Blinin karburant me para false, pranga

Policia e Tiranës arrestoi dy të rinj të moshës 19 vjeç, pasi dyshohet se përdornin kartëmonedha të falsifikuara. “Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Euro 2020”, arrestoi në flagrancë shtetasit: U. M., 19 vjeç, banues në Tiranë;  N. P., 19 vjeç, banues në Tiranë;

Këta dy shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe në vende të ndryshme të kryeqytetit, kanë përdorur kartëmonedha false në disa pika karburanti dhe kioska.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy aparate celular dhe kartëmonedha të falsifikuara.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në një njoftim të Policisë së Tiranës.

Eurostat: Shqipëria me normën më të ulët të të rinjve me shkollë të lartë

Një nga objektivat e Bashkimit Europian, ku dhe Shqipëria kërkon që të anëtarësohet, është që të rritet përqindja e personave me arsim të lartë. Objektivi i tyre është që deri në 2020, 40% e personave të moshës 30-34 vjeç të kenë përfunduar arsimin e lartë. Të dhënat statistikore që ka nxjerrë Eurostat mbi përqindjen e kësaj grupmoshe që kanë përfunduar arsimin e lartë tregojnë se Shqipëri qëndron shumë larg objektivit, duke u renditur edhe e fundit ndër vendet që kërkojnë të jenë pjesë e BE-së.

Sipas Eurostat më pak se 23.5% e kësaj grupmoshe në Shqipëri kanë përfunduar arsimin e lartë, e ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina me 23.8, dhe Turqia diçka më shumë se 25%. Në Bashkimin Europian norma e individëve të moshës 30-34 vjeç që kishin përmbushur ciklin e lartë të studimeve ishte 39.9% në 2017-n, ndërsa të gjitha vendet e zgjerimin kishin përqindje më të ulët.

Ndër vendet e rajonit, Mali i Zi ka përqindjen më të lartë të 30-34 vjeçëve që kanë përfunduar arsimin e lartë, me një normë 34%, e ndjekur nga Serbia me një normë prej 32% dhe Maqedonia e Veriut me mbi 30%. Ndërsa në Turqi kjo normë ishte 27%.

Krahasuar me 5 vite më parë, norma e individëve me arsim të lartë ka shënuar rritje në të gjitha shtetet që kërkojnë të anëtarësohen në BE. Megjithatë në 2012, Bosnja Hercegovina renditej e fundit në rajon për sa i përket normës së kësaj grupmoshe me arsim të lartë (shiko grafikun). Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Shqiptarët nuk e kanë me qejf të mësuarin

As 1% e shqiptarëve vendosin të angazhohen për të thelluar njohuritë e tyre pas shkollës. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 0.9% e shqiptarëve të moshës 25-64 vjeç mësojnë përgjatë gjithë jetës së tyre. Kjo është norma më e ulët në të gjithë Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit, ku Shqipëri ka një diferencë të dukshme.

Megjithatë, në lëmin e paditurisë, shqiptarët janë shokë klase me rumunët, ku përqindja e personave që mësojnë gjatë gjithë jetës është po aq.

Të mësuarit gjatë jetës është përvetësimi vullnetar dhe i vetëmotivuar i dijeve, qoftë për aspektin personal apo profesional. Prandaj, të mësuarit gjatë jetës nuk rrit vetëm përfshirjen në shoqëri apo qytetarinë aktive, por edhe rrit vetë-qëndrueshmërinë, konkurrencën dhe shanset për punësim.

Ndër vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht 11.1% e popullsisë e moshës 25-64 vjeç ishin të angazhuar në të mësuarit gjatë jetës, sipas statistikave të Eurostat.

Përqindjet më të larta janë shënuar në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore. Zvicra ka përqindjen më të lartë, me 31.6% të popullsisë 25-64 vjeç, që mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Suedia me 29.2% të kësaj grupmoshe, aktive për të përvetësuar njohuri shtesë gjatë gjithë jetës së tyre. Finlandezët janë të tretët më të dhënë pas të mësuarit, ku rreth 28.5% e grupmoshës 25-64 vjeç mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Danimarka me 23.5%, Estonia me 19.7%, Holanda me 19.1%, Franca me 18.6% dhe Austria me 15.1%./ Monitor

“Zemra” po vret moshat e reja. Instat: Rritet numri i të rinjve me sëmundje kardiovaskulare

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë shkaktari kryesor i vdekjeve në vendin tonë, por disa qytete shihet se kanë prevalencën më të lartë të jetëve të humbura nga simptomat kardiovaskulare.

Sipas të dhënave të INSTAT për vdekjet nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të përpunuara nga Monitor në raport me popullsinë, në vitin 2018 qytetet e Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Vlorës ishin qytetet me numrin më të lartë të jetëve të humbura (për 100 mijë banorë).

Në qytetin e Korçës numri i vdekurve nga zemra për 100 mijë banorë ishte 510 persona, më i larti në vend, i ndjekur ngushtë nga Berati, me 508 jetë të humbura për 100 banorë. Siç duket Korça dhe Berati janë qarqet që vuajnë më së shumti sëmundjet që vijnë nga zemra e dobët.

Në krahun tjerë, qytetet që janë më pak të prekura sëmundja në fjalë janë Elbasani, Tirana , Lezha, Durrësi. Në vitin 2018 në Elbasan vdiqën nga infarkti dhe sëmundje të tjera të qarkullimit të gjakut 337 persona për 100 mijë banorë, më pas vjen Tirana me 347 jetë të humbura për 100 mijë banorë dhe Lezha (361), Durrësi (371).

“Zemra” po vret me shumë moshat e reja

Sipas INSTAT, në vitin 2018, vdekjet nga grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 53,2 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 %.

Prevalenca si te femrat ashtu dhe te meshkujt është e barabartë, me 50.2% të rasteve që ishin meshkuj.

Ndonëse në total sëmundjet e qarkullimit të gjakut vranë më pak persona vitin e kaluar, ka një rritje të ndjeshme të jetëve të humbura në moshat e reja, sidomos ato foshnjore (nën 1 vjeç).

Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se sëmundja vrau 20 për qind persona më shumë në moshën 0-34 vjeç, në raport me një vit më parë. Sëmundjet e qarkullimit të gjakut vranë vitin e kaluar 139 persona në moshë të re (0-34 vjeç) nga 115 gjatë vitit 2017.

Në 2018-n u shënuan 33 vdekje nga sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut te fëmijët nën 1 vjeç, ose 32% më shumë se një vit më parë.

Për grupmoshat 30-34 vjeç, rasti i fataliteteve ishte 30, në dyfishim në raport me 2017-n.

Ndërsa të moshuarit duket se po i mbajnë më nën kontroll sëmundjet e aparatti të qarkullimit të gjakut, me vdekjet mbi moshën 65 vjeç, që u reduktuan me 3% në 2018-n.

Shkaqet

Shkaktari kryesor i kësaj sëmundje është stili i jetesës dhe dieta ushqimore. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, ndërsa në vitin 2018 arrti në 404 për 100 mijë banorë.

Numri i jetëve të humbura nga sëmundjet kardiovaskulare thuajse është trefishuar në tre dekadat e fundit të tranzicionit.

Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje.

Ekspertët rendisin disa arsye të cilat lidhen me stilin e jetesës që kanë krijuar shqiptarët vitet e fundit. Shtimi i produkteve të mishit pas viteve 1990 dhe i sasisë së yndyrave, shmangia nga dieta mesdhetare me fruta dhe perime të freskëta dhe konsumi i vakteve me ushqime të gatshme janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.

Mjekët pohojnë se jeta sedentare pa aktivitet fizik është po aq shkaktare sa dieta ushqimore. Në përgjithësi, mentaliteti i të ushqyerit mirë në Shqipëri lidhet me konsumin e bollshëm të mishit dhe yndyrave, ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet ushqim i mirë konsumi i frutave dhe perimeve bio./Monitor/

Këta janë dy të rinjtë që humbën jetën në aksident

Gentjan Belba 23 vjeç dhe Vilson Cara 24 vjeç humbën jetën në aksidentin e mbrëmshëm në Kavajë. Dy të rinjtë morën një makinë për të festuar ditëlindjen e Vilsonit, por shpejtësia duket se i mori jetën.

Kamerat e sigurisë së një biznesi pranë vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti mbrëmë në Kavajë kanë fiksuar momentin fatal të përplasjes. Nga pamjet duket momenti kur nëna me vajzën dhe një tjetër person ishin në anë të rrugës duke pritur për të kaluar.

Në momentin që tre personat futen për të kaluar në anën tjetër të rrugës makina tip ‘Benz’ vjen me shpejtësi duke marrë përpara Lumturie Demrozin 46-vjeç dhe vajzën e saj. Nëna vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa vajza është në spital.

Vrasja e kushërinjve në Laç, policia identifikon autorët

Policia e Kurbinit njofton se ka identifikuar autorët e vrasjes së dy kushërinjve mbrëmë në qytetin e Laçit.

Mësohet se policia është vënë në kërkim të Markel Gjonbushit 25 vjeç dhe Vinçens Pali (Bushi).

Dy autorët në fjalë dyshohet se kanë vrarë mbrëmë në qytetin e Laçit dy kushërinjtë, Mikel Jushi dhe Jani Jushi dhe ma pas janë larguar nga vendngjarja.

Sherri ka nisur në një lokal në qendër të qytetit mes dy palëve, të cilët më pas kanë dalë jashtë për t’u sqaruar. Autorët kishin armë me vete. Dy kushërinjtë Mikel Jushi dhe Jani Jushi janë larguar me vrap, por autorët i kanë ndjekur dhe qëlluar. Sipas dëshmitarëve, kushërinjtë Jushi njiheshin si njerëz të qetë, ndërsa lokali frekuentohej nga persona me precedent.

Policia po punon për kapjen e autorëve të krimit.

Dy të plagosur në Mëzes gjatë një sherri me armë

Dy të rinj kanë mbetur të plagosur mbrëmë në Mëzes gjatë një sherri me armë. Një nga të plagosurit mësohet se është 17-vjeçari J.H, i cili ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa 24 vjeçari Z.Q. është plagosur me mjete të forta.

Sherri ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22.00 në Fushë Mëzez, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është I.E.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa policia është vënë në kërkim të autorit të dyshuar.

Skip to toolbar