Balla: Gjykata shkeli ligjin në Durrës, mandatin e jep KQZ

AKTUALITET


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pasditen e të mërkurës, pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, për të mos njohur mandatin e të zgjedhurës në krye të bashkisë së këtij qyteti Valbona Sako. Balla ka shprehur indinjatën për këtë akt të gjyqtares së Durrësit, duke u shprehur se ajo ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin.

“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes se deshpëruar per kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë. Pavarësisht kesaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”.


“Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme. Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor”, shkruan Balla.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të mos njohur mandatin e Valbona Sakos, është përshëndetur nga drejtuesit e opozitës. Basha dhe Kryemadhi e kanë lexuar këtë si një fitore të tyre, duke kërkuar hetim penal për anëtarët e KQZ-së, që sipas tyre kanë shpërdoruar detyrën me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Por, vendimi i Gjykatës së Durrësit ishte në kundërshtim me vendimin e të tjera gjykatave  në vend, si psh, asaj të Korçës, që njohu Erion Isain si kryetar të Bashkisë Kolonjë, pavarësisht se në këtë bashki kandidonte dhe një tjetër person nga radhët e Bindjes Demokratike.

Thënë kjo, pasi në vendimin e Gjykatës së Durrësit, argumenti i vetëm për refuzimin e mandatit të Valbona Sakos, ishte pikërisht ‘regjistrimi i Bindjes Demokratike’ jashtë fateve ligjore për pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencë për të gjykuar kërkesën njohjes së mandatit, e bërë nga kandidati fitues i PS në Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Tashmë, pritet me interes një tjetër vendim i Gjykatës së Tiranës, e cila do të duhet që në ditët në vijim të gjykojë mandatin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili dorëzoi kërkesën për njohjen e mandatit nga Gjykata e Tiranës këtë të mërkurë.




Skip to toolbar