Gjykata jep Ok për ekstradimin e terroristit rus të ISIS: Do më vrasin

AKTUALITET


Gjykata e Durrësit ka vendosur ekstradimin e terroristit rus Rasul Milsaev, edhe pse ai kishte bërë lutje që të mos ekstradohej në Rusi pasi do e vrisnin. Vendimi për ekstradimin e tij u mor ditën e martë nga gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Paulin Çera.

Rusia kishte kërkuar ekstradimin e terroristit rus, i cili ishte pjesë e ISIS që prej 2013, ndërsa Gjykata e Durrësit ka vendosur në favor të kësaj kërkese, me arsyetimin se ‘mes Rusisë dhe Shqipërisë ka marrëveshje ekstradimi ndaj ai do të ekstradohet në Rusi në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme Ruse.”


Në sallën e gjyqit, 34 –vjeçari Milsaev tha se “nuk është terrorist, por i tillë është presidenti rus Vladimir Putin”, ndërsa në seancën e kaluar kishte bërë lutje të ‘mos ekstradohej në Rusi, pasi i kërcënohej jeta dhe do e vrisnin.”

Rasul Milsaev është arrestuar më 12 korrik në vendin tonë, ndërsa kishte rreth një vit që kishte hyrë në Shqipëri si emigrant i paligjshëm nga Greqia. Kapja e tij u bë në Kakavijë dhe më pas u dërgua në qendrën e azilkërkuesve në Karrec në periferi të Tiranës. Pasi është kapur si emigrant i paligjshëm, ai ka ngritur dyshime për shkak të shenjave të shumta të thikave dhe plumbave në trup, duke bërë që policia e shtetit të nis hetimet ndaj tij. Me verifikimet rezultoi se ai ishte terrorist dhe kërkohej nga Rusia, ndërsa arrestimi i tij është bërë në 12 korrik të 2019.

Miklaev qëndroi për 11 muaj në qendrën e pritjes së azilkërkuesve në Karrec dhe përgjatë kësaj kohe ai refuzoi të fliste, sa për një kohë të gjatë u mendua se mund të ishte shurdh-memec. Ai u tradhtua pas një telefonatë. Ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe pritet të gjykohet nga drejtësia ruse.

Në Qershor të vitit 2013 Rasul Miklaev, është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupimit terrorist “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.




Skip to toolbar