Bilanci paraprak, Voda: Janë inspektuar 4151 objekte, 270 do prishen

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda ka bërë publike shifra zyrtare për dëmet që la pas tërmeti i 26 nëntorit në bazë të inspektimeve të bëra deri më datë 4 dhjetor deri në orën 17:00. Voda pasi bëri edhe një herë publike numrat e gjelbër ku banorët t’i drejtohen autoriteteve, konkretisht: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040, tha se sipas bilancit paraprak të inspektimeve në rang qarku janë inspektuar 4151 objekte dhe janë për t’u prishur 270 objekte për t’u prishur.

“Në Bashkinë Durrës janë inspektuar 748 objekte, nga ku 270 janë të pabanueshme dhe 34 për t’u prishur. Në Bashkinë Krujë janë inspektuar 2185 objekte, nga ku 748 janë shpallur të pabanueshme dhe 8 për t’u prishur. Në Bashkinë Shijak janë inspektuar 1218 objekte, nga ku 717 janë të pabanueshme dhe 228  për t’u prishur.”

Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Voda njoftoi se aktualisht janë prishur 27 objekte nga të cilat “10 objekte në  Thumanë, 17 objekte në Bashkinë Durrës. Ka filluar prishja e një objekti 4-katësh në zonën e plazhit, tek “Ura e Dajlanit” Durrës. Vijohet të punohet për prishjen e 1 objekti 3-katësh në Shkozet”.

Rama, tjetër thirrje Bashës: Mos bëj politikanin në ditë të zymta, hajde bashkëpunojmë

Kryeministri Rama ka përsëritur sërish ftesën për bashkëpunim me opozitën, edhe pse vetë Basha ka lënë të kuptohet se nuk do të ulet në një tryezë me të. Nga Londra, Rama i është drejtuar Bashës duke i kërkuar të mos përdor disa njerëz që ende nuk janë sistemuar pas tërmetit shkatërrimtar për politikë, por të bashkëpunojnë për të sjellë pak dritë në jetën e tyre.  “Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritë, se zymti kanë boll” është thirrja e Ramës për kreun e PD-së për të bërë një menaxhim sa më të mirë të situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pa sistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë…Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, në vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritë, se zymti kanë boll”, shkruan Rama në Twitter.

Vetë kreu i PD-së Basha ka prezantuar një propozim me 3 pika ku kërkohet shtim i numrit të ekspertëve për ekzaminimin e dëmeve si dhe ndalimin e financimit të projekteve të atyre që i cilëson si oligarkë dhe përdorimin e atyre parave për personat e prekur nga tërmeti.

Tërmeti, Bashkia Tiranë: Qira 1-vjeçare për 1082 familje. Dokumentet që duhen

Bashkia e Tiranës do t’i paguajë qiranë e shtëpisë me vlerën e tregut familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të martën një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me përballimin e situatës së krijuar si rrjedhojë e tërmetit të javës së shkuar, ku ndër të tjera edhe pagesën e plotë të qirasë për një periudhë 1 vjeçare për rreth 1082 familje, banesat e të cilëve janë dëmtuar dhe janë bërë të pabanueshme.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se pagesa do bëhet e vlefshme edhe për muajin dhjetor.

“Vendimi i dytë është ndoshta vendimi më i rëndësishëm që marrim sot: Për pagesën e plotë të qirasë sipas vlerës së tregut për familjet që janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Nuk është vetëm një vendim financiar, është edhe një vendim për thjeshtimin e procedurave se si këto familje duke nisur nga nesër do aplikojnë për të marrë 100% qira, sipas vlerës të tregut”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai sqaroi se përfitojnë pagesën e plotë ato familje që i janë dëmtuar shtëpitë dhe që nga akt konstatimet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit është arritur në konkluzionin për evakuimin e tyre nga këto banesa.

Vlera e pagesës sipas vlerës së qirasë së tregut të lirë sipas strukturave përkatëse të apartamenteve, të jetë si më poshtë:

a.            Qiraja për strukturën e apartamentit për 1+1, 18 mijë lekë.

b.            Qiraja për strukturën e apartamentit për 2+1, 220 mijë lekë.

c.             Qiraja për strukturën e apartamentit për 3+1, 270 mijë lekë.

Ndërkohë që sipas vendimit, familjet që aplikojnë për përfitimin e pagesës së qirasë sipas këtij vendimi duhet të depozitojnë pranë njësisë administrative ku kanë vendbanimin e tyre, dokumentacionin si më poshtë:

a.            Formularin e aplikimit, i cili gjendet pranë njësisë administrative, sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi;

b.            Akt konstatimi i Institutit të Ndërtimit;

c.             Certifikatë familjare;

d.            Numrin e llogarisë bankare, ku do të derdhet pagesa e qirasë.

Aplikimi dhe dokumentacioni, dorëzohet pranë njësisë administrative përkatëse

‘Pray for Albania’, Dua Lipa kërkon fonde për tërmetin nga fansat

Dua Lipa vijon të solidarizohet me të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Këngëtarja me origjinë nga Kosova ka treguar edhe një herë se ajo ndjen dhimbjen e shqiptarëve në këto momente tragjike që la pas tërmeti i fuqishëm. Pas kontributit të saj me të ardhurat e produkteve të ndryshme nga kompania e saj, Dua ka krijuar dhe nxjerrë në shitje një bluzë të personalizuar në të cilën shkruhet ‘Pray for Albania’ (të lutemi për Shqipërinë). Përmes Instagramit, Dua Lipa ka njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e këtyre bluzave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Përmes postimit të saj ajo u ka bërë thirrje gjithëve që të kontribuojnë duke blerë bluzat, pasi duhet ndihmë e madhe për Shqipërinë në këto momente të vështira.

Humbën familjarët, hyn në fuqi vendimi për trajtimin financiar

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave të hënën, u miratua vendimi për trajtimin e posaçëm financiar për familjet që humbën të afërmit e tyre nga tërmeti. Qeveria vendosi të trajtojë përjetësisht me pension 9 persona që humbën të afërmit e tyre nga tragjedia e 26 nëntorit.

Të martën është publikuar në fletoren zyrtare vendimi i Qeverisë për të trajtimin financiar të këtyre familjeve. Këto persona do të përfitojnë 100 mijë lekë në muaj.

Personat që do të kenë trajtim të veçantë janë: Lindita Cara, Albert Cara, Pranvera Qato, Aleks Çupi, Albert Lala, Denisa Greku, marjana Rexhepi, Fehmi Vata dhe Diana Steneci.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh të hënën se do të ketë një trajtim special plus pensionit prej 60 mijë lekë në muaj për të moshuarit e këtyre familjeve që u rrënuan nga tërmeti.

Rama tha se “duhet t`u qëndrojmë pranë jo vetëm me ndihmë financiare, por edhe morale”. Familjet Lala dhe Cara ishin nga më të prekurat nga tërmeti, pasi humbën deri në 9 anëtar të tyre nga tragjedia e së martës së kaluar.

Të pastrehët nga tërmeti, Rama: Do ndërtojmë tre lagje të reja

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ndërtohen tre lagje të reja për të pastrehët e tërmetit. Ai tha se në Tiranë, Durrës dhe Kurbin do të ndërtohet qyteza të reja. Rama tha se këto ndërtime nuk do të jenë si banesat sociale.

“Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi, që rezultati të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë për gjithë jetën. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, të jetë më e bukura pas 1990. Një lagje të re nga e para në Durrës, me infraskturë, kanalizime, ujësjellës, kopësht, çerdhe, etj”.

“Në Tiranë kemi në skenar për të ndërtuar një lagje të re dhe një tjetri për të ndërtuar dy më të vogla, do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit ministria e Kulturës me arkitektë të huaj të famshëm me kontribut. Edhe në Kurbin do të ndërtojmë një lagje të vogël të re”.

“Kemi një objektiv për 10 mijë apartamente, sepse mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë të prekur por edhe ata me probleme sociale, por edhe të mos bëjmë gabim, që ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi tensione të vijueshme. Kujtoni Francën që është përballur nga revolucione dhe vandalizëm nga këto lagje, prandaj duhet të jenë mikse. Të përzihen njerëzit e të gjitha shtresave”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se gjatë dy viteve të ardhshme do të ketë kufizim në investime, duke përqëndruar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit  do të shkojnë për ndërtimin e lagjeve të reja për të pastrehët e tërmetit.

“Të bëhet një rishikim tërësor për bllokun e investimeve në buxhetin e 2020 për ti orientuar projektet në vazhdim. Pavarësisht se do të ishte receta e qeverive të shkuara. Dhe përveç projekteve që kanë të bëjë me ujitje dhe kullimin asnjë projekt tjetër i ri të mos bëhet. Sepse duhet ta shohim këtë si një domosdoshmëri që në fund të 2020 në Vitin e Ri 2021 ne të kemi jo projekte, por këto lagje të reja që të flasin vetë. Këto do të jenë lagjet e Rilindjes në kuptimin më konkret të fjalës pas situatës së vdekjes dhe traumës kombëtare. Do të bëjmë ndërtime që do të jenë shembullore do të vendosin një standard, si qeveria mund të ndërtojë. Jo projekt financimi të ardhurash si blerje apartamentesh, por edhe si ata që e blejnë vetë një apartament është pjesë e skemës duke u studiuar”, tha Kryeministri.

Basha refuzon Ramën, por bën propozime si të menaxhohet kriza

Lulzim Basha refuzoi përsëri ftesën e Kryeministrit Edi Rama për tu ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar menaxhimin e krizës së krijuar nga tërmeti. Nga Durrësi, Basha tha se nuk është koha për foto dhe shfaqje, por për veprim. Ai vlerësoi përpjekjen e çdo kujt që i vjen në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

“Mbështesim çdo përpjekje të qeverisë dhe çdokujt që u vjen në ndihmë këtyre njerëzve dhe po bëjmë çdo gjë për t’i ndihmuar, tani nuk është koha për teatër. Nuk është koha tani për foto dhe për shfaqje, por për veprime urgjente të mirë koordinuara që të vlerësohet gjendja e banesave dhe strehimi. Thirrja ime ndaj kryeministrit ta zgjerojë grupin e punës që merret me vlerësimin e banesave dhe të bëhet vlerësimi e të anulohen kontratat e 10 oligarkëve 150 mln dollarë dhe të zhvendosen të buxhet”, tha Basha.

Më tej, Basha propozoi edhe pika konkrete, që sipas tij Qeveria duhet t`i zbatojë për të përballuar krizën. Ai kërkoi anulimin e konçensioneve, vlerësimin me urgjencë të dëmeve të ndara në dy kategori si dhe organizimin e 500 inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e rivlerësimit.

“Kemi 500 specialistë gati për të dhënë kontributin vullnetar për gjendjen alarmante. Propozoj një plan me tre pika; organizimi i 500 inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave dhe kjo qetëson mendor dhe shpirtëror. Pika e dytë vlerësimi me urgjencë dhe ndarja në dy kategori. Askush nuk vjen ti shikojë kush. Dhe së treti të përdoren fuqitë që ka qeveria për të anuluar kontratat e 10 oligarkëve, bëhet fjalë për 150 mln dollarë dhe të destinohen për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Gjendja tragjike e këtyre njerëzve kërkon ndihmë dhe jo poza, as teatër, por angazhim konkret”, tha Basha.

Inxhinierët amerikanë, në Tiranë për inspektim

Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi të hënën se në Shqipëri kanë ardhur ekspertët amerikanë që do të ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve të tërmetit. Sipas ambasadës, inxhinierët e ardhur me mbështetjen e USAID, janë nga Departamenti Zjarrfikës i konteve Fairfax dhe Los Angeles, dhe do të bëjnë vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura.

“USAID ka dërguar dje inxhinierë strukturash nga Departamentet Zjarrfikëse të konteve Fairfax dhe Los Angeles, të cilët do të ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura, si pjesë e mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për rimëkëmbjen nga tërmeti. Ky ekip do të ndihmojë në përcaktimin e shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera që janë të sigurta për rikthimin e njerëzve”, shkruan ambasada.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka dërguar në Shqipëri një grup prej 50 inxhinierësh që do të bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve nga tërmeti. Ata do të përcaktojnë gjithashtu se cilat banesa mund të riparohen dhe cilat duhen shembur.

“Përhapi panik”, gjykata liron Xhuliana Aliaj

E reja nga Durrësi Xhuliana Aliaj, e cila u arrestua pasi duke përdorur rrjetet sociale përhapi panic, është lënë e lirë nga Gjykata e Durrësit. Prokurori Madrid Kullolli kërkoi masën e sigurisë detyrim paraqitje për 25-vjeçaren, ndërsa Gjykata e miratoi.

Ajo u arrestua pesë ditë më parë pasi shkroi në rrjetet sociale një inforacion, që sipas saj rrezikoheshin depozitat e gazit dhe naftës në Porto-Romano.

“Ju lutem ikni nga Porto-Romanoja. Është krisur hidrovori dhe mund të shpërthejnë depozitat e gazit nëse bie përsëri tërmet”, shkruante 25-vjeçarja. Ndaj Policia e vlerësoi këtë koment si nxitës të panikut, duke e arrestuar.

Pas gjyqit, avokati Stefan Topalli që mbrojti Xhuliana Aliaj, u shpreh se klientja e tij nuk kishte pasur qëllim që të përhapte panik. Ai tha se ajo bëri thirrje për më shumë kujdes në kushtet të rënduara psikologjike. Ndërkohë, më herët, u proceduan penalisht dy administratorët e portalit “Jeta Osht Qef”, që gjithashtu u akuzuan për përhapje paniku.

Vijon shembja e pallateve dhe hoteleve në Durrës

Në qytetin e Durrësit vijon puna për shembjen e pallateve, hoteleve dhe banesave që u dëmtuan nga tërmeti si dhe pastrimin e zonës nga inertet. Të hënën në mëngjes, IKMT e nisi punën me shembjen e hotel “Lubjana”, i cili u shkatërrua nga tërmeti i fuqishëm. Në terren ndodhet dhe drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici.

Puna për shembjen e këtij hoteli nisi mbrëmjen e kaluar, por u ndërpre për të rinisur sërish të hënën në mëngjes.

Sipas News 24, përveç IKMT, Bashkia e Durrësit ka zbritur masivisht në terren, duke aktivizuar 10 grupe inspektimi të përbërë nga inxhinierë, inspektorë, arkitektë, që po shohin nga afër të gjitha pallatet, për të bërë vlerësimin e tyre, nëse janë ose jo të banueshëm.

Prishja e ndërtimeve të pabanueshme është një tjetër sfidë për autoritetet, që më pas t`i hapet rruga ndërtimit të objekteteve të tjera ku do të strehohen banorët që më parë jetonin në këto objekte.

Skip to toolbar