Mini-Shengeni, sot takimi Rama, Vuçiç e Zaev në Tiranë

Pasditen e kësaj të premteje nis takimi i Liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky do të jetë takimi i tretë rajonal ku do të diskutohet për krijimin e mini-Shengenit Ballkanik. Në takim pritet të jenë të pranishëm Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ftesë kishte dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, por të enjten në një deklaratë ai njoftoi se refuzonte pjesëmarrjen.

 “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, tha Thaçi në deklaratën e tij.

Takimi i Tiranës vjen pas atij të Novi Sadit në Serbi dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Të tre liderët kanë rënë paraimisht dakord për krijimin e një zone ekonomike që lehtëson lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve duke hequr disa barriera kufitare. Iniciativa e Ramës, Vuçiç dhe Zaev është përshëndetur nga Bashkimi Europian.

Reforma Zgjedhore, katër ambasadorë trokasin në zyrën e Bashës

Katër ambasadorët, e ngarkuara me punë e SHBA-së, Leyla Moses-Ones, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ambasadori i Britanisë, Duncan Norman dhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf zhvilluan një takim rreth 90 minuta në zyrën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë blu.

Pas takimit nuk pati prononcime për mediat, por mendohet se temë e diskutimeve mes Bashës dhe ambasadorëve të ishte reforma zgjedhore, situata politike dhe ngjarjet aktuale në vend.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, opozita e bashkuar zhvilloi një ditë më parë një mbledhje me grupin e saj të punës për këtë reformë për të diskutuar në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik të votave. Pas mbledhjes Bylykbashi këmbënguli që mazhoranca duhet të shqyrtojë planin e paraqitur nga opozita me 5 pika për të ecur para me reformën zgjedhore. Ai tha gjithashtu se opozita e bashkuar ka propozime konkrete që do të shmangnin fenomenin e shit-blerjes së votës.

Aleatët: dum prap protesta

Në selinë blu të Partisë Demokratike, kreu i saj Luzlim Basha ka zhvilluar një takim me aleatët. Takimi vjen një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilën opozita refuzoi të merrte pjesë. Basha ka zhvilluar takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili, kreu i PAA, Agron Duka dhe Kreu i PR, Fatmir Mediu dhe anëtaren e Kryesisë së PDIU, Mesila Doda. Takimi mendohet se vjen për të diskutuar në lidhje me aksionin dhe qëndrimin që do të mbajë opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

E para që doli nga takimi ishte Kryemadhi, e cila nuk tha asgjë në lidhje me skenarin e opozitës se çfarë do të ndodhë më tej, por shtoi se çdo gjë do të ndodhë hap pas hapi. “Të gjitha do të vijnë hap pas hapi, e rëndësishme është që 85% e shqiptarëve i thanë jo Edi Ramës. Çdo gjë ka rënë, çdo gjë është ilegjitime”.

Pas saj doli Mesila Doda e cila tha se zgjedhjet e 30 qershorin vërtetuan atë që opozita kishte thënë prej kohësh. Ndërsa e pyetur nga gazetarët nëse opozita do të dal sërish në protesta, Doda tha se protestat nuk kanë ndaluar kurrë. “Zgjedhjet e kësaj radhe vërtetuan qëndrimin tonë prej kohësh. Do nisni protestat? Besoj se kjo është një nga vendimet që do të merret në vijim, por protestat nuk janë ndalur kurrë.”

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha para mediat se raporti paraprak  i OSBE/ODIHR tregoi  se në zgjedhjet e së dielës asnjë nga kushtet nuk është plotësuar. “ Raporti i OSBE tregon se nuk është plotësuar asnjë kusht. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur . Shqiptarët refuzuan qeverisjen e korruptuar dhe zgjedhjet farsë. ” – tha Mediu

Lidhur me kontradiktat e shifrave që ka dhënë KQZ-ja, Mediu u shpreh se çdo gjë që i shërben procesit dhe bën transparencë. “Nuk më ka shkuar mendja tek hapja e kutive. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur dhe mendoj se kjo është detyra e opozitës dhe forcave të opozitës për të parë realisht se çfarë ka ndodhur në mënyrë që ne të garantojmë elementë për zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Mediu.

Pas përfundimit të votimeve, ditën e diel, Basha doli në një konferencë për shtyp duke e cilësuar atë si fitore të demokracisë pasi “85 % e qytetarëve i bojkotuan zgjedhjet farsë dhe monopartiake të Kryeministrit Rama.”  Vetëm 2 minuta pasi Basha mbaroi fjalën e tij për mediat të dielën në mbrëmje, Kryeministri Rama i bëri ftesë duke i shtrirë dorën për arritjen e një marrëveshje pa kushte, për të ardhmen e vendit. Të gjithë tashmë janë në pritje të qëndrimit të kryedemokratit Basha.

“Puthu me Milon”. Aleati i Ramës pro shtyrjes së zgjedhjeve.

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo , aleat i Partisë Socialiste në zgjedhje, është takuar me presidenti Meta të mërkurën mbi diskutimin e një datë të re për zgjedhjet lokale. PDS është në aleat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit, e cila kundërshton me forcë aktin e Metës për shfuqëzimin e tyre. Milo ka thënë se nuk është në kundërshtim me shtyrjen e zgjedhjeve, rëndësi kanë standardet mbi të cilat do të mbahen.

S’ka rëndësi se kur bëhen zgjedhje, rëndësi ka që të bëhen sipas standardeve të plotësojnë kriteret demokratike, të jenë të lira dhe në mënyrë të veçantë të jenë gjithëpërfshirëse.” tha Milo për mediat, ndërsa shprehu gatishmërinë e tij për t’u takuar me çdo parti politike në mënyrë që të gjendet zgjidhja e krizës. ” Ne do vijojmë të takohemi jo vetëm me presidentin. Shprehim gatishmërinë tonë për t’u takuar me të gjitha subjektet politike për ta trajtuar me përgjegjshmëri krizën politike në të cilën ndodhet Shqipëria që të gjejmë zgjidhjen më të përshtatshme më të domosdoshme. Në këto momente të vështira duhet të dëshmojmë urtësi dhe klasës politike përgjegjshmëri që interesi kombëtar të mbizotërojë mbi interesat politike.”

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

PDS është pjesë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, por kjo thotë Milo nuk e pengon të jetë i lirë të shpreh pikëpamjet e tij. “Subjekti politik që përfaqësoj vendos interesin kombëtar. Duam stabilitet dhe që Shqipëria të shmangë përplasjet politike dhe sociale.” /realstory.al

Aleatët e Bashës trokasin në zyrën e Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim krerët e partive aleate të PD-së, si Fatmir Mediun, Nard Ndokën, Agron Dukën e Vangjel Dulen. Ka qenë vetë kryeministri i Kosovës ai që ka bërë të ditur këtë takim duke postuar foto në facebook dhe një mesazh se “është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike”.

Postimi i plotë:

“Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i frytshëm dhe në këtë aspekt, dialogu midis tyre vazhdon të jetë i hapur.

Në kontekst të këtij dialogu, prita sot në takim Kryetarët e partive opozitare Fatmir Mediun, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule me të cilët u dakorduam se bashkërendimi i qëndrimeve është në interes të dy shteteve dhe qytetarëve tanë.

Është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike.”, shkruan Haradinaj.

Nuk dihet ende pse krerët e partive të vogla në kulmin e krizës politikë në Shqipëri, kanë shkuar në Kosovë për t’u takuar me Haradinajn. Po kështu kujtojmë se ditët e fundit Haradinaj ka pasur përplasje me kryeministrin Rama për shkak të qëndrimit të Samitin e Berlinit për çështjen e taksës së Kosovës për mallrat serbe.

Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Dimanche 5 mai 2019

Kriza politike, Basha troket në zyrën e Kryemadhit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur mëngjesin e sotëm në zyrën e Monika Kryemadhit në selinë e LSI-së, ku po zhvillojnë një takim.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi partitë e vogla aleate të PD-së zhvilluan një takim me presidentin e Republikës të cilit i parashtruan një listë me 12 kërkesa që vendi të dalë nga kriza politike. Por në këtë takim mungonte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Nuk dihet se çfarë janë duke biseduar dy krerët e Koalicionit Opozitar në këto momente, por sigurisht që kriza politike dhe hapat që do të ndjekë më tej koalicioni, mendohet se janë temat kryesore.

Deri tani PD dhe LSI kanë pasur një qëndrim të përbashkët dhe çdo vendim e kanë marrë në unison në lidhje me djegien e mandateve apo me zhvillimin e protestave në mbarë vendin, që përfshijnë edhe bllokim të akseve të ndryshme rrugore.

Meta pas takimit: Largimi opozitës rrezikon pluralizmin politikë

Pas takimit me krerët e partive të vogla opozitare është zbardhur edhe qëndrimi i presidentit Meta.

Gjatë fjalës së tij Meta ka thënë se dialogu është mjaft i rëndësishëm dhe se gjithmonë ka kërkuar që ai të zhvillohej për të parandaluar përshkallëzimin e krizës politike në vend. Meta e cilësoi rrezik të vetë pluralizmit politikë në vend, mosregjistrimit në zgjedhje të partive opozitare.

Ai bëri thirrje për dialog në vend në mënyrë që të vijohet me bashkëjetesën demokratike në Shqipëri.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot me kërkesë të tyre kryetarët e partive politike të Grupimit të Qendrës së Djathtë, kryetarin e Partisë Republikane, z.Fatmir Mediu, kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, z.Agron Duka, kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, z.Vangjel Dule, kryetarin e Partisë Demokristiane, z.Nard Ndoka dhe dëgjoi me vëmendje çështjet e ngritura gjatë takimit.

Presidenti Meta shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi.

Kreu i Shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.

Presidenti Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës. Nëse kjo do të kishte ndodhur, kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa.

Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

Presidenti Meta thekson se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.

Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.

Kreu i Shtetit do të vazhdojë kontributin e Tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin europian.

Përfundon takimi në Presidencë, aleatët: Meta pranoi kërkesat tona

Ka zgjatur 1 orë takimi mes krerëve të partive aleate të PD-së dhe presidentit të Republikës, Ilir Meta. Takimi u zhvillua në presidencë, por në të nuk mori pjesë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Pas takimit në emër të aleatëve ka folur kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ai tha se presidenti ka pranuar kërkesën për të organizuar një tryezë dialogu mes pozitës dhe opozitës për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në vend.

 “Në emër të të gjithë kolegëve dua të falënderoj presidentin për një diskutim të hapur në raport me kërkesën tonë. Ndajmë të njëjtin shqetësim që situata është problematike dhe duhet të pengojmë mos të shkojmë në një konflikt.

Presidenti ka marrë iniciativa dhe do të vazhdojë në këtë rrugë që të garantojë që zgjedhjet të jenë pluraliste dhe sa më përfshirëse.

Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona. Në vlerësim të kërkesës tonë do të marrë qëndrimet e veta në diskutim edhe me palët e tjera. Presidenti është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë, por ka edhe angazhimin që palët të gjejnë zgjidhje për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit”, tha kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu.

Aleatët e PD-së kanë hartuar një plafortë me 12 pika që sipas tyre, i jep zgjidhje krizës në vend, ku kryesore është ngritja e një qeverie transitore, dorëheqja e Ramës, ndryshime kushtetuese përsa i përket sistemit zgjedhor, etj.

Përfundon takimi me Bashën, aleatët: Nuk ka zgjedhje me Ramën

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka takuar aleatët e tij, një ditë para takimit të tyre me presidentin Meta. Takimi zgjati për rreth 1 orë, ndërkohë që kreu i PR, Fatmir Mediu tha për mediat se vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim “zgjedhje të lira pa Ramën në krye, por me qeveri tranzitore”.

“Kryeministri për ne është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes. Për këtë arsye ne nuk pranojmë Edi Ramën kryeministër që të jetë zgjidhja për zgjedhje të lira dhe të ndershme.” – tha Mediu

Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se “zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë, ndërsa arroganca, prepotenca e zotit Rama nuk i shërben këtij objektivi.”

Rama-Merkel në Berlin, Cakaj: Konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel në Samitin e Berlinit.

Në takim Rama është shoqëruar nga delegacioni i tij që përbëhej nga Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj dhe Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Siropali.

Pas përfundimit të takimit nuk ka pas asnjë deklaratë për shtyp apo reagim nga Rama. Ndërsa ministri Cakaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku cilësoi se gjatë takimit Gjermania mbështeti fort hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe vlerëson arritjen e saj në 5 prioritetet kryesore.

“Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoi edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në reformën në drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania. Shqipëria do të vazhdoj të luaj rolin e saj të pazëvendësueshëm në stabilitetin rajonal dhe afirmimin e vlerave evropiane në Ballkanin Perëndimor! Shumë mirënjohës për përkushtimin e Kancelares Merkel ndaj Shqipërisë.” – shkruan Cakaj

Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoi edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave…

Publiée par Gent Cakaj sur Lundi 29 avril 2019
Skip to toolbar