Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë
Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pasditen e të mërkurës, pas vendimit të
Gjykatës së Durrësit, për të mos njohur mandatin e të zgjedhurës në krye të
bashkisë së këtij qyteti Valbona Sako. Balla ka shprehur indinjatën për këtë
akt të gjyqtares së Durrësit, duke u shprehur se ajo ka shkelur në mënyrë
flagrante ligjin.
“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe
nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të
përpjekjes se deshpëruar per kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë.
Pavarësisht kesaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në
respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së
vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë
dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”.
“Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite
që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje
flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit
Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe
vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme. Sidoqoftë
me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të
vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor”, shkruan Balla.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të mos njohur mandatin e Valbona Sakos, është përshëndetur nga drejtuesit e opozitës. Basha dhe Kryemadhi e kanë lexuar këtë si një fitore të tyre, duke kërkuar hetim penal për anëtarët e KQZ-së, që sipas tyre kanë shpërdoruar detyrën me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Por, vendimi i Gjykatës së Durrësit ishte në kundërshtim me vendimin e të tjera gjykatave në vend, si psh, asaj të Korçës, që njohu Erion Isain si kryetar të Bashkisë Kolonjë, pavarësisht se në këtë bashki kandidonte dhe një tjetër person nga radhët e Bindjes Demokratike.
Thënë kjo, pasi në vendimin e Gjykatës së Durrësit, argumenti i vetëm për refuzimin e mandatit të Valbona Sakos, ishte pikërisht ‘regjistrimi i Bindjes Demokratike’ jashtë fateve ligjore për pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencë për të gjykuar kërkesën njohjes së mandatit, e bërë nga kandidati fitues i PS në Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Tashmë, pritet me interes një tjetër vendim i Gjykatës së Tiranës, e cila do të duhet që në ditët në vijim të gjykojë mandatin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili dorëzoi kërkesën për njohjen e mandatit nga Gjykata e Tiranës këtë të mërkurë.