Kryetari i
Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj, ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile, për
të bërë raportimin e situatës. Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka kërkuar nga
grupet e punës në terren që të punojnë për normalizimin e situatës, duke shkuar
në çdo familje të prekur nga tërmeti.
“Kjo është sfida
që kemi tani, kthimi në normalitet; tërmetin nuk e kemi në dorë, kthimin në
normalitet, solidaritetin, rimëkëmbjen, pastrimin dhe rikuperimin e humbjeve,
këto i kemi vetë në dorë dhe do bëjmë maksimumin”, u shpreh ai. Më tej, Veliaj
ka treguar hapat që duhet të ndjekin qytetarët e prekur nga tërmeti, të cilët
kanë pësuar dëme në banesa.
“Duhet të jemi më
të qartë, hapat janë: shkon te njësia administrative, aty listohesh,
inventarizohet dëmi, plotësohet formulari, pastaj ju bëni lidhjen me ekipin
tonë të vlerësimit. Ekipi i vlerësimit plotëson dokumentacionin dhe më pas i
gjithë fondi, që kaloi dje, pjesëtohet sipas nevojave”, sqaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i
Tiranës është shprehur se për shtëpitë e prekura nga tërmeti, do të bashkëpunohet
për ndërtimin me biznesin privat, ndërsa ka hedhur idenë që pallatet e dëmtuara
rëndë, të rindërtohen nga e para, duke u kthyer në banesa sociale edhe për
familje të tjera. “Do të nisim një binjakëzim, ku secili do të adoptojë nga një
shtëpi; nuk i kushton askujt dy shtëpi në Zall-Herr, në Ndroq e kështu me radhë,
tek komuniteti i sipërmarrjes e biznesit”, shtoi Veliaj.
“Për Pallatet
Sovjetike, struktura vërtet mund të jetë në rregull, por ato gjithsesi mbeten pallate
me mballoma. Mund t’ia vlejë që ato të rizhvillohen dhe secili të marrë nga një
apartament; mund t’ia vlejë që t’i zhvillojmë si banesa sociale, pra të prishim
3-katëshet dhe t’i bëjmë 5-katëshe, duke fituar edhe disa apartamente të tjera,
për të tjerë njerëz në nevojë nga zona e Kombinatit, “Misto Mames”, Yzberishtit.
Pra aty mund t’ia vlejë një zgjidhje afatgjatë”, theksoi Veliaj. Ndërkohë, ai shtoi
se janë marrë të gjitha masat edhe për rifillimin e mësimit nesër nëpër
shkolla.