Zbulimi i celulës iraniane dhe lidhjet me bosin e mafies turke Adbulselam Turgut, kanë rikthyer edhe njëherë debatin mbi lidhjet e mafies dhe kriminelëve me drejtësinë dhe politikën shqiptare. Sipas gazetës Tema bosi i mafies turke është i lidhur me disa biznesmenë dhe pronarin e një TV në Shqipëri. Adbulselam Turgut nuk është një emër i panjohur në Shqipëri.
Ai është arrestuar bashkë me një disa shqiptarë vite më parë për trafik droge, ndërkohë që sot një prej ortakëve të tij shqiptarë është biznesmen i njohur, madje ka edhe TV e radio.
Biznesmeni, ortak i Turgut, ka ndërruar emrin dhe njihet për lidhjet e tij me Ilir Metën, por dhe me PD-në, pasi Sali Berisha shfaqet herë pas herë në TV-në e tij.
Lidhjet e Turgut me biznesmenin shqiptar, që njihet nga të gjithë në Tiranë se kush është, i përmend edhe gazetarja Klodiana Lala.
“Adbulselam Turgut
U lirua vite më parë nga Gjykata e Apelit me masën e arrestit shtëpiak, në një kohë që në Shqipëri nuk kishte adresë.
Lirinë ja mundësuan miqtë e tij shqiptarë që paguan miliona. Dosja e tij në Policinë e Shtetit u rihap dy vite më parë dhe një portal shkroi për disa detaje.
Për këtë shkak u pezullua nga puna edhe një oficere, me dyshimin se zbuloi të dhëna sekrete. Në fakt, nuk ishte ajo që e nxori sekretin. Atë gjë e bëri dikush tjetër. Zhurma u shua shpejt, sepse mesa kuptova sërish ai bosi me dy emra veproi në mënyrën e tij.
Tani ky trafikanti na rezulton i përfshirë me rrjet terrori.
Te Krimet e Rënda ka një dosje të hershme për këtë.
Pyetja është: A po hetohet biznesmeni dhe lidhjet e tij me politikën????”, shkruan gazetarja Klodiana Lala.
Ndërsa Artan Hoxha shprehet:
“Abdulselam Turgut ka qenë nën hetim për trafik droge për qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë.
Historia nis që në vitin 1998. Gjatë një operacioni të policisë turke u godit një grup shqiptarësh që merreshin me biznes.
U ra në gjurmët e tyre duke u ndjekur një futbollist me origjinë shqiptare, i ikur herët, që u kap me 30 kg heroinë.
U arrit të kapet një episod nga policia turke me 190 kg heroinë që ishte porositur në Turqi dhe do vinte në Shqipëri në rrugë tokësore.
Mes personave të kapur ishin Hekuran Hoxha i arrestuar qershor 2019 si i përfshirë në laboratorin e Hasit, në kuadër të operaconit Volvo 4, pjesë e të cilëve është edhe grupi i Avdylajve.
Roni i Shijakut ka qenë i arrestuar në Shqipëri e Itali për trafik heroine.
Është i përfshirë në fushata elektorale të forcave politike në Shijak.
Krimi nuk ka ngjyrë politike, ka marrë pjesë në fushata të ndryshme.
Personi tjetër i kapur quhej Behar Sofia.
Ky emër del në ngjarjen e gushtit 2009 ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.
Aty ka qenë Behar ose Fatmir Sofia, disa herë bizneseve të tij i është vënë lëndë eksplozive, që i ka pasur afër stadiumit Dinamo në Tiranë, tashmë nuk i ka më.
Në vitin 2009 Gjykata në Gjermani ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për Turgut, që akuzohej për trafik të 1 ton heroinë në drejtim të Gjermanisë.
Kishte urdhër kërkimi nga autoritetet belge, austriake, italiane.
Njëkohësisht ishte arrestuar më herët edhe në Turqi dhe Azerbajxhan dhe ishte në kërkim.
Zhduket dhe humb çdo gjurmë, flitet që kishte lidhje të forta edhe në Kurdistan, dhe ka përdorur edhe territorin iranian për linjë të trafikut të drogës.”