Mandati Sakos, Kryemadhi: Hetim ndaj KQZ

AKTUALITET


Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për të cilësuar të pavlefshëm mandatin e bashkiakes së zgjedhur në 30 qershor, Valbona Sako. Kryemadhi e ka cilësuar këtë si “pavlefshmëri absolute” të zgjedhjeve, duke akuzuar KQZ se ka shpërdoruar detyrën. “Nul! Pavlefshmëri absolute! Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, shefja e LSI, i kërkon Arta Markut që të fillojë menjëherë çështjen penale ndaj anëtarëve të KQZ për “Shpërdorim detyre”. “Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim. Gjithçka konsiderohet nul. A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike?? Nul i gjithë procesi. Zgjedhje nuk ka patur. E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ? I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ”, shkruan Kryemadhi.





Skip to toolbar