“Mos më deportoni se do më vrasin”, terroristi i ISIS i lutet gjykatës të qëndrojë në Shqipëri

AKTUALITET


Gjykata e Durrësit ka shtyrë masën e shqyrtimit të ekstradimit të një terroristi rus, i cili u kap në territorin shqiptar më 12 korrik. Gjatë seancës së sotme, rusi Rasul Mislaev, pjesë e grupit terrorist ISIS, u njoh me akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe kërkesën për ekstradim drejt Rusisë.

Terroristi Mislaev i është lutur trupës gjykuese, që të mos e deportojnë në Rusi, pasi do e vrasin.  “Ju lutem mos më deportoni se atje do të më vrasin” ka thënë 34-vjeçari në seancën gjyqësore. Seanca u shty pasi avokati i tij kërkonte më shumë kohë për t’u njohur me dosjen e të pandehurit.


Rasul Mislaev u arrestua më 12 korrik pasi kishte hyrë në territorin shqiptar para një viti, si emigrant i paligjshëm nga Greqia përmes kufirit të Kakavijës. Pas verifikimeve rezultoi se ai ishte një terrorist i shpallur në kërkim që prej 2013 kur vendosi të largohej nga Rusia dhe t’i bashkohej ISIS. Terroristi është mbajtur në qendrën e mbyllur të emigrantëve të paligjshëm në Karreç të Vorës, nga drejtoria e Anti-terrorit e policisë së shtetit, ku dhe kanë nisur verifikimet për atë, pas dyshimeve që ngjalli nga shenjat e shumta të thikave dhe plumbave që kishte në trup. Ishin gjurmët e gishtërinjve që vërtetuan se ai ishte një terrorist në kërkim.

Gjithashtu mësohet se gjatë kohës në qendrën e emigrantëve, punonjësit e sigurisë kanë gjetur rrjetën dhe kangjellat e dritares së tij të prera, dhe prej asaj dite ruhej me truprojë, pasi kishte dyshime se mund të rrëmbehej nga terroristët ose të vritej pasi konsiderohej si kryesor në luftën e ISIS.




Skip to toolbar