Veliaj: Nuk ia vlen të bëni burg për banjon e 13 të maces së Ilir Metës në Lalz

AKTUALITET


Veliaj dhe Meta janë sot më të ndarë se kurrë. Ndërsa Ilir Meta ka çdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit, Veliaj vazhdon çdo ditë takimet elektorale në Tiranë. Madje të enjten në një takim të tillë bëri thirrje që askush të mos prishë zgjedhjet pasi siç tha ai “nuk ia vlen të bësh burg për banjon e maces së Ilir Metës”.

“Nëse ka njerëz në komunitetin tuaj, te kafja poshtë pallatit, që vazhdojnë me këtë frymë, duhet të bëjmë një bisedë të qetë, siç flasim në shtëpi, dhe t’u themi: je gati të bësh 1 deri në 5 vite burg? Sot kalon Kodi Penal në Parlament, nëse je gati që për banjën e 13 të maces së Ilirit në Lalz të bësh burg, ta shtoftë zoti inatin, shko bëj burg, se nuk qenke i denjë të qëndrosh mes nesh. Pra, nuk është nevoja të zihemi me askënd, por vetëm t’i sqarojmë që Kodi Penal thotë se po të shkosh të sakrifikohesh për banjën e maces, je i lirë, nëse jeta jote vlen kaq dhe familja jote vlen kaq, do të bësh 1 deri në 5 vite burg, nëse dëmton ose pengon njerëzit që të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Veliaj.


Gjithashtu, ai kërkoi prej administratorëve që të bisedojnë me banorët e pallateve të tyre dhe t’u bëjnë të ditur se përveç burgut rrezikojnë edhe t’u hiqet e drejta me ligj për të dalë jashtë vendit për një periudhë relativisht të gjatë.

“Pasi të mbarosh burgun dhe të jesh thinjur, të jesh rrudhur e tkurrur, nuk do të dalësh 5 deri në 10 vjet nga Shqipëria. Nëse mendon që banja e maces vlen këtë sacrifice, atëherë je i lire ta bësh. Pra, detyra jonë është vetëm t’i informojmë. Unë nuk besoj se do ketë nga ata trima në Tiranë dhe nga këto çudirat, megjithatë nëse i informojmë, u kemi dalë borxhit. Kështu që, me qetësi, kur të keni raste të tilla vetëm i informoni. Po ka nga ata dallkauk që vazhdojnë dhe thonë që duam babën dhe thonë sa të kem unë nuk pyes për Gjermani dhe s’pyes për Amerikë, s’pyes për OSBE dhe s’pyes për BE, informojeni që edhe do jeni në listë të zezë atje”, u shpreh Veliaj.




Skip to toolbar