Tërmeti, miratohet fondi: 1 mln dollarë për dëmet

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar një mbledhje urgjente pasditen e të dielës, ku ka miratuar fondin 1 milion dollarë për t`u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti. 20% e këtij fondi, do të shkojë në ndihmë të bashkisë së Durrësit si fond solidariteti për t`u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në këtë qytet. Gjatë fjlaës përpara këshilltarëve, Erion Veliaj u shpreh se mandati i ri po nis me një sfidë të madhe për të gjithë.

“Sot po kalojmë një fond prej 1 milion dollarësh të ndarë 80% për qytetin e Tiranës, por në mënyrë simbolike vendimi i parë është për 20% të këtij fondi, pra 200 milionë lekë, për qytetin e Durrësit, në ndihmë të koleges sonë atje, që ka një sfidë akoma më të madhe. E fillon mandatin me një sfidë të jashtëzakonshme, me tërmet në qytetin e saj, kështu që do të doja shumë që t’i gjendeshim pranë Valbonës dhe vëllezërve e motrave në Durrës”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, nisur nga situata, Bashkia e Tiranës miratoi me urgjencë edhe dy vendime të rëndësishme që u vijnë në ndihmë njerëzve në vështirësi ekonomike. Kështu, pagesat për muajin shtator për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar dhe ata që marrin pagesa nga fondi 6% për ndihmën ekonomike do ta marrin atë më parë. Në shenjë solidarizimi, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës vendosën unanimisht që pagën e tyre të shtatorit ta dhurojnë për të prekurit nga tërmeti.

Qeveria lehtëson lejet për shtëpitë e dëmtuara

Në mesin e javës së ardhshme qeveria pritet të miratojë një VKM, e cila do të lehtësojë procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit, për banorët që janë prekur nga tërmeti. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili gjatë një inspektimi të dëmeve të tërmetit në terren me kryebashkiakun e Tiranës, u shpreh se do të propozojë lehtësimin e procedurave ligjore për lejet e ndërtimit dhe shmangien e taksave për të gjithë banorët që do tu duhet të rindërtojne apo rikonstruktojnë banesat e tyre.

 “Jam dakord me atë që propozoi kryetari. Besoj se qeveria brenda kësaj jave duhet, pa më të voglin diskutim, të heqë barrierat për lejet e ndërtimit për të gjitha shtëpitë që kanë pësuar dëme dhe ku vetë njerëzit duan t’i ndërtojnë. Kam parasysh jo vetëm burokracinë, letrat e me radhë, por edhe çlirimin nga taksat e infrastrukturës apo tarifat e lejes së ndërtimit, me qëllim që kjo lloj barre dhe kjo barrierë, që shpesh i ka vonuar njerëzit, të ezaurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Pa diskutim që do të duhet të ndërtojmë struktura që i rezistojnë kohës dhe fatkeqësive të tilla natyrore, si tërmetet. E kemi gjithë mundësinë tani që të ndërtojmë struktura me beton, brenda kushteve sizmike”, u shpreh Braçe.

Çfarë fuqie kishte tërmeti, 5.8 apo 7.5 ballë? Inxhinieri tregon të vërtetën

Ish-inxhinieri Bashkim Kopliku, ka folur për News 24, duke sqaruar të vërtetën për fuqinë e tërmetit të rënë ditën e shtunë më 21 shtator, në orën 16:04 në vendin tonë. Pas lëkundjeve të forta, që shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale dhe shumë të plagosur, doli se fuqia e tërmetit ishte 5.8 ballë e shkallës Rihter.

Megjithatë, veç kësaj shifre, u publikua dhe një tjetër shifër, 7.5 ballë. Sipas inxhinierit Kopliku, fuqia e vërtetë e tërmetit të së shtunës ishte 5.8 ballë e shkallës Rihter. Ai ka shpjeguar, se nëse fuqia do të ishte më e madhe, ndërtesat e dëmtuara do të ishin rrëzuar në tokë.

 “Tërmeti ka dy karakteristika, njëra që shkakton tërmetin dhe tjetra efekti që ka kjo energji. Është magnituda dhe intensiteti. Unë mendoj se tërmeti i djeshëm në Durrës ishte rreth 6 ballë. 6 ballë është kur ndërtesat nuk prishen, por ka dëmtime”.

“Ndërsa 7 ballë ndërtesat prishen, e më tej. Një tërmet, si ai i djeshmi, mbetet 5.8 ballë për të gjithë njerëzit kudo ku janë, por ama efektet në Washington janë zero, ndërsa për ata në Durrës janë të shumta. Sa më afër burimit të jesh, aq më tepër efekte dëmtuese ka tërmeti. Është edhe struktura e gjithë tokës, nga burimi i energjisë, deri aty ku shohim pasojat e tërmetit”, deklaroi inxhinieri.

U dëmtuan nga tërmeti, Veliaj: Do hapim dosjet e pallateve

Një ditë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, ku mbetën të lënduar qindra njerëz e u dëmtuan po ashtu qindra banesa e pallate, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se do të nxjerrë nga arkivat të gjitha dosjet e pallateve të ndërtuara kryesisht gjatë viteve 1990. Sipas Veliajt, kryesisht në pallatet e ku ka pasur shtesa katesh apo zgjerime të ambienteve, ka pasur më shumë dëmtime nga tërmeti.

“Ne do të fillojmë një tjetër operacion në Bashkinë e Tiranës. Do të nxjerrim të gjitha arkivat e pallateve kryesisht të viteve ‘90. Janë ndërtime që kanë ndodhur në vitet e tranzicionit. Nuk kemi pasur probleme me ndërtime solide dhe të kontrolluara, por me ndërtime ku është shtuar edhe ndonjë kat, po është zgjeruar një çikë edhe hapësira”. Sipas kryebashkiakut, nxjerrja e dosjeve për këto ndërtime nga arkivat, do të ndihmojë shumë punën e inspektorëve të Institutit të Ndërtimit për këto ndërtime që kanë pasur probleme. Për këtë, Veliaj kërkoi edhe ndihmën e arkitektëve apo inxhinierëve që kanë ndërtuar këto pallate e që jetojnë ende në Tiranë.

“Nuk po i hyj asaj si bëheshin pallatet në vitet ‘90 dhe me çfarë kontrolli, por ajo që do të bëjmë është që do nxjerrim gjithë fashikujt. Qytete të tjera të ngjashme me ne janë rrafshuar në tërmete të kësaj natyre, por fatmirësisht Tirana kësaj i mbijetoi. Por duke nxjerrë fashikujt, do t’ia bëjmë më të lehtë punën çdo inspektori që do të vijë nga Instituti i Ndërtimit. Aty ku ndërtuesi, konstruktori, arkitekti inxhinieri është gjallë, është në Tiranë, mund të japin një dorë për të proceduar më shpejt gjithë inspektimet”, theksoi Veliaj. Këto deklarata kryebashkiaku i Tiranës i bëri teksa dhuroi ndihma ushqimore në pikën e ngritur në sheshin “Skënderbej”, të cilat më pas do të shpërndahen për familjet e prekura nga tërmeti.

Elbasan, 113 banesa të dëmtuara. Belshi qyteti më i prekur nga tërmeti

Qarku i Elbasanit është një nga më të prekrurit nga lëkundjet e tërmetit të së shtunës. Të paktën 113 banes dhe objekte të tjera janë dëmtuar në këtë qark, ka raportuar Kryetari i Grupit Parlametar të Partisë Socialiste Tulant Balla. Gjatë të dielës, ai së bashku me deputetë të tjerë të qarkut dhe kryetarin e bashkisë së Belshit, ka vizituar disa familje të kësaj bashkie, të cilave u janë dëmtuar banesat. Balla është shperhur se Belshi është më i prekuri nga tërmeti, ndërsa sipas tij banesat e dëmtuara, janë kryesisht ndërtime të vjetra.

 “Jemi të gjithë në terren për t’ju gjendur pranë familjeve, banesat e të cilave janë prekur nga tërmeti i djeshëm. Kryesisht banesat e dëmtuara janë ndërtime të vjetra, sepse në ndërtimet e reja nuk janë raportuar deri më tani dëme. Duhet të kuptojmë që goditjet e djeshme ishin të forta 5.8 shkalla Rihter herë 1.37 shkon afërsiaht 7.9 ballë. Shumë pranë Shqipërisë pak vite më parë një tërmet i ngjashëm pati pasoja katastofike. Por të gjithë e dimë që tërmetet janë fatkeqësi natyrore të paparashikueshme”, ka thënë Balla.

Ndërkohë, ai ka shtuar se të gjitha dëmet do të evidentohen dhe më pas do të nisë sistemimi i tyre. Për ndërtimin e tyre, sipas Taulant Ballës, do të ketë solidaritet nga sipërmarrja private madje dhe nga diaspora.

“Reagimi pas tyre është në dorën tonë. Pas panikut të parë, Shqipëria është e gjitha solidare për ta kaluar këtë situatë. Masat e marra deri më tani nga Qeveria janë të plota. Vetë Kryeministri Rama ndërpreu vizitën e rëndësishme në SHBA dhe është vetë në krye të shtabeve të emergjencës në Durrës e Tiranë. Qeveria ka të garantuar po ashtu buxhetin për këtë situatë. Punonjësit e caktuar të Bashkisë dhe të Qarkut do të bëjnë evidentimin e dëmeve dhe më pas fillon puna për sistemimin e dëmtimeve dhe rikthimin në normalitet. Në disa shtëpi do të fillojmë riparimin edhe me mbështetje solidariteti nga sipërmarrja, madje edhe nga diaspora”, ka thënë ai.

Tiranë, ngrihen 6 pika emergjence për qytetarët

6 pika emergjente janë ngritur në Tiranë nga Shtabi i Emergjencave, për të gjithë banorë që mund të kenë nevojë për ndihmë. Pikat e Emergjencave janë vendosur në Rrugën “3 Deshmorët”, Yzberisht; Liqeni i Thatë; “Bulevardi ri”, Kashar; Stadiumi “Dinamo”; Kisha në Rr. “Don Bosko”; Shkolla “Betim Muço”, Kombinat.

Ndërkaq, të gjithë qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës janë të hapura për të gjithë banorët që kanë nevojë për strehim gjatë natës.

Pasditja e së shtunës tronditi Shqipërinë me një tërmet me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter dhe u shoqërua me disa lëkundje të tjera. Epiqendra e tërmetit ishte në detin Adriatik në afërsi të Kepit të Rodonit, ndërsa lëkundjet kanë shkaktuar panik tek banorët.

Tërmeti ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materile në disa banesa dhe pallate. Emergjencat civile në Tiranë kanë njoftuar se të gjithë qytetarët që kanë nevojë për ndihmë apo nuk kanë ku të kalojnë natën, të vendosen pranë këtyre 6 pikave emergjente që janë ngritur.

20 banesa të dëmtuara në Elbasan nga lëkundjet

Tërmeti ka shkaktuar dëmtime edhe në qarkun e Elbasanit. Sipas informaconeve paraprake janë dëmtuar pjesërisht 20 shtëpi banimi në bashkitë Elbasan, Librazhd, Cërrik, Belsh dhe Peqin. Lajmi është dhënë nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ka mbledhur Shtabin e Emergjencës të Qarkut Elbasan. Balla thotë se qeveria dhe grupet e posaçme do të verifikojnë të gjitha dëmet e shkaktuara si pasojë e tërmetit.

“Mblodhëm Shtabin e Emergjencës të Qarkut Elbasan. Deri më tani fatmirësisht nuk raportohet asnjë qytetar i qarkut Elbasan i lënduar. Ndërkohë që deri në orën 20:00 raportohen 20 shtëpi banimi të dëmtuara pjesërisht në bashkitë Elbasan, Librazhd, Cërrik, Belsh dhe Peqin. Po ashtu është dëmtuar një urë e tipit pasarelë dhe një kabinë elektrike, tek e cila repartet e OSHEE po punojnë për riparimin. Nesër në mëngjes do të verifikohen edhe të gjitha kopshtet dhe shkollat në të gjithë Qarkun”-shkruan Balla

Ministria e Mbrojtjes: Dëmet më të mëdha në Tiranë dhe Durrës

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka dalë në një konferencë për mediat duke dhënë informacionet paraprake në lidhje me dëmet që shkaktoi tërmeti prej 7.5 ballësh i rënë në detin Adriatik. Xhaçka njoftoi se fatmirësisht nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë, ndërsa kanë marrë ndihmën në spital, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, 68 persona. Ministrja sqaron se lëndimet kanë ardhur kryesisht nga frika dhe krizat e panikut tek banorët.

Në lidhje me dëmet materiale ministrja Xhaçka njoftoi se sipas të dhënave paraprake rezultatet deri tani janë këto:

Në Tiranë dëmtohen 46 banesa dhe 3 pallate, kryesisht krisje
Në Durrës dëmtohen 42 banesa dhe 4 pallate
Në Librazhd dëmtohen 7 banesa
Në Dibër dëmtohen 4 banesa, ndërsa njëra është shkatërruar plotësisht
Në Berat një banesë është shkatërruar
Në Lezhë dëmtohen 4 banesa
Në Lushnje dhe Fier dëmtohen 4 banesa

“Lëkundjet vijojnë të ndodhin, fatmirësisht në rënie, por nuk mund t’i parashikojmë dot. Është një lajm i mirë që goditjet pasuese shënuan një trend në ulje. Për të gjithë banorët që nuk kanë ku të kalojnë natën, janë ngritur qendra apostafat.” tha ndër të tjera Ministrja Xhaçka.

Tërmeti shkund vendin, 105 persona të lënduar

Shqipëria është lëkundur pasditen e të shtunës nga disa lëkundje tërmeti, ku më e forta ka qenë 7.5 ballë me epiqendër në Detin Adriatik pranë Kepit të Rodonit. Tërmeti është ndjerë në të gjithë qytetet e vendit ne ora 16:09, ndërsa goditjet më të mëdha i ka pasur qyteti i Durrësit dhe Tiranës.

Deri më tani në spitalin e Traumës në kryeqytet dhe në Durrës, kanë marrë ndihmë mjekësore 105 persona, të cilët kanë pasur lëndime të lehta, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Qytetarët kanë dalë të frikësuar jashtë banesave dhe shumica e tyre ende vijonë të qëndrojnë në rrugë apo lokalet jashtë. Sipas sizmiologëve lëkundjet vijojnë të ndodhin ende dhe do të ketë të tilla edhe në ditët në vazhdim deri në qetësimin e vatrës së tërmetit. Lëkundjet vijojnë të ndodhin me intensitet më të ulët, por nuk dihet në do të këtë sërish një tjetër të fortë, duke bërë që qytetarët të qëndrojnë në rrugë.

Italia, Kosova dhe Greqia kanë shprehur solidaritetin me Shqipërinë duke ofruar ndihmën e tyre për çdo nevojë, ndërsa emergjencat cilive, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Shëndetësisë dhe ambulanca janë vendosur në shërbim të qytetarëve duke ardhur në ndihmë në zonat më të prekura.

Tërmeti i fuqishëm është paraqitur edhe nga mediat e huaja, të cilat komentojnë tmerrin që përjetuan qytetarët.

Sizmiologët: Rreziku nuk ka kaluar

Ekspertët sizmiologë bëjnë të ditur se rreziku nga termeti nuk ka kaluar.

Profesor Rrapo Ormeni bën të ditur se termeti me epiqendër në Durrës me magnitudë 8 ballë, është ndjer dhe në qytetin e Tiranës deri në 7 ballë.

Sipas tij, termetet nuk mund të parashikohen, por sipas rregullave të sizmiologjisë, vatra e termetit do të ketë goditje të tjera më vogla në vijim. Ai ka thënë se termeti mund të ripërsëritet ditën e sotme, por dhe në ditët në vijim, gjithashtu mund te ketë lëkundje edhe në javët e ardhshme derisa vatra të shuhet plotësisht.

“Ne gjykojmë që goditjet kryesore kanë kaluar, por në vazhdim mund të ketë pasgoditje.

Tërmeti në Durrës është ndjer deri në 8 ballë, çka ka shkaktuar dëme në ketë zonë, ndërkohë që në Tiranë është ndjerë deri në 7 ballë.

Ky termet do të shoqërohet me pasgoditje që të vazhdojnë me ditë, javë apo edhe deri në muaj mund të vazhdojnë sepse është një termet i konsiderueshëm. Por jemi të mendimit që pasgoditjet me kalimin e kohës do të vijnë duke u shuar. Do jenë gjithmonë e më të vogla deri sa të shuhen dhe deri sa të vendoset gjendja e ekuilibrit.

Tërmetet nuk parashikohen, por goditja kryesore shoqërohet me një pasgoditje dhe sipas ligjeve të termeteve. Por ndonjëhërë pasgoditja që është me e vogël se goditja kryesore, ndonjëherë në zonën e hidrocentraleve mund të jetë e rrezikshme, pasi goditja ka shkaktuar dëme në godina edhe ndërtesa dhe pasgoditja e gjën të gatshme dhe pasgoditjet mund të sjellin dëme”, tha për Panorama profesor Rrapo Ormeni.

Skip to toolbar