuadrës sonë.Kjo situatë do t'i japë më shumë rëndësi objektivit tonë, i cili është: Sigurimi i vendit të dytë në Superligë."

Gepostet von F.K Kukësi Albania am Samstag, 25. Mai 2019

Gazetarët e kanë pyetur trajnerin e Kukësit edhe për largimin e ndihmësit të tij, Rraman Hallaçi, duke sqaruar atë që ka ndodhur mes tij dhe klubit.  “E dinë të gjithë kush është Hallaçi, karriera e tij flet vetë. Unë mendoj se për të do ishte mirë të punonte me ekipet e moshave dhe e ka nisur që tani punën. Për 3-4 vite mendoj se do jetë gati për të drejtuar ekipe të para. Presidenti i rekomandoi një kontratë 2-vjeçare me Kukësin B. Hallaçi ka refuzuar dhe aty ka pasur një mosmarrëveshje që ka çuar në largimin e tij. Ky është informacioni që kam, nuk di më shumë“. 

Në fund ai ka folur edhe për kupat e europës dhe merkaton. “Më 11 korrik luhet ndeshja e parë, faza përgatitore do nisë me 15 qershor dhe në 25 qershor ekipi do shkojë në Ohër. Sigurisht që kam biseduar me presidentin dhe drejtorin Nexhipi. Na duhen përforcime në mbrojtje, ku kemi pasur shumë probleme me dëmtimet. Në repartet e tjera do ruhet boshti. Nuk dua që të ndryshoj shumë lojtarë, por natyrisht jo gjithçka varet nga trajneri. Ka edhe lojtarë që duan të largohen vetë ndonjëherë, por synimi im është të bëjmë sa më pak ndryshime”.

Largimi i Gjokës, Kukësi: Janë lajme të pavërteta, duan të na shpërqëndrojnë

Kukësi ndodhet në një moment delikat të sezonit, teksa skuadra verilindore ende nuk e ka siguruar vendin e dytë në renditje dhe si rrjedhojë pjesëmarrjen në kupate e europës sezonin e ardhshëm. Ndëkohë, një tjetër objektiv që mbetet për tu realizuar është fitorja e Kupës së Shqipërisë në finale në Tiranë, trofe që do të zbuste disi tensionin sezonal në skuadrën verilindore.

Megjithatë, ende pa u mbyllur kampionati dhe pa u luajtur finalja e Kupës së Shqipërisë, mediat kanë shkruar se skuadra verilindore do të ndryshojë trajner. Ky lajm ka trazuar disi qetësinë në shtëpinë e “Bluve”, të cilët kanë reaguar zyrtarisht duke përgënjeshtruar gjithçka.

Njoftim i Klubit!FK Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në bankinë do jetë një nga…

Gepostet von F.K Kukësi Albania am Donnerstag, 23. Mai 2019

Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në bankinë do jetë një nga trajnerët aktualë që drejton për momentin një tjetër ekip të Superligës. Presidenti dhe klubi i kanë dhënë dhe po i japin mbështeje maksimale ekipit dhe trajnerit Ernest Gjoka, për të kapur dy objektivat, që janë: Vendi i dytë në Superligë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Kukësit.

Më tej, klubi shprehet se deklarata të tilla kanë si synim shpërqëndrimin e ekipit, duke konfirmuar se pas sezonit, vëmendja do të përqëndrohet te faza përgatitore me qëllim paraqitje dinjitoze në kupat europiane.

“E gjithë vëmendja është përqëndruar te këto dy sfida dhe aspak në ndryshimin e stafit. Lajme të tilla, perveçse të pavërteta, synojnë të sjellin shpërqëndrim te ekipi, por përvoja e lojtarëve dhe stafit bëjnë që përgjegjësia të jetë tepër e madhe. Ekipi është përqëndruar maksimalisht te stërvitja dhe objektivat, dhe me pas te faza përgatitore dhe përfaqësimi dinjitoz në Europë, duke ruajtur bazën e ekipit dhe stafin”, përfundon deklarata e Kukësit.

Mund Vllazninë në finale, Bylis kampion i Kategorisë së Parë

Pas një sezoni të shkëlqyer në Grupin B të Kategorisë së Parë, duke arritur të sigurojë rikthimin në Superligë për sezonin e ardhshëm, skuadra e Bylis ka fituar finalen e madhe ndaj Vllaznisë, duke u shpallur kampione e Kategorisë së Parë.

Ndeshja e luajtur gjatë ditës së sotme në Durrës ka përfunduar 3-1 për mallakastriotët, të cilët kanë dhënë sinjale të forta se rikthimi në Superligë nuk do të jetë thjesht për shëtitje.

Ndeshja finale e Kategorisë së Parë u luajt në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Ishte skuadra e Vllaznisë ajo që kaloi e para në avantazh me Ignat në minutën e 17` të sfidës.

Ky rezultat u ruajt nga veriorët deri në fund të pjesës së parë. Pas pushimit ishte skuadra ballshiote që mori frenat e lojës në dorë.

Golin e barazimit Bylis e ka shënuar në minutën e 48` nga Antoni, dhe më pas Bajramaj e Ujka në minutat 61` dhe 83` përkatësisht, i dhanë fitoren e kampionit ekipit të tyre.

Medaljet dhe trofeun fituesve ia ka dorëzuar zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri sëbashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Enkelejd Alibeaj.

Protesta e opozitës më 25 maj, shtyhen ndeshjet e Superligës!

Federata Shqiptare e Futbollit, me një njoftim të publikuar orët e vona në rrjetet sociale, njofton se ka ndryshuar axhendën e ndeshjeve të Kategorisë Superiore. Sipas njoftimit të FSHF-së, java e 35-të e Superligës do të shtyhet me një ditë, pra nga e shtuna që ishte parashikuar të luheshin katër ndeshje, ato do të luhen të dielën.

Ndonëse nuk jep arsye pse ka ndodhur ky spostim i kalendarit të ndeshjeve, kuptohet që FSHF-ja ka zgjedhur të shkangë zhvillimin e kampionatit në ditën që do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës. Sakaq, të enjten e javës së ardhshme do të luhet dhe java e 36-të dhe e fundit e kampionatit për këtë sezon.

“Ndryshon kalendari Kategorisë Superiore. Java e 35-të e Superiores e planifikuar për tu zhvilluar e gjitha ditën e shtunë, do të zhvillohet ditën e dielë, datë 26 Maj. Në të njëjtën kohë është spostuar për një ditë dhe java e 36-të, e cila do të luhet ditën e enjte, datë 30 Maj”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.

Finalja e Kategorisë së Parë, Bylis-Vllaznia luhet në Durrës!

Vllaznia dhe Bylis janë dy ekipet që ngjiten në Kategorinë Superiore, pasi fituan grupet përkatëse në Kategorinë e Parë. Të dyja ekipet kanë bërë një sezon të jashtëzakonshëm duke dhuruar spektakël dhe emocione në të parën.

Megjithatë, ende nuk është mbyllur gjithçka. Të dyja skuadrat do të luajnë dhe një ndeshje mes tyre, për trofeun e Kategorisë së Parë. Sipas një postimi të publikuar në faqen zyrtare të klubit mallakastriot, finalja do të luhet të enjten në “Niko Dovana” në Durrës.

Bylis u bën thirrje tifozëve të saj t’a mbështesin ekipin në ndeshjen finale ndaj Vallaznisë, për të rrëmbyer dhe trofeun e Kategorisë së Parë. Kupa shoqërohet dhe me një shpërblim financiar për klubin fitues, që jepet nga FSHF-ja dhe ka vlerën e 30 milionë lekëve.

Skënder Gega: Tani do provoj lojtarët me pak minuta!

Partizani është mundur nga Teuta këtë të shtunë në ndeshjen e javës së 34-ër të kampionatit. Mirëpo kjo gjë nuk e ka shqetësuar shumë trajnerin Skënder Gega, i cili pas ndeshjes ka folur për mikrofonin e “Supersport”, ku ka deklaruar se në këtë takim aktivizoi lojtarët në moshë të re. Fillimisht, Gega ka shprehur falenderimin për përshëndetjen që i bënë rivalët e Teutës për fitoren e kampionatit.

Për herë të parë një skuadër kampione përshëndetet nga kundërshtarët…

Gega: Surprizë e bukur, i falënderoj çunat e Teutës. Është risi në Shqipëri, dhe ndihem mirë dhe i respektuar.

Lojtarët pa minuta…

Gega: Kemi punuar që grupi që luajti pjesën e parë, t’i jepej mundësia e duhur. Aktivizuam edhe lojtarë me moshë të re. Jam i kënaqur me pjesën e parë. Patëm raste për të kaluar në avantazh. U goditëm te një vend ku ishte dikush me moshë të re. Ishte një ndeshje pa presion për të marrë maksimumin. Kjo nuk është për nënvlerësim të kampionatit, por qëllim kishim t’i jepnim minuta lojtarëve që s’kanë luajtur, edhe pa dalë nga formati ynë.

Partizani i ardhshëm…

Gega: Kjo është arsyeja, që këto ndeshje të jemi të kujdesshëm, kur të bëhet grupi final për në Champions dhe për të ardhmen. Nuk kemi krijuar presion te ta, për t’i ngarkuar me përgjegjësinë e rezultatit. Çdo ditë në stërvitje do jemi të saktë në përzgjedhje të largimeve, dhe afrimeve. Do doja që të respektoja sa më shumë këtë grup, por na del punë për të ardhmen.

Juvja dhe PSG janë kryqëzuar sepse nuk kanë respektuar garën, pasi janë shpallur kampion. Mund të kritikoheni ju sot?

Gega: Është e drejta e çdokujt për të më kritikuar, por unë jam i pari i kësaj shtëpie. Jam munduar t’i trajtoj të gjithë njësoj. Është pyetur pothuajse çdo javë, për lojtarë që nuk kanë marrë minuta. Por, unë tani do i provoj. Ne luajtëm kundër Teutës, deri pak më parë ka qenë pretendent. Është folur edhe si kandidate për titullin. Në Durrës këtu, kemi bërë një ndeshje jo brilante, por janë situata të ndryshme. Ne i vlerësojmë, por arsyeja pse luajti ky grup sot, është disniveli. Prandaj edhe nuk kanë pasur hapësira më parë.

Teuta mund kampionët, rikthehet Skënderbeu, Flamurtari mposht Laçin!

Janë luajtur takimet e radhës të Kategorisë Superiore, ku ka pasur disa rezuktate surprizë. Flamurtari priti në shtëpi Laçin, në një ndeshje deçizive për luftën për një vend në kupat e Europës.

Në fund fitimtar kanë dalë të besuarit e Ilir Dajës, të cilët arritën një fitore minimale me gol të Idi Bathës, shënuar në minutën e 26′-të. Me këtë fitore Flamurtari mban vendin e katërt në kampionat, me tre pikë më pak se Teuta e vendit të tretë.

Skënderbeu është rikthyer te fitorja duke mundur në transfertë ndaj Kukësit. Ekipi i Orges Shehit ka bërë një ndeshje të madhe duke shënuar tre herë ndaj ekipit të Ernest Gjokës. Muzaka hapi serinë e golave duke shënuar nga penalltia në minutën e dytë, ndërsa Dejvi Bregu ka dyfishuar në minutën e 26′.

Marko Pervan vulosi shifrat në 3-0 për skuadrën e tij në minutën e 90-të. Pas fitores së sotme, Skënderbeun shkon në kuotën e 49 pikëve, ndërsa Kukësi mban vendin e dytë me 55, një më shumë se Teuta e vendit të tretë.

Gerhard Progni dhe Sherif Kallaku (33′ dhe 52′) i kanë dhënë fitoren 2-0 Teutës ndaj Partizanit. Ekipi kampion i drejtuar nga Skënder Gega ka lënë pushim disa nga titullarët, duke aktivizuar lojtarët që kanë marrë pak minuta gjatë sezonit.

E gjithë kjo situatë është shfrytëzuar nga durrsakët të cilët kanë marrë tre pikë të arta në luftën për të arritur një vend në Europa League.

Skip to toolbar