Tensionet mes Kinës dhe SHBA-së, çfarë po ndodh mes dy superfuqive botërore

Kina thotë se po kryen stërvitje ushtarake pranë ngushticës së Tajvanit për të “mbrojtur sovranitetin e saj”.

Veprimet e Kinës po ndodhin pavarësisht se një zyrtar i lartë i SHBA-së po viziton Tajvanin. Stërvitjet që përfshijnë edhe të shtëna me zjarr, vijnë në mes të tensioneve në rritje midis Pekinit dhe Uashingtonit.

Janë për tu marrë shembull nga të gjithë! Ja dy shtetet me menaxhimin më të mirë të Covid-19

SHBA-ja ka lëvizur në drejtim të një mbështetjeje më të madhe për Tajvanin. Kina e konsideron Tajvanin e vet-qeverisur si një provincë të shkëputur.

Keith Krach është zyrtari i nivelit më të lartë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së që viziton ishullin në dekada, raporton BBC.

Të premten, zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Kinës, Ren Guoqiang, akuzoi SHBA-në dhe Tajvanin për “përshpejtimin e bashkëpunimit, duke shkaktuar shpesh shqetësime”, megjithëse ai nuk bëri asnjë referencë për vizitën.

Ai u tha gazetarëve se “përdorimi i Tajvanit për të kontrolluar Kinën” mbetet vetëm një dëshirë.

Uashingtoni tha se Krach, i cili është nënsekretar amerikan i çështjeve ekonomike, po vizitonte Tajvanin për të marrë pjesë në një shërbim përkujtimor për presidentin e ndjerë Lee Teng-hui.

Më vonë të premten ai është planifikuar të takojë presidentin e Taivanit, Tsai Ing-wen.

Megjithëse SHBA-ja nuk ka një marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin i vitit 1979 e lejon atë të shesë armë në ishull dhe e angazhon për “marrëdhënie të ngushta”.

Vizita vjen në një kohë që marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë rënë në pikën e tyre më të ulët ndër vite.

Të dy kombet janë përfshirë në një luftë tregtare që nga viti 2018, pastaj u përleshën për pandeminë e koronavirusit dhe shkëmbyen akuza për spiunazh.

Marrëdhëniet e tensionuara kanë ndikuar gjithashtu në fusha të tjera, duke përfshirë një goditje që SHBA-ja ka ndërmarrë ndaj firmave të teknologjisë kineze heqjen e vizave për studentët kinezë.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u bëri thirrje vendeve aleate të kundërshtojnë aspiratat “hegjemoniste” të Partisë Komuniste të Kinës, shkruan REL.

“Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re”, ka thënë Pompeo./realstory.al

Kampionët e Botës dhe Europës, do të luajnë në Tiranë për bamirësi

Bota e futbollit u solidarizua në mënyrë të veçantë me familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Ndërkohë, solidariteti do të vijojë edhe më tej. Sipas Panorama Sport, në datën 10 janar në stadiumin “Air Albania” do të zhvillohen dy ndeshje miqësore.

Ish-futbollistët e Italisë që u shpallën Kampion Bote në vitin 2006, veteranët e Turqisë që morën pjesë në botërorin e 2002 si dhe veteranët e Greqisë që fituan Euro 2004, do të vijnë në Tiranë.

Së bashku me veteranët e ekipit tonë kombëtar, do të luhen dy ndeshje, të ardhurat e fituara nga biletat do të shkojnë për rindërtimin nga tërmeti.

Kështu, veteranët e kombëtares Kuq e Zi do të luajnë kundër veteranëve të Italisë. Ndërkohë, veteranët e Turqisë do të përballen me veteranët e Greqisë.

Turqia prezanton makinën e saj, miqësore ndaj mjedisit (foto)

Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri do të mund të arrijë shpejtësinë 100 km. në orë në 4,8 sekonda, si dhe tjetri në 7,6 sekonda. Bateria e tij do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta

Prezantohet automobili vendas i Turqisë

Turqia prezantoi prototipin e automobilit vendas, të zhvilluar nga Grupi i Iniciatviës së Automobilit të Turqisë (TOGG), raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia u realizua në Luginën e Informatikës në rrethin Gebze të provincës industriale Kocaeli, me pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, krerët e projektit, inxhinerë, ekspertë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij në ceremoni, Erdoğan tha se Turqia sot po përjeton një ditë historike.

“Sot po dëshmojmë një ditë historike për vendin tonë, realizimin e ëndrrës 60-vjeçare”, tha presidenti turk.

Duke thënë se mbi 100 inxhinierë turq kanë punuar për të realizuar projektin, ai tha se “Ne nuk blejmë licencë ose leje nga askush, por i përcaktojmë vetë të gjitha tiparet teknike”.

Erdoğan theksoi se Turqia nuk do të lejojë përpjekjet për të penguar prodhimin e veturës së saj.

“Ata arritën të pengojnë prodhimin e Devrim (makina e parë vendase e Turqisë), por nuk do të jenë në gjendje ta pengojnë këtë automobil”, shtoi ai.

Turqia fillimisht u përpoq të prodhojë makinën e vet në vitin 1961, të quajtur Devrim, por ajo kurrë nuk kaloi fazën e prototipit.

“Turqia nuk është vetëm një treg për teknologji të reja, por është bërë një vend që zhvillon, prodhon dhe eksporton ato në të gjithë botën”, tha Erdoğan.

“Automobili nuk do të ndotë mjedisin, për arsye se punon me teknologji me zero-emetime”, shtoi ai.

Pas fjalës së tij, me një spektakël të përgatitur, u prezantuan dy modele të automobilit, njëri SUV dhe tjetri Sedan, me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, si referencë në flamurin e Turqisë. Pas prezantimit, Erdoğan realizoi vozitjen e parë të njërit prej prototipeve të automobilit turk.

Karakteristikat e automobilit 

Në muajin qershor të vitit 2018, pesë gjigantë të industrisë turke, respektivisht Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding, si dhe organizata ombrellë Unioni i Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Turqisë, bashkuan fuqitë për të krijuar nismën TOGG, e cila projektoi automobilin vendas të Turqisë për një periudhë 18-mujore.

Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri me më pak kuaj fuqi që do të mund të punojë me një të mbushur mbi 300 kilometra dhe të arrijë shpejtësinë 100 kilometër në orë në 4,8 sekonda, si dhe ai me më shumë kuaj fuqi që do të mund të arrijë shpejtësinë 100 kilometër në orë në 7,6 sekonda.

Bateria e këtij automobili, e zhvilluar plotësisht nga TOGG, do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta./AA/

Armëpushim apo ndërprerje e përkohshme e ofensivës?

SHBA dhe Turqia kanë arritur të enjten marrëveshje për armëpushimin në veri të Sirisë. Deri tani ka pasur vetëm shkelje sporadike të marrëveshjes.

Forcat kurde në veri të Sirisë janë të gatshme për respektimin e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Turqisë për armëpushim. “Ne do t’i bëjmë të gjitha që janë në mundësitë tona që armëpushimi të ketë sukses”, deklaroi komandanti i Forcave Demkratike Siriane (FDS), Maslum Abdi,  për televizionin Ronahi TV. Marrëveshja parashikon edhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe përjashton ndryshimet demografike në këtë rajon, theksoi Abdi, në një intervistë me telefon.

Marrëveshja mes SHBA dhe Turqisë, e arritur të enjten (17.10), vlenë për rajonin mes qytetit Ras al-Ain dhe luginës  Abjad, tha Abdi. Kjo do të ishte vetëm një zonë e ngushtë e sigurisë, të cilën pretendon ta krijojë Turqia në kufirin me Sirinë. Në kumtesën e përbashkët të SHBA dhe Turqisë nuk flitet për përmasat e një zone të tillë. Por pozicionimet nga komandantët kurdë mund të kuptohen edhe si mundësi e vazhdimit të konflikteve në zonat e tjera.

Nga Ras al-Ain vijnë ndërkohë lajme për shkeljen sporadike të marrëveshjes për armëpushim. Janë dëgjuar të shtëna me armë të vogla por edhe artileri, njoftojnë vëzhguesit. Por këto të dhëna nuk kanë mundur të konfirmohen nga burime të pavarura. Në rajonet e tjera nuk ka shkelje të marrëveshjes – deri tani.

Pas shumë orë negociatash mes zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence – dhe pas kërcënimeve amerikane – Turqia pranoi që ta ndëpresë ofensivën e saj ushtarake në veri të Sirisë për pesë ditë. Qëllimi është që të mundësohet tërheqja e milicëve të YPG. Kjo fazë ka filluar ndërkohë. Pas tërheqjes së milicëve kurdë duhet të shpallet edhe përfundimi i ofensivës, kumtoi Pence.

Pala turke nuk flet për armëpushim, por për një ndërprerje të përkohshme të ofensivës. Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu tha se në zonën “prej 32 kilometrash thellësi dhe gjatësi prej 444 kilometrash në lindje të Eufratit, nuk do të mbetet asnjë terrorist dhe atje do të krijohet një zonë e sigurisë”. Qeveria në Ankara pretendon që në këtë zonë të rivendosë refugjatët sirianë, të cilët tani janë vendosur në Turqi. Ndërhyrja ushtarake ka filluar para një jave.

Luftëtarët kurdë kanë qenë aleatë të forcave amerikane në luftën kundër terroristëve të “Shtetit Islamik” (IS). Pence tha, se Turqia dhe SHBA kanë rënë dakord për luftimin e përbashkët të terroristëve të IS në veri të Sirisë. Ato do të koordinojnë aksionet edhe lidhur me kampet e luftëtarëve të arrestuar të IS, të cilat deri tani janë kontrolluar nga kurdët. Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar para fillimit të ofensivës turke tërheqjen e forcave amerikane nga kjo zonë. Ky vendim ka hasur në kritika. Edhe ofensiva turke ka ngjallur kritika të shumta ndërkombëtare./DW/

“Çfarë qëndrimi ka Shqipëria për ofensivën e Turqisë?” flet Cakaj

Qeveria shqiptare ka folur për herë të parë në lidhje me qëndrimin e saj në lidhje me luftën që Turqia ka nisur ndaj kurdëve në kufi me Sirinë. Ministri Cakaj tha në studion e emisionit “Real Story” se Shqipëria ka një politikë të jashtme të linjëzuar me Bashkimin Europian dhe SHBA. Cakaj theksoi se me Turqinë, vendi ka një bashkëpunim të mirë në shumë fusha edhe në kuadër të NATO-s, por nuk kanë marrëdhënie të veçanta në strategjitë ushtarake.

“Ne me Turqinë bashkëpunojnë në mënyrë intensive në kuadër të NATO-s, por politika e jashtme e Shqipërisë është në të njëjtën linjë me politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE dhe SHBA.  Me Turqinë nuk kemi marrëdhënie të veçanta strategjike ushtarake, edhe pse bashkëpunojmë në shumë fusha të tjera në mënyrë të shkëlqyeshme” tha Cakaj.

Turqia ka nisur bombardimet ndaj kurdëve në kufi të Sirisë  duke i shpallur atyre luftë, një veprim që është dënuar si nga BE ashtu edhe SHBA. Madje kurdët kanë qenë edhe aleati më i ngushtë i SHBA-ve në luftën kundër ISIS. / Real Story

UEFA heton “ushtarët” turq. Shans për Shqipërinë?

UEFA nisi zyrtarisht hetimet ndaj Federatësë Turke të Futbollit, pas festimit me motive politike të lojtarëve të Turqisë, në takimin ndaj Shqipërisë dhe Francës. “Është emëruar një Inspektor Etik dhe Disiplinor për të nisur hetimet disiplinore në lidhje me sjelljet e mundshme provokuese politike nga lojtarët e ekipit kombëtar të Turqisë, në ndeshjet kualifikuese të Eeuro 2020, luajtur kundër Shqipërisë dhe Frnacës. Informacioni në lidhje me këtë hetim do të vihet në dispozicion në kohën e duhur”, shkruan UEFA në një njoftim zyrtar. Lojtrët turq, pasi shënuan ndaj Shqipërisë dhe ndaj Francës në dy ndeshjet e fundit, festuan duke përshëndetur ushtarakisht.

Ky festim ishte shenjë mbështetëse ndaj ushtrisë turke, që prej disa ditësh po sulmon kurdët. Por në fakt, nderimi i lojtarëve turq me shenjën ndërkombëtare të përdorur në ushtri, nuk do ta rëndonte situatën, nëse ai nuk do të ishte përdorur në momentin aktual, kur qeveria e Erdogan është duke zhvilluar një ofensivë ushtarake ndaj kurdëve.  

Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës së UEFA-s do të mblidhet për të marrë një vendim ndaj sjelljes së lojtarëve turq. Franca por dhe vende të tjera reaguan ashpër, duke kërkuar ndëshkim për kombëtaren turke të futbollit. Nga këto sjellje, Turqia rrezikon deri përjashtim nga kompeticioni i Kampionatit Europian, çka do të thotë se mund të përfitojë Shqipëria. Nëse kombëtarja turke përjashtohet, atëherë kuqezinjtë kanë shanse reale për të shkuar në Euro 2020.

Por çfarë ndodh?

Në këtë fazë ku ndodhet Shqipëria, përjashtimi i Turqisë do të sillte zerimin e pikëve që ekipet e tjera kanë marrë në përballjet e deritanishme ndaj skuadrës turke. Kështu, Islanda që aktualisht ndodhet në vendin e tretë me 15 pikë, do t`i zbriteshin tre pikë, pasi fitoi ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Turqisë, ndërsa ndeshjen e kthimit ende nuk e ka luajtur. Kështu, islandezët do të shkonin 12 pikë, po aq sa Shqipëria, që humbi në të dy takimet ndaj Turqisë.

Në këto kushte, Shqipërisë i duhet të fitojë ndaj Andorrës dhe një barazim ndaj Francës, për t`u kualifikuar. Ndërkohë, nëse Islanda fiton takimin e fundit ndaj Moldavisë, përsëri shkon në pikë të barabarta me Shqipërinë, por kualifikohet kombëtarja jonë. Arsyeja është se të dyja kombëtaret kanë fituar nga një ndeshje në përballjet direkte. Islanda fitoi takimin e parë 1-0 në shtëpi, ndërsa Shqipëria fitoi 4-2 ndaj Islandës në Elbasan.

Rezultati i përgjithshëm shkon 4-3 në favorin tonë. Gjithashtu, kuqezinjtë kanë dhe një tjetër avantazh, pasi golavarazhin aktual e kanë më të mirë se skuadra Islandeze. Në tetë takime, Shqipëria shënoi 14 gola dhe pësoi 10, ndërsa Islanda shënoi 12 dhe pësoi 10. Por, Islanda shkon me 10 gola, pasi i hiqen dy golat e fitores ndaj Turqisë në ndeshjen e parë eleminatore. Kështu, të gjitha gjasat janë që kuqezinjtë të kenë një shans real për të shkuar më tej.

Tashmë vetëm duhet të ëndrrojmë që UEFA të dënojë Turqinë, dhe Shqipëria të bëjë më të mirën në dy takimet e fundit, për të vijuar ëndrrën Euro 2020. Skenari mund të jetë i ngjashëm me atë të ish-Jugosllavisë në vitin 1992, kur për shkak të sulmeve ndaj Bosnjes, u përjashtua nga Europiani dhe vendin e saj e mori Danimaraka. /Realstory.al/

BE kundër sulmeve të Turqisë: Je aleati ynë, por po gabon

Operacionet ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve po i hapin rrugë ri-ngritjes së ISIS. Ky është një shqetësim serioz për Europën” kështu është shprehur zyrtarja e lartë e BE, Federica Mogherini gjatë një konference për mediat. Mogherini tha se situata është tejet komplekse dhe për këtë edhe zgjidhja është e vështirë për tu arritur.  

Kishim një vendosmëri unanime, secili vend kontribuoi në mënyrë aktive dhe kishte konsensus nga 28 vendet anëtare për masa kufizuese. ISIS nuk është mundur plotësisht. Gjithmonë kemi paralajmëruar veten tonë dhe koalicionin global për rrezikun nga ISIS. Ky operacion ushtarak po i hap rrugë shtetit islamik për të ri-ngritur territore. Ka një shqetësim serioz për Evropën. Situata nuk është e thjeshtë, por e shtresëzuar. Kompleksiteti i situatës e bën të vështirë zgjidhjen. Ata që për Turqinë janë terroristë për ne nuk janë por kjo nuk do të thotë se nuk mund të biem dakord për shumë gjëra”.- tha Mogherini

Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme në BE, Mogherini tha se Turqia është aleat i BE-së, vend i NATO-s, por në këtë rast janë duke bërë gjënë e gabuar. Mogherini tha se BE dënon operacionet ushtarake të Turqisë në Siri dhe kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më parë.

Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’ia bëjmë të qartë Turqisë  se ne e konsiderojmë atë shtet aleat dhe për t’i thënë se po bën gjënë e gabuar në këtë rast. Autoritetet turke duhet të marrin parasysh këshillin e partnerëve se të gjithë aleatët janë duke i kërkuar t’i japin fund konfliktit ushtarak. BE do të veprojë në unision për të mos pasur konflikt më të zgjeruar. Ka një ndërhyrje nga ana e BE për operacionet e Turqisë, ka mbështetje të fortë për procesin e ndërmjetësuar nga OKB.  Ka një dënim nga BE për operacionet ushtarake të Turqisë në Siri. Kemi një angazhim sa i përket krizës humanitare dhe të refugjatëve për njerëzit në nevojë.” tha Mogherini

Turqia nisi një sulm, fillimisht ajror dhe më pas me forca tokësore, për të luftuar popullsinë kurde në verilindje të Sirisë. Shtetet e Bashkuara tërhoqën të gjitha trupat e mbetura në Sirinë veriore, për të mos u përfshirë në luftimet e nisura nga Turqia. Kurdët kanë qenë aleati i SHBA-së për një kohë të gjatë dhe sulmet turke ndaj tyre nuk janë përkrahur nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga BE.

Debutime nga stoli. Reja: Dua përqëndrim, ndryshe humbasim

Trajneri i Kombëtares Edy Reja foli të enjten pasdite në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Turqisë. Tekniku i kuqezinjve tregoi fillimisht se skuadra është e përgatitur për këtë ndeshje, ndërsa kundërshtarin e ka studiuar me hollësi. “Grupi po fuksionon mirë. Po punojmë mirë në të gjitha aspektet. Kemi konsideratë për Turqinë, për lojtarë Burak Jilmaz, Calahanglu dhe Tosun. Po përmend sulmuesit sepse dalin më shpesh para portës. Janë lojtarë që i njoh. E ndjek kampionatin italian. Ne na duhet të jemi në kondicionin më të mirë të mundshëm. Duhet të shprehim potencialin në fushën e lojës, ndryshe do ta humbim këtë sfidë. Duhet të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz për këtë ekip sepse e meriton”, tha Reja.

Mungesat do të jenë një problem për trajnerin italian të kuqezinjve. Të paktën mbrojtësi Elseid Hysaj, që u dëmtua disa ditë më parë me Napolin. Megjithatë, ai beson se çdo futbollist që do të luajë do të bëjë mirë. “Hysajn e dimë mirë rëndësinë që kishte, por kush do të luajë, do të bëjë mirë. Ky është një test i rëndësishëm për ne sepse përmes kësaj ndeshje mund të bëjmë vlerësime, nëse po përmirësohemi në aspektin individual dhe kolektiv. Do të na japë përgjigje, uroj pozitive që ka ndodhur rritja, duhet të marrim në konsideratë se kemi ndryshuar gjëra, kanë ardhur lojtarë të rinj edhe muajt e kaluar. Pres përmirësime të tjera dhe nëse do të jenë, do të thotë që kemi marrë rrugën e duhur”, shprehet Reja.

Në fjalën e tij, Reja tregoi se Turqinë e njeh mirë si ekip, pasi ka studiuar çdo ndeshje të saj. Sipas tij, kundërshtari ëshë i rrezikshëm në disa aspekte. “Nuk kam parë vetëm atë ndeshje, kam parë Turqinë edhe në ndeshje të tjera, kur ka luajtur në shtëpi si me Francën që e ka mundur, që nuk është  lehtë, ka bërë mirë edhe në Shkodër duke fituar 2-0. Qartësisht që kjo është një ndeshje që duhet përballuar me vendosmëri, duhet të jemi të aftë taktikisht, janë të fortë fizikisht e teknikisht, kanë bërë gol me goditje standarde e janë të rrezikshëm, por këto janë vëmendjet nesër në darke dhe nëse do të jemi të vëmendshëm do të jetë më e lehtë të bëjmë një paraqitje të mirë, bëjmë edhe rezultat”, tha Reja.

Nga skuadra pret të shoh përmirësime në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Islandës, ndërsa tregoi se nga lojtarët e grumbulluar rishtaz nuk do të debutojnë direkt. Sipas tij, të paktën dy lojtarë të rinj, do ta nisin nga stoli.  “Ajo që më intereson në mënyrë të veçantë është që të shoh përmirësimet në krahasim me ndeshjen e fundit, pres një paraqitje të mirë gjatë 90 minutave, se nuk duhet të ulim asnjëherë vëmendjen, se bëhet e rrezikshme se janë të aftë. Jo debutues jo. Në pankinë do të ketë 2 lojtarë, që po presin shansin e tyre dhe mund të futen në fushë si zëvendësues”, përfundoi Reja.

Turqia, delja jonë e zezë. I “hëngri kokën” Panuccit

Të premten në 20:45, kombëtarja jonë e futbollit do të përballet në Stamboll me Turqinë, në ndeshjen e turit të shtatë eliminator, për Euro 2020. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja do të tentojnë mrekullinë në këtë sfidë, pavarësisht se skuadra vendase vjen si favorite. Ajo e së premtes do të jetë përballja e dhjetë midis Shqipërisë dhe Turqisë në futboll, e teta ndeshje zyrtare, ndërsa 2 janë miqësore. Po çfarë thonë statistikat për përballjet mes dy kombëtareve. Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Turqisë daton në vitin e largët 1970, në kualifikueset e evropianit.

Në takimin e datës 13 dhjetor të vitit 1970, kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, në 14 nëntor 1971, Shqipëria fitonte 3-0 ndaj turqisë. Një dekadë më pas, dy kombëtaret do të takoheshin përsëri në eliminatoret e evropianit. Në 27 tetor të vitit 1982, Turqia fitonte minimalisht në shtëpi me rezultatin 1-0, ndërsa ndeshja e kthimit në Tiranë, në 11 maj 1983 përfundoi në barazim 1-1.

Pas këtij takimi, do të duheshin gati dy dekada që dy skuadrat të përballeshin mes tyre. ishte 22 prilli i vitit 2001, kur kombëtarja jonë u përball me Turqinë në transfertë në një takim miqësor, të cilin e fitoi me rezultatin 2-0. Katër vite më vonë, në 2005, Shqipëria e gjen veten në të njëjtin grup me Turqinë për kualifikueset e botërorit.

Turqit fituan të dyja takimet, të parin në shtëpi me rezultatin 2-0, ndërsa të dytin në Tiranë me rezultatin 0-1. Pas 2005, kombëtarja jonë përballet në takimin e radhës me Turqinë në Antalia, në 13 nëntor 2017. Takimi u fitua nga kuqezinjtë tanë me rezultatin 2-3, në atë kohë drejtuar nga Christian Panucci, ndërsa golat ishin dopieta e Sadikut dhe një i Eros Grezdës, të dy mungojnë në takimin e së premtes.

Ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Turqisë, ishte ajo e 22 marsit të këtij viti, kur kuqezinjtë drejtoheshin përsëri nga Christian Panucci, por në ndryshim nga 2017, ndeshja e këtij viti ishte zyrtare dhe Turqia fitoi me rezultatin 0-2 në Shkodër.

Ajo ishte në fakt dhe ndeshja e fundit e Christian Panuccit në krye të kombëtares tonë, pasi pas asaj humbje, FSHF vendosi t`i komunikonte trajnerit italian shkarkimin në orët e para të mëngjesit të datës 23 mars, ndërsa në maj të këtij viti, drejtimin e kuqezinjve e mori Edy Reja. Ndërkohë, sa i përket vlerave financiare, skuadra jonë kushton rreth 68 milion euro, ndërsa ajo turke kushton gati sa trefishi i kuqezinjve, me rreth 183 milion euro. /Realstory.al/

Turqia nis operacionin në veri të Sirisë

Turqia nisi një operacion ushtarak të planifikuar për një kohë të gjatë në veriun e Sirisë për të nxjerrë forcat kurde të etiketuara nga Ankaraja si terroristë, por që shihen nga shumica e Perëndimit si partnerë kryesorë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi fillimin e operacionit, të quajtur “Pranvera e Paqes” dhe tha se ai kishte për qëllim zhdukjen e “kërcënimit të terrorit” kundër Turqisë. Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët (FDS) thanë që avionët luftarak turq po godasin zona civile, duke shkaktuar panik të madh.

Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm të Shtëpisë së Bardhë se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni, duke i hapur rrugën operacionit ushtarak turk. Presidenti Donald Trump po vazhdon të mbrojë vendimin e tij, mes kritikave të gjera në Uashington, duke thënë se “luftërat e kota të pafundme për ne po mbarojnë!”

“Luftimet mes grupeve të ndryshme kanë vazhduar për qindra vjet. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kishte qenë kurrë në Lindjen e Mesme. Lëvizëm 50 ushtarët tanë! Turqia DUHET të marrë përsipër luftëtarët e kapur të ISIS-it që Evropa nuk pranoi të ktheheshin. Luftërat e kota, pa fund, për ne, po mbarojnë! ”, tha Presidenti Trump të mërkurën, në një seri postimesh në Twitter për këtë çështje.

Si ligjvënësit demokratë edhe ata republikanë kanë kritikuar ashpër tërheqjen amerikane nga Siria veriore, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po braktisnin kurdët sirianë që kishin luftuar grupin terrorist Shteti Islamik së bashku me trupat amerikane.

“Nëse e dëgjoj presidentin të thotë edhe një herë,” bëra një premtim fushate për të dalë nga Siria, “do më turbullohet stomaku”, tha senatori republikan Lindsay Graham për Axios. “Ai bëri një betim për të mbrojtur kombin kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe vendas. Nuk ka asnjë armik më të madh për kombin tonë se ISIS. Dhe nuk ka asnjë mënyrë që ta mbrojmë vendin nga Islami radikal pa partnerë si kurdët.”

Përpara sulmit turk, Forcat Demokratike Siriane lëshoi thirrjen e vet për vendet e përfshira në koalicionin për të mposhtur ISIS-in dhe për të shmangur një katastrofë humanitare në veri të Sirisë.

“Të gjithë treguesit, informacionet në terren dhe grumbullimet ushtarake në anën turke të kufirit tregojnë se zonat tona kufitare do të sulmohen nga Turqia, në bashkëpunim me opozitën siriane të lidhur me Turqinë,” tha FDS. “Ky sulm do të sjell viktima në radhët  e mijëra civilëve të pafajshëm sepse zonat tona kufitare janë të mbingarkuara.”

Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk po braktis kurdët që luftuan me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit kundër ISIS-it. Në të njëjtën kohë, ai ka lavdëruar edhe Turqinë, duke e ftuar Presidentin Erdogan të vizitojë Shtëpinë e Bardhë muajin tjetër (13 nëntor), ndërsa e quajti Ankaranë një “partner të madh tregtar” dhe i atribuojë qeverisë turke “ndihmën për të shpëtuar shumë jetë njerëzish në provincën Idlib”.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë konfirmuan se kanë ripozicionuar rreth 50 anëtarë të forcës speciale amerikane, të cilët kishin vepruar përgjatë kufirit Turqi-Siri, për shkak të rreziqeve të sigurisë.

“Fatkeqësisht, Turqia ka zgjedhur të veprojë në mënyrë të njëanshme,” tha zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Rath Hoffman në një deklaratë, të martën. “Si rezultat, ne kemi zhvendosur forcat amerikane në veriun e Sirisë larg nga rruga e inkursionit të mundshëm turk për të ruajtur sigurinë e tyre,” shtoi ai. “Deri tani nuk kemi bërë asnjë ndryshim në praninë tonë ushtarake në Siri.”/VOA/

Skip to toolbar