Bllokohet Lamborghini, Veliaj: Makina yll, parkimi fyll

Aksioni i policisë bashkiake për të mos lejuar makinat të parkojnë në vende të gabuara nuk kursen askënd, as makinat luksoze të kryeqytetit. “Viktimë” e aksionit është bërë një makinë Lamborghini, e cila është bllokuar nga policia si dhe ka marrë gjobë, pasi ishte parkuar në vend të gabuar.

Rasti është bërë publik nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili i paralajmëron të gjithë që të parkojnë në vendin e duhur.

“Makina yll, parkimi fyll! Sot merr gjobën, herën tjetër kur të parkosh lambon gjeje një vend më të mirë. Po pse më çuna?! Më doli goja duke ju thënë” shkruan Veliaj në Facebook.

Veliaj: Teatri, një histeri kolektive. Jemi muaj larg shembjes së tij

Teatri Kombëtar nuk do të shembet së shpejti. Kështu është shprehur të hënën kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili e ka cilësuar një histeri kolektive protestat në mbrojtje të tij të organizuara nga militantë të PD-së, dhe një grup aktorësh.

Veliaj bën të ditur se sa është hapur tenderi për firmën që do të fitojë të drejtën për të ndërtuar teatrin e ri, ndërsa godina e vjetër do të shembet pas disa muajsh.

“Teatri është ilustrim ideal i histerisë kolektive. Shkon drejtori i vjetër me një dumdum që të marrë dy-tre dosje, arkivën, financën duke qenë se ka dy vjet se janë te ArtTurbina dhe krejt papritur plas histeria se do prishet teatri, por jemi muaj larg. Ka dy muaj kohë thirrja që kemi hapur.

Ne në 22 korrik hapëm thirrjen për teatrin, që do të jetë dy muaj, këta i kanë betejat imagjinare, janë vetëm te kokat e tyre, pasi në realitetin jashtë jeta vijon normalisht. Shumë prej vendimeve që ju mund t’u duken të pafajshme mund të përballen me histeri.

Dëgjoj këta që flasin si ekspertë për teatrin, Soreca sapo tha se kjo është politizuar. Gara për Teatrin është hapur me ligjin e ri. Të shkojmë në një teatër pa tallash, jo me kollë dhe aktorët të mos ndërrohen në korridore”, u shpreh Veliaj.

Aktualisht godina e teatrit mbrohet me turne nga mbështetës të PD-së, dhe ish deputetë të saj, si dhe nga një grup aktorësh që kundërshtojnë shembjen e tij.

Veliaj: Teatri do bëhet, Tirana jo peng e dështakëve

Qyteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë minorancë e zhurmshme. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Denveri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku mori në konferencën vjetore me temë “Qytete që rriten me gjelbërim”, në të cilën prezantoi Tiranën dhe projektet transformuese të saj, u shpreh se qyteti nuk mund të ndalet në rrugën për të ecur përpara me Teatrin Kombëtar, Unazën e Re, zgjatimin e Lanës apo Bulevardin e Ri, pavarësisht kundërshtive që mund të kenë pakica të caktuara të lidhura me politikën.

Kryebashkiaku tha se ashtu siç janë kundërshtuar çdo gjë e mirë e bërë nga Bashkia e Tiranës për qytetarët në këto 4 vjet, edhe projekti i Teatrit të Ri do të zhvillohet dhe kryeqyteti do ketë një teatër modern, bashkëkohor, i cili do t’i shërbejë si aktorëve, ashtu edhe artdashësve.

“Kemi kaluar disa sfida në mandatin tonë të parë: mbaj mend këndet e lodrave, protestat kundër tyre. Edhe këtu në Amerikë shumë prej projekteve që sjellin ndryshim përshkohen nga një sens histerie, protestash apo pakënaqësie. Megjithatë, kur ndryshimi vjen, përqafohet nga të gjithë. Në Tiranë ndryshimi do të vijë edhe për çështje shumë të debatueshme, si zgjatimi i Lanës, Unaza e Madhe, Teatri i Ri Kombëtar, por janë ndryshime absolutisht të nevojshme dhe të pakontestueshme. Pra, nuk mundet që qyteti të mbahet peng prej disa minorancave që do ekzistojnë gjithmonë, dhe gjithmonë nuk do të bien dakord. Më vjen mirë se si Tirana, në aktivitetin më të madh të bashkive në SHBA, është sot imazhi i një Shqipërie moderne, i një Shqipërie që po ndryshon, që ka plot probleme, por që më e mira është përpara”, tha Veliaj.

Duke iu referuar pikërisht temës së diskutimit të këtij takimi, kryebashkiaku u shpreh i kënaqur që Tirana është përzgjedhur si model suksesi për nismat në shtimin e gjelbërimit, duke filluar nga zbatimi i projektit të Pyllit Orbital e deri investimet në parqe, çka ka sjellë edhe një frekuentim masiv të tyre. “Jam shumë krenar për të gjitha ato që kemi arritur në Tiranë. Një nga gjërat për të cilat po shquhet Tirana janë hapësirat e gjelbërta. Sapo kemi filluar rehabilitimin e Parkut Rinia, kemi mbaruar Parkun e Liqenit, që është parku tradicional i Tiranës, por ambicia për 4 vitet e tjera është që të vazhdojmë me Parkun e Kasharit, me Parkun e Farkës. E mbi të gjitha, të vijojmë me Parkun Qendror te Bulevardi i Ri dhe parkun linear në të dyja brigjet e lumit të Tiranës. E shohim Bulevardin e Ri jo vetëm si një hapësirë të financës dhe teknologjisë, të hoteleve të ardhshme, por e shohim kryesisht të lidhur me parqet që do të ndërtohen në atë zonë”, theksoi ai.

Më tej, Veliaj nënvizoi se nisur nga mënyra se si qytetarët i kanë pritur këto ndryshime, edhe në 4 vitet e ardhshme të mandatit të dytë, shtimi i hapësirave të gjelbra dhe politikat që sjellin një mjedis të pastër, do të jenë në qendër të vëmendjes së Bashkisë Tiranë.

“Njerëzit preferojnë ta kenë shtëpinë, punën, rutinën e ditës, pranë një parku dhe një hapësire të gjelbërt. Nëse do të kishte një refren ose një etiketë për 4 vitet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës, do të ishin 4 vitet e hapësirave të gjelbërta, parqeve dhe të këndeve të lodrave. Kemi parë se si vlera e pronës është rritur aty ku ka një park. Kemi parë se si ekonomia është zhvilluar, janë krijuar më shumë vende pune, dhe do të doja shumë që reputacioni i Tiranës të ishte rreth parqeve”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj hapi Kongresin vjetor me temë “Qytete që rriten me gjelbërim”, ku morën pjesë mbi 1.000 kryetarë bashkish dhe menaxherë qytetesh nga 200 bashki të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë. Në vitet e fundit, takimi “Greater & Greener” ka tërhequr folës dhe liderë nga mbi 20 vende, duke përfshirë kryebashkiakun e qytetit të Nju Jork-ut, Michael Bloomberg, kryebashkiakun e San Franciskos, Ed Lee, Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Neësom etj.

Plani Vendor për Tiranën 2030, transformimi i Sheshit “Skënderbej” dhe fokusi tek investimet urbane për krijimin e “Pyllit Orbital” përreth qytetit, kanë tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të qyteteve të tjera dhe të urbanistëve në të gjithë botën.

Rikonstruktohet shkolla “Jeronim De Rada”, Veliaj: Fund mësimit me turne

Pas 54 vitesh, me mbështetjen e Katarit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Jeronim De Rada”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, çka shmang përfundimisht mësimin me dy turne. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me mikun tim, ambasadorin e Katarit, jemi në fillimin e punimeve për shkollën “Jeronim De Rada”, një shkollë që do duket totalisht e re, jo vetëm sepse do të rikonstruktohet nga e para, por sepse do t’i shtohet një palestër, do t’i shtohen disa klasa për të shmangur përfundimisht mësimin me dy turne. Një bekim i madh, edhe një arritje e madhe për Njësinë 9, por sigurisht për zonën e rrugës “Fortuzi’”, tha Veliaj.

“Bashkia po bën edhe 17 shkolla të reja me forcat e saj, ndërkohë për shkollat ekzistuese kemi zgjedhur partneritete me miqtë e Shqipërisë, siç është Ambasada e Katarit, për t’u siguruar që edhe nevojat në shkollat ekzistuese të plotësohen. Kështu, do të kemi një komunitet që e shikon si shkollën si qendër komunitare, jo thjesht si një vend parkimi, 6 orë, për fëmijët. Kemi një plan zyrtar për t’i përfunduar punimet deri në shtatorin tjetër. Megjithatë, sot morëm një premtim që do të sforcohemi pak, ndoshta dhe me dy-tre turne, për t’u siguruar që ndoshta që në semestrin tjetër të kemi gati shkollën e re “Jeronim De Rada’”, tha Veliaj.

Shkolla “Jeronim De Rada” është ndërtuar në vitin 1965 dhe që prej atëherë nuk është ndërhyrë plotësisht. Falë rikonstruksionit të plotë, kjo shkollë do të ketë më shumë klasa, nyje sanitare, një palestër të re me ambiente ndihmëse, laboratorë të mirëpajisur, si dhe vendosjen e sistemit qendror të ngrohjes.

Veliaj mesazh Bashës: Të mos përdorë lidhjen me Holandën për të nxirë vendin

I konfirmuar në zgjedhjet e 30 qershorit për të qeverisur Tiranën edhe për një mandat të dytë, kryebashkiaku Erjon Veliaj i ka çuar një mesazh kreut të PD-së, Lulzim Basha. Nga Holanda ku ka marrë pjesë në takimin e arkitektëve më të njohur të botës, Veliaj ka kërkuar që politikanët shqiptar të mos i përdorin lidhjet e tyre me Holandën për të nxirë Shqipërinë.

Një mesazh ky i drejtëpërdrejtë për kreun e opozitës që njihet për lidhjet e tij në Holandë për shkak se ka studiuar dhe punuar atje.

Veliaj theksoi se takime të tilla, ku Tirana prezantohet me arritjet e saj pozitive në fusha si arkitektura dhe urbanistika, janë një mënyrë e mirë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, sidomos në vende skeptike si Holanda. “Është posaçërisht kënaqësi kur e bëjmë këtë në Holandë, një vend që duhet ta pranojmë, është skeptik, ka nevojë për më shumë informacion, ka nevojë të kuptojë se Shqipëria është një vend evropian, dhe rreziku nuk vjen nga Shqipëria e vogël kur sheh gjithë këto transformime. Bëhet sfidë komunikimi i historisë së suksesit të Shqipërisë në Holandë, sidomos kur kemi një pjesë të politikës që ka lidhje me Holandën dhe që mundohet që sherret, mëritë, zemëratën, e debatet e Shqipërisë t’i kalojë edhe në Holandë. Do të doja që të ishim një ‘antidot’ dhe do të jemi më të pranishëm në Holandë me takime të tilla, për t’u siguruar që dëgjohet e gjithë historia”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se është e rëndësishme që politikanë të ndryshëm të Shqipërisë t’i shfrytëzojnë njohjet e tyre me vendet e europiane, në rastin konkret me Holandën, për të prezantuar vendin tonë si një vend proeuropian dhe të mos bëjnë politika që dëmtojnë mbi të gjitha interesat e qytetarëve shqiptarë. “E kuptoj që lidhjen me Holandën dhe njohjen që kanë me politikën këtu, disa politikanë e përdorin jo si një mundësi për ta ngritur lart Shqipërinë, por si mundësi për ta sharë, fyer e denigruar atë, por kjo duhet të marrë fund. Ndaj, besoj se si qytet, si histori suksesi e Tiranës, platforma të tilla të arkitekturës dhe urbanistikës janë një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë e Shqipërisë”, shtoi ai.

Kryebashkiaku tha se është shumë e rëndësishme që e gjithë klasa politike të bashkohet dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit se sa për interesat e ngushta të politikës së ditës. “Ne nuk jemi një vend perfekt, por jemi një vend i cili ka kaluar një histori shumë të vështirë dhe sot ka nevojë që, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej PS-së dhe PD-së, të bashkohemi për të folur mirë në gjuhë të huaj, sa herë vjen fjala për Shqipërinë. Ndaj, besoj se kolegët holandezë, por edhe shumë prej mediave që po ndjekin zhvillimet në Shqipëri, kanë arritur të kuptojnë se me shumë vështirësi po ecim përpara dhe nuk e meritojmë gjithë lumin e baltës që disa shqiptarë vulëhumbur sjellin në Holandë ose në vende të tjera skeptike. Sot na duhet që për çështje të interesit kombëtar, për çështjet e Bashkimit Europian, për çështjet e avancimit të emrit Shqipëri, duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha Veliaj i cili i ka vënë shumë rëndësi retorikës së tij politike dhe sulmeve ndaj krerëve të opozitës.

Kjo u pa edhe gjatë fushatës elektorale ku ndryshe nga hera e kaluar, Veliaj u shfaq i ashpër me opozitën dhe krerët e saj dhe duke u përfshirë në debatin politik të ditës.

Bashkia “prangos” Lamborginin, Veliaj: Parko si në Gjermani

Policia bashkiake ka bllokuar një makinë luksoze tip “Lamborgini” pasi kishte parkuar gabim disa herë në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj ka publikuar fotot në rrjetet sociale dhe ka shpërndarë edhe një këshillë.

 “Lamborghinin ta kesh me jetë lali, por mëso të parkosh, sicc parkon dhe në Gjermani! Faleminderit qytetarëve që raportojnë çdo ditë problematikat tek aplikacioni “Tirana Ime” – një mundësi që secili të sillet si kryetar bashkie për mëhallën e vet”, shkruan Veliaj.

Bashkia ka publikuar fotot që tregojnë të njëjtin mjet duke parkuar tre herë gabim në vende të ndryshme. Po këto gabime nuk tolerohen në kryeqytet ku parkimi në shumicën e rrugëve është bërë me pagesë.

Veliaj hedh votën dhe “bën fushatë” për kundërshtarin: Skënderi është çun Tirone

Kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ka votuar i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që të marrin pjesë në zgjedhje për të përcaktuar të ardhmen e qytetit dhe të lënë pas mëritë politike. I gjendur disi i vetëm në këtë fushatë zgjedhore (për shkak të mungesës së PD-së) Veliaj nuk ka harruar të përmendë rivalin e tij, Arben Skënderin, i cili garon përballë tij nën siglën e partisë Bindja Demokratike.

“Jam shumë i emocionuar sot teksa vendosim si do vazhdojë qyteti. I bëj thirrje qytetarëve të dalin të votojnë. Këto zgjedhje janë për qytetin tonë, për çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Ndaj politizimi për zgjedhjet nuk është për të larë hesapet që dikush ka me të kaluarën pasi kjo nuk ka sens, por ka të bëjë me të ardhmen e qytetit.  Ndaj dhe dua të falenderoj garuesin tjetër. Arben Skënderi është një çun Tirone, pavarësisht bindjeve të ndryshme që ne kemi, një gjë na bashkon se kemi vendosur që fëmijët tanë, t’i rrisim këtu. Këtë qytet e kemi shtëpinë tonë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë në këto zgjedhje”, tha Veliaj i cili më pas bëri thirrje që qytetarët të gjejnë një moment për të hedhur votën pasi ajo përcakton të ardhmen.

Erion Veliaj në këto zgjedhje ka pasur përballë kandidatin e Bindjes Demokratike, Arben Skënderi i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë  Tiranës në kohën kur ajo drejtohej nga Basha. Por kur PD vendosi të mos futet në zgjedhjet vendore, Skënderi si shumë demokratë të tjerë iu bashkua Bindjes Demokratike, të Astrit Patozit.

Veliaj për Euronews: Rusia po sponsorizon protestat e opozitës

Kandidati socialist për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për Euronews ka thënë se protestat e opozitës po sponsorizohen nga Rusia.

Ai tha se shumica e shqiptarëve duan që reforma në drejtësi të funksionojë dhe kërkojnë që të largohen nga ndikimi rus që po sponsorizon protestat e opozitës.

“Në qoftë se disa njerëz po humbin të mirat e tyre, nëse disa njerëz po ballafaqohen me transparencën, nëse gjyqtarët e rinj po i nxjerrin ata para drejtësisë, dhe nuk ka rëndësi nëse janë ministra ose kanë emër të madh në politikë, mendoj se këto flasin shumë për tranzicionin e dhimbshëm që po kalojmë, disa njerëzve u dhemb kjo, por mendoj se shumica e njerëzve duan të largohen nga ndikimi rus që po sponsorizon këto protesta”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu ka rikonfirmuar edhe njëherë se shqiptarët më 30 qershor do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive për katër vitet e ardhshme. Në një lidhje direkte me Euroneës, Veliaj theksoi se tashmë data e zgjedhjeve nuk është në duart e kryeministrit, por e vendosur nga Kushtetuta, e cila thotë se zgjedhjet duhet të zhvillohen çdo katër vite.

Kandidati socialist thekson se Bashkimi Europian dhe SHBA-të janë shprehur qartë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, duke mbështetur demokracinë në Shqipëri. Veliaj nënvizon se qëndrimi i opozitës për të mos u futur në zgjedhje lidhet me frikën e liderëve të saj të korruptuar nga reforma në drejtësi, që mbështetet fuqimisht nga SHBA-të dhe BE. Ai thotë se kjo reformë që po ndërmerr Shqipëria do të prekë disa njerëz, por theksoi Veliaj, shumica e qytetarëve shqiptarë duan të largohen nga influenca ruse që po sponsorizon këto protesta të opozitës.

INTERVISTA

Gazetarja: Le të shpjegojmë pak pse Kryeministri është kaq i vendosur për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve?

Veliaj: Nuk mendoj se kjo është në duart e Kryeministrit, por Kushtetuta ka vendosur që zgjedhjet të zhvillohen çdo katër vjet. Ne jemi një vend demokratik, nuk mund t’i ndryshojmë rregullat, demokracia është një “sport” me pjesëmarrje. Pra, nëse Kushtetuta thotë se duhet t’i zhvillojmë zgjedhjet çdo katër vjet, atëherë as Presidenti, e as ndonjë institucion tjetër, nuk e ka autoritetin të thotë që ato të zhvillohen çdo 5, 7 apo 9 vite. Mendoj se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës folën shumë qartë ditën e djeshme, ata e mbështesin demokracinë në Shqipëri, data 30 qershor është dita e zgjedhjeve dhe ne duhet të kemi zgjedhje.

Unë si kryetar bashkie nuk mund të qëndroj në zyrë më shumë se 4 vjet dhe rregullat e lojës nuk mund të injorohen në asnjë demokraci. Pra, kam një mandat, i cili përfundon më 30 qershor, dhe duhet të shkojmë për rikonformim. Në zgjedhje marrin pjesë 44 parti politike, vetëm disa nuk marrin pjesë, dhe unë mendoj se shqetësimi kryesor i tyre është reforma në drejtësi, që SHBA-të dhe BE po sponsorizojnë në Shqipëri, e cila po ecën përpara me largimin e gjyqtarëve të korruptuar, duke ndryshuar mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë, i cili nuk duhet të jetë si ankand për atë që paguan më shumë, por duhet të jetë një garë se kush ka të drejtë. Unë mendoj se reforma në drejtësi dhe fakti se disa liderëve të korruptuar të opozitës iu janë hequr vizat nga SHBA-të, apo kufizime të tjera që iu janë vendosur, janë arsyeja e kësaj situate.

Gazetarja: A jeni të shqetësuar se kjo mungesë stabiliteti mund të ndikojë në përpjekjet tuaja për t’iu bashkuar BE-së?

Veliaj: Mendoj se do të kemi më shumë impakt nëse ecim përpara me zgjedhjet, nëse vendosim se shteti i së drejtës nuk është diçka me të cilën mund të luajmë sipas oreksit të politikës. Mendoj se vendimi ynë për të respektuar Kushtetutën, për të respektuar gjykatat, për të respektuar publikun, të cilit i detyrohemi një shpjegim, i detyrohemi një garë në ditën e zgjedhjeve, është mënyra më e mirë për të respektuar ambicien tonë europiane. Ne vijmë nga një kohë kur në këtë vend nuk lejoheshin zgjedhjet, vijmë nga një kohë kur Shqipëria, Tirana, ky kryeqytet ishte si Korea e Veriut, si Pjong Jangu i Europës. Pra, mendoj se e kemi lënë pas këtë të shkuar për të ardhmen ku duhet të garojmë çdo 4 vite. Nëse Presidenti, i cili është gjithashtu bashkëshorti i njërës prej liderëve të opozitës, thotë se një pjesë e familjes së tij nuk është gati të marrë pjesë në zgjedhje, në sondazhe dalin shumë keq dhe kundërshtojnë reformat e mbështetura nga BE dhe SHBA, mund të na bashkohen kur të jenë gati, por ne s’mund t’u themi qytetarëve të shkojnë në shtëpi, derisa politikanët të bëhen gati.

Zgjedhjet bëhen që njerëzit të zgjedhin politikanët, jo politikanët të zgjedhin njerëzit. Prandaj, duhet të respektojmë datën dhe të mbështesim aleatët tanë më të mirë, të cilët kanë identifikuar datën 30 qershor si ditën e zgjedhjeve.

Gazetarja: Meqë po flasim për politikanët, çfarë duhet të ndodhë që opozita të futet në zgjedhje dhe të marrë pjesë në proces?

Veliaj: Kryeministri ka bërë shtatë përpjekje duke i dërguar letra të hapura liderit të opozitës, me ftesën për t’u ulur në tavolinë. Unë e di që ata janë të mërzitur me reformën në drejtësi dhe e di çfarë? Kanë të drejtë sepse në 30 vitet e fundit kanë vendosur gjyqtarë, të cilët nuk e shpjegojnë dot pse një Maserati, pse një Bugatti apo Lamborghini, shfaqet në derën e shtëpisë së tyre kur kanë më pak se 1 mijë euro në muaj të ardhura. E di që kjo të dhemb, por e di çfarë? Kjo duhet të ndryshojë, nuk mund ta mbajmë këtë vend peng me gjyqtarë të korruptuar ose politikanë, të cilët kanë luajtur me ligjet, me Kushtetutën, me gjykatat për 30 vitet e fundit. Unë kam jetuar jashtë vendit, kam ardhur këtu të rris djalin tim, u ktheva si aktivist, si protestues, drejtoj një qytet të progresist, po punojmë që të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë në vitin 2022, prandaj besoj se duhet të mendojmë për të ardhmen, jo për të mbajtur mbi supe politikanë nga e shkuara. Në qoftë se disa njerëz po humbin të mirat e tyre, nëse disa njerëz po ballafaqohen me transparencën, nëse gjyqtarët e rinj po i nxjerrin ata para drejtësisë, dhe nuk ka rëndësi nëse janë ministra ose kanë emër të madh në politikë, mendoj se këto flasin shumë për tranzicionin e dhimbshëm që po kalojmë, disa njerëzve u dhemb kjo, por mendoj se shumica e njerëzve duan të largohen nga ndikimi rus që po sponsorizon këto protesta.

Petrelë, Veliaj “sulm” nga kalaja: Basha vendos për dhunën. Protesta në paqe e provoi”

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vazhdoi të shtunën fushatën elektorale duke zhvilluar një takim banorët e Petrelës, Krrabës dhe Bërzhitës, nga ku komentoi protestën e së premtes të opozitës.

“Dje pashë protestën e tyre. Falë ndërhyrjes energjike të SHBA, BE, OSBE dhe vendeve anëtare, protesta nuk degjeneroi në dhunë. Ndaj, urime Lulit, do të thotë që e paskan mundësinë të sillen si njerëz, e paskan aftësinë të sillen si qytetarë, e paskan të gjithë shansin që njerëzit e tyre të mos i trajtojnë si një kope që thotë: Skape kryeministrin, skape Parlamentin, skape Bashkinë! Pra, Partia Demokratike ka fuqi t’i trajtojë njerëzit me dinjitet. Një parti që për 9 protesta me radhë i trajtonte njerëzit si Balo dhe Lordi, skape Balo, skape Lordi! Në PS i trajtojmë njerëzit si njerëz dhe jo si kope për t’iu sulur godinave, jo si kope për të shkatërruar pronën publike, jo si kope për të djegur shkollat. Në momentin që i shikon njerëzit si të lidhur me litar, skape Lordi, skape Balo, skape Xhina, do të thotë që s’ke respekt për njerëzit. Fakti që një ditë u thua, nesër do ju shqyejmë dhe pastaj kur dikush bërtet i lidh me zinxhirë, do të thotë që i trajton njerëzit si të dorës së dytë, si mjete, si vegla për të kapur ti pushtetin, por jo për t’i respektuar, se një lider politik nuk u thotë njerëzve skape për institucionet. Për të gjithë ju, që sot keni lënë partinë e Balos, Lordit, Xhinës dhe keni ardhur në një parti ku njerëzit nuk trajtohen si qenë, por trajtohen me respect, mirëserdhët në familjen socialiste!”, u shpreh Veliaj.

Me pak fjalë Veliaj thotë se dhuna në protestat e kaluara të opozitës është bërë me bekimin e Bashës dhe drejtuesve të tjerë të opozitës, por mesa duket tani ndërkombëtarët nuk do të lejojnë përsëritjen e të tilla skenave.

Tërheqja e opozitës ndodhi pas reagimit të ashpër të SHBA dhe BE të cilët bënë apel që të shmangen aktet e dhunës, ndryshe organizatorët e protestës do të mbajnë përgjegjësi. Madje më herët ambasada amerikane ka përmendur dhe një listë të zezë për të gjithë ata persona që sulmojnë institucionet, dhe protestojnë përmes dhunës. Presioni i fortë ndërkombëtarë bëri që opozita të zhvillonte një protestë paqësore pas 5 muaj dhune me molotov e shashka.

Veliaj: Nuk ia vlen të bëni burg për banjon e 13 të maces së Ilir Metës në Lalz

Veliaj dhe Meta janë sot më të ndarë se kurrë. Ndërsa Ilir Meta ka çdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit, Veliaj vazhdon çdo ditë takimet elektorale në Tiranë. Madje të enjten në një takim të tillë bëri thirrje që askush të mos prishë zgjedhjet pasi siç tha ai “nuk ia vlen të bësh burg për banjon e maces së Ilir Metës”.

“Nëse ka njerëz në komunitetin tuaj, te kafja poshtë pallatit, që vazhdojnë me këtë frymë, duhet të bëjmë një bisedë të qetë, siç flasim në shtëpi, dhe t’u themi: je gati të bësh 1 deri në 5 vite burg? Sot kalon Kodi Penal në Parlament, nëse je gati që për banjën e 13 të maces së Ilirit në Lalz të bësh burg, ta shtoftë zoti inatin, shko bëj burg, se nuk qenke i denjë të qëndrosh mes nesh. Pra, nuk është nevoja të zihemi me askënd, por vetëm t’i sqarojmë që Kodi Penal thotë se po të shkosh të sakrifikohesh për banjën e maces, je i lirë, nëse jeta jote vlen kaq dhe familja jote vlen kaq, do të bësh 1 deri në 5 vite burg, nëse dëmton ose pengon njerëzit që të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, ai kërkoi prej administratorëve që të bisedojnë me banorët e pallateve të tyre dhe t’u bëjnë të ditur se përveç burgut rrezikojnë edhe t’u hiqet e drejta me ligj për të dalë jashtë vendit për një periudhë relativisht të gjatë.

“Pasi të mbarosh burgun dhe të jesh thinjur, të jesh rrudhur e tkurrur, nuk do të dalësh 5 deri në 10 vjet nga Shqipëria. Nëse mendon që banja e maces vlen këtë sacrifice, atëherë je i lire ta bësh. Pra, detyra jonë është vetëm t’i informojmë. Unë nuk besoj se do ketë nga ata trima në Tiranë dhe nga këto çudirat, megjithatë nëse i informojmë, u kemi dalë borxhit. Kështu që, me qetësi, kur të keni raste të tilla vetëm i informoni. Po ka nga ata dallkauk që vazhdojnë dhe thonë që duam babën dhe thonë sa të kem unë nuk pyes për Gjermani dhe s’pyes për Amerikë, s’pyes për OSBE dhe s’pyes për BE, informojeni që edhe do jeni në listë të zezë atje”, u shpreh Veliaj.

Skip to toolbar