SHBA dhuron pajisje për asgjësimin e “pakove bombë”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Ushtrisë Shqiptare disa pajisje që shëbejnë për shpërthimin e kontrolluar të lëndëve plasëse. Pajisjet i janë dorëzuar Batalionit Xhenier të Forcave të Armatosura Shqiptare. Njoftimin e dha me anë të një deklarate për shtyp Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhuroi muajin e kaluar pajisje për asgjësimin e lëndëve plasëse për Batalionin Xhenier të Forcave të Armatosura Shqiptare. Pajisjet do të përdoren për të rritur aftësitë e forcave të armatosura shqiptare në asgjësimin e lëndëve plasëse, në mbështetje të operacioneve aktuale të Shqipërisë me NATO-n, si dhe në mbështetje të operacioneve të ardhshme paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në mbarë botën. Ne jemi NATO”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Dhurimi i pajisjeve për shpërthimin e kontrolluar të lëndëve plasëse është kontributi i radhës që SHBA i jep institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhuruan pesë poligrafë të cilët do të përdoren për Byronë Kombëtare të Hetimit. Poligrafët do të përdoren gjatë intervistimit të kandidatëve që do të synojnë të bëhen pjesë e BKH-s, por më vonë ato mund të përdoren edhe për qëllime hetimi.

Zjarri në Shëngjin, reagon Xhaçka: Në terren ushtria, s`ka rrezik për banesat

Situata e rënduar nga zjarret në vendin tonë, ka bërë që të dalin në terren Forcat e Armatosura. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka reguar detaje nga operacioni që po zhvillohet në kodrën e Shëngjinit, ku prej dy ditësh ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Xhaçka shkruan se flakët janë duke u mbajtur nën kontroll, ndërsa thekson se deri tani nuk rrezikohet asnjë banesë.

“Kontribut i përbashkët i trupave dhe mjeteve të MZSH, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura dhe banorëve për mbajtjen nën kontroll të zjarrit të rënë në kurorën e gjelbër të Shëngjinit. Asnjë banesë e rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen e plotë të flakëve”, shkruan Xhaçka.

Për shuarjen e zjarrit në Shëngjin mësohet të jenë bashkuar rreth 200 trupa të ushtrisë, forcave zjarrfikëse dhe shërbimeve të tjera të pushtetit vendor dhe atij qendror. Ndërkohë, më herët gjatë të premtes, Bashkia e Tiranës i shkoi në ndihmë Bashkisë së Lezhës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Shëngjin.

Kontribut i përbashkët i trupave dhe mjeteve të MZSH, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura dhe banorëve për mbajtjen…

Gepostet von Olta Xhacka am Freitag, 23. August 2019

Maqedonia e Veriut ndryshon emrin e ushtrisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski  ka njoftuar se ushtria do të ketë një emër të ri.  Armata e Maqedonisë së Veriut është emri i ri i ushtrisë së vendit, e cila pason ndryshimin e emrit të vetë shtetit.

“Nënshkrova dekretin për mbishkrimet në uniformat e armatës. Tash e tutje do të jetë Armata e Maqedonisë së Veriut. Do të thotë, ka përfunduar edhe kjo pjesë teknike dhe në periudhën e ardhshme furnizimet do të bëhen me mbishkrimet e reja” – tha Pendarovski  

Tashmë pritet që ushtria të furnizohet me uniformat e reja që do të kenë të shkruar emrin e ri të saj “Armata e Maqedonisë së Veriut”.

Rama, mesazh Metës me juntë ushtarake

Presidenti Meta kërkoi informacion se ku mbështet në Kushtetutë vendimi për mbrojtjen e aeroportit me forca ushtarake, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama.

Përmes një fotoje në instagram, Rama shkruan se në shumë aeroporte të botës ka prani të forcave ushtarake, ndërsa i cilësoi marrëzira të gjitha deklaratat për shkelje të Kushtetutës dhe juntë ushtarake.

“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike” – shkruan Rama, bashkëngjitur fotos nga forcat e sigurisë në aeroportet ndërkombëtare.

Pak kohë më parë presidenti Ilir Meta deklaroi se ishte gati të sakrifikonte, nga dorëzimi i mandatit si President deri tek “sakrifikimi i jetës si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

“Kjo gjë nuk i takon Presidentit”. Xhaçka i përgjigjet Metës

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka folur nga Rinasi për vendimin që ushtria të garantojë sigurinë e aeroportit, ku edhe i ka kthyer përgjigje presidentit, Ilir Meta.

Sipas saj presidenti i Republikës do të marrë informacionin e duhur, por vendimi nuk është në kompetencën e tij.

Në deklaratën e saj, Xhaçka ka sqaruar se nuk jemi në gjendje lufte, por për shkak se konçensionari nuk garanton dot sigurinë e aeroportit, që është një objekt i rëndësisë së veçantë, këtë gjë do ta bëjë ushtria.

“Kam ardhur në komandën e Forcave të Armatosura për të marrë informacion dhe për të parë gjërat që po planifikohen deri në masat përfundimtare që do marrë kompania koncensionare. Nuk ka dislokim trupash, nuk kemi luftë, nuk kemi as emergjencë, kemi cënim të sigurisë të një objekti të rëndësisë së veçantë. Jemi të detyruar të garantojmë sigurimin e perimetrit përmes policisë ushtarake. Nuk është nevoja të evokohet Kushtetuta apo ligje të ndryshme. Prioriteti  ynë është sigurimi i qytetarëve”, tha Xhaçka.

“Asesi kjo gjë nuk i takon Presidentit, kompetencat i ka dikush tjetër. Jemi këtu për të parë zbatimin e Ligjit”, sqaroi ministrja.

Pak më parë presidenti Meta i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA se ku është bazuar në kushtetutë vendimi për ruajtjen e aeroportit me forca ushtarake.

Ushtria merr në mbrojtje Rinasin, por Presidenti kërkon informacion

Duket se Presidenti Ilir Meta ka rezerva në lidhje me vendimin e qeverisë që siguria në aeroportin e Rinasit të garantohet nga Ushtria.

Gjatë ditës së sotme zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka konfirmuar se presidenti i Republikës i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Bardhyl Kollçaku se kush është baza ligjore të cilës i është referuar Ministria e Mbrojtjes,  për të vendosur efektivët e Policisë Ushtarake dhe Batalionin e Forcave të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportin “Nënën Tereza”.

 “Presidenti i Republikës i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza. Pasi të ketë një informacion më të plotë mund të bëjë një reagim publik”, thekson zëdhënësi i Presidentit.

Një ditë më parë ka qenë vetë ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila njoftoi që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” do të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura. Sipas saj kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet evropian për garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë.

Pritet të kemi një tjetër reagim nga presidenti në orët në vijim.

Plagoset pasi tentoi të çaj gardhin e ushtrisë

“U qëllua dy herë në ajër për ta paralajmëruar, por nuk ndaloi, në këtë rast u qëllua në këmbën e tij.” – këto ishin fjalët e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut në lidhje me një person që tentoi të futej në repartin ushtarak në Shkup.

Ministria nuk bëri të ditur identitetin e personit apo arsyet që e çuan të ndërmerrni këtë veprim, por tha se ishte shtruar në spital ku po merr dhe mjekimin e nevojshëm.

Gjenden armë nga ’97, ushtria zhvendos predhat në Shkodër

Municione luftarake të mbetura që nga viti 1997 janë zbuluar në një magazinë në Dobraç të Shkodrës dhe janë zhvendosur nga Forcat Ushtarake.

Ministrja e Mbrojtjes bën të ditur përmes një njoftimi se “struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme EOD e batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetëse u angazhua në operacionin e heqjes së një sasie municioni të gjetur në ambientet e një magazine të braktisur në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës, e cila i përkiste “Institutit të misrit”, tashmë i privatizuar.

Alarmin për prezencën e këtij municioni e dha pronari i këtij objekti, i cili duke pastruar ambientet e kësaj godine ka evidentuar sasinë e municioneve luftarake.  

Specialistët  EOD  pasi evidentuan prezencën e municioneve luftarake, konstatuan se bëhej fjalë për 4 predha GHLKT “Granatë Hedhës i Lehtë Kundër-Tank” si dhe 1 granatë dore mësymëse.

Për shkak të llojit të tyre, municionet e gjetura në magazinë, dyshohet të jenë marrë nga depot e Forcave të Armatosura në vitin 1997.

Ekspertët e kompanisë EOD, morën masa për sigurimin e vendit dhe nëpërmjet automjeteve speciale, bënë të mundur transportimin e predhave dhe magazinimin e tyre në depot ushtarake të batalionit të Xhenios”, shkruhet në njoftim.

Skip to toolbar