Nuk justifikoi dot pasurinë, shkarkohet nga KPA ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela

Shkarkohet nga detyra prokurorja Donika Prela ish-drejtuese e Krimeve të Rënda. Trupa gjykuese e KPA tha se Prela nuk justifikon dhe ka fshehur pasurinë, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë.

Prela u konfirmua në detyrë në shkurt 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht problematikave të shumta dhe akuzave ndaj saj që nxori në pah seanca dëgjimore.

Por në prill të vitit të kaluar, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e saj, duke e argumentuar me mosjustifikimin e një pjese të pasurisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 18.09.2020, ora 09:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore palët paraqitën konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron ankimit, pasi sipas tij, provat e reja të sjella nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit paraqiti kundërshtimet për secilin prej shkaqeve të ankimit, duke i konsideruar ato, të pabazuara në ligj dhe në prova. Subjekti i rivlerësimit, znj. Prela, i kërkoi Kolegjit mosmarrjen në konsideratë të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin e shpalli sot.

Vettingu në polici konfirmon në detyrë numrin dy të SHÇBA

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, konfirmoi në detyrë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të SHÇBA, Adriatik Ago. Numri dy i Shërbimit për Çështjet e Brendshme, rezultoi pa probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Adriatik Ago doli përpara Vettignut pesë ditë më parë. Ndërkohë, pasi shqyrtoi dokumentacionin e vetëdeklarimit të Adriatik Ago, trupa vlerësuese e përbrërë nga Ana Kapaj, relatore, Elvira Dabredaku, kryesuese e trupës, dhe Elida Liko anëtare, vendosi të konfirmonte në detyrë Adriatik Ago.

Sipas trupës gjykuese, zëvendësdrejtori i SHÇBA ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime që e justifikojnë atë. Gjithashtu, ai rezultoi pa probleme në lidhje me integritetin etik dhe profesional. Pesë ditë më parë, vettingu në polici nisi me shkarkime nga detyra.

Drejtori i Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Policisë së Tiranës, Oltion Shehu u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi iu gjetën shkelje në aspektin e pasurisë. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pasi shqyrtoi raportet vendosi që ta përjashtonte Shehun.

KPA refuzon provat “greke e turke” të Besnik Muçit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu vendimin për gjyqtarin e sapozgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i cili u rikthye në Vetting pas ankesës së Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik dyshon se ish-prokurori, tashmë gjyqtar i dekretuar në kushtetuese, nuk justifikon pasurinë e tij, ku nga viti 2003 deri në vitin 2006 si dhe në vitin 2016, ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara.

Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besnik Muçit nga radhët e drejtësisë. Në seancën e të hënës, Besnik Muçi, paraqiti disa prova të reja, duke i kërkuar trupit gjykues marrjen e tyre në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Por, trupi gjykues refuzoi të marrë në konsideratë disa prova të paraqitura nga Besnik Muçi, të cilat ishin në gjuhën greke dhe turke. Sipas njoftimit të KPA, këto prova, në gjuhë të huaja, nuk ishin të legalizuara në rrugë diplomatike ose me vulë apostile, ndërkohë që mori disa prova të tjera shkresore.

Për këtë arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i kërkoi Komisionerit Publik të paraqesë një vlerësim në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet në datën 7 nëntor.

Kujtojmë se pak kohë më parë Ilir Meta e dekretoi Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ai ishte renditur i treti me pikë. Argumenti kryesor i presidentit për emërimin e Muçit si anëtar të kushtetueses, ishte fakti se ish-prokurori ishte i gjinisë mashkull.

Vettingu i politikanëve, si Komisioni i Venecias rrëzoi draftin e Bashës një vit më parë

Të mërkurën pasdite, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, publikoi një video, ku rendiste, sipas tij, pesë arsyet pse Edi Rama ka frik nga Vettingu i politikanëve. Sipas kryedemokratit, kreu i qeverisë ka frikë nga vettingu, pasi ‘është i lidhur me kriminelët’. Por, ndonëse drafti për Vettingun në politikë u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend, ishte i pari Komisioni i Venecias që hodhi poshtë draftin e opozitës për këtë project-ligj. Realstory.al sjell në kujtesë të lexuesve, disa nga argumentat, ku Komisioni i Venecias gjeti paqartësi ligjore për Vettingun në politikë.

“Megjithë qëllimin e ligjshëm në situatën aktuale në Shqipëri – distancimi nga ofenduesit dhe ndikimi i tyre në qeverisjen e profilit të lartë dhe jetën politike – drafti i propozuar kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, madje edhe në nivelin kushtetues, për një shkallë të tillë të madhe, komplekse dhe të ndjeshme, me implikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen. Sa i përket konceptimit të tij aktual, vetingu i propozuar nuk ka qartësi ligjore dhe siguri ligjore, si për sa i përket qëllimit të tij, arsyet për moszgjidhje dhe humbjen e mandatit, dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ai gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit”, shkruhej në pikën e parë të konkluzioneve të raportit të opinionit të Komisionit të Venecias.

Më tej, Venecia ngrite dyshime dhe paqartësi mbi disa temra juridik të përdorur nga PD në draftin e ligjit për Vettingun e politikanëve, ndërsa tregonte se disa dispozita ligjore krijonin mundësin e mosbzatimit të procesit të rregullut e të duhur ligjor.  “Projektligji nuk arrin të përcaktojë elemente të caktuara kryesore, veçanërisht (i) se çfarë nënkuptohet pasja e kontaktit me persona të caktuar (ii) çfarë nënkuptohet me përfshirje në krimin e organizuar dhe (iii)çfarë nënkuptohet me përfshirje në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personal. Është e paqartë se cilat dispozita duhet të udhëheqin procedurën e verifikimit. Mungesa e deklaruar (përveç kërkesës për një shumicë prej 3/5) në një propozim që gjithsesi në disa vende janë mjaft të detajuara, së bashku me futjen e propozuar të dy dispozitave kryesore në Kushtetutë si “masë e jashtëzakonshme” krijojnë mundësinë e moszbatimit të procesit të rregullt, të duhur ligjor, pra që procedurat të mos zbatohen”, shprehej Komisioni i Venecias.

Një tjetër dyshim i rëndësishëm sipas Venecias, ishte dhe fakti se kush do të kryente verifikimin e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë, duke shprehur opinionin se në këto ‘aspekte siguria ligjore mungon’. “Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Gjithashtu, nuk është e qartë nëse çdo skualifikim duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar në kohë. Në këto aspekte siguria ligjore mungon. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun që do të përdoret në një politikisht i njëanshëm ose arbitrar”.

Drafti i propozuar nga opozita për Vettingun e politikanëve, binte poshtë edhe në disa pika të tjera, sipas Venecias, ku ndër to ishte mungesa e parashikimit të një vendimi gjyqësor, për të kufizuar të drejtën e personave për t`u përfshirë në proceset zgjedhore. “Në kërkesën e tij për zyrtarët e zgjedhur, projektligji nuk është në përputhje me Nenin 3 të Protokollit të Parë të KEDNJ-së dhe Kodi i Praktikës së mirë në çështjet zgjedhore, si terreni i propozuar i ri – duke pasur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar- ofron një mundësi shumë të gjerë për të kufizuar të drejtën për të qëndruar në zgjedhje pavarësisht nga natyra e “kontakteve”, nuk parashikon një vendim gjyqësor ose një vendim nga një tjetër organi i pavarur për heqjen e lirisë dhe kufizimit nuk ka një natyrë të përkohshme. Siç duket, propozimi në të vërtetë mund të çojë lehtësisht në më shumë shembuj të abuzimit me pushtetin”.

Dhe në fund, për shkak të këtyre paqartësive, Komisioni i Venecias shprehej se gjithçka i mbetet në dorë Parlamentit dhe politikës shqiptare për të gjykuar dhe vepruar, duke ndjekur rrugën  e dialogut konstruktiv. “Për më tepër, merren parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligji për Dekriminalizimin), si dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, ligjet e shtuara vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje. I përket Parlamentit shqiptar të vendosë për hapat e ardhshëm në lidhje me propozimin ndryshimet kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, thuhej në disa prej pikave të konkluzioneve që arrinte Komisioni i Venecias për ligjin e Vettingut në politikë, që propozoi PD një vit më parë. /Realstory.al/

Vettingu shkarkon 68 prokurorë dhe gjyqtarë, kalojnë ‘klasën’ 81 të tjerë

Muaji gusht është pushim për procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Këshilli i Posaçëm i Apelimit nuk do të kenë seanca gjatë muajit gusht, për të rinisur sërish në shtator me vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të ashtuquajturin “vetting”.

Në total, deri më sot më 31 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 188 vendime. 81 prej tyre janë konfirmime në detyrë. ndërkohë që 68 vendime janë marrë për shkarkimin nga detyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë gjetur në shkelje të një prej shtyllave që vihet në filtrin e vettingut, aspekti profesional, pasuria dhe integriteti moral që ka të bëjë me raportin e tyre me persona me precedentë penale.

14 vendime të tjera janë marrë për ndërprerje të procesit që mund të vijë si pasojë e dorëheqjes së prokurorëve ose gjyqtarëve, 8 vendime për pushim procesi, 16 vendime për përfundim procesi dhe 1 vendim për pezullim nga detyra që ishte i prokurorit që duhej të riniste nga fillimi Shkollën e Magjistraturës, Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Elvin Gogaj. /report tv

Kërkoi shkarkimin e Tahirit, vettingu këput Gentian Osmanin

Vettingu shkarkon një tjetër prokuror dhe bëhet fjalë për Gentian Osmanin, anëtar i Këshillit të Lartë të prokurorisë, i cili njihet si prokurori që kërkoi arrestimin e ish ministrit Saimir Tahiri. Osmani e kishte kaluar fazën e parë të vettingut, por vendimi i KPK-së, u ankimua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe çështja kaloi për rishqyrtim në KPA. Vendimi i së mërkurës i KPA-së për shkarkimin nga detyra të prokurorit Osmani është i formës së prerë.

Komisineri Publik argumentonte se prokurori se nuk justifikon pasurinë. Sipas Komisionerit Publik, prokurori nuk ka arritur një nivel të besueshëm për të shërbyer në sistemin e drejtësisë.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, neneve C/2, Ç, D, DH, E dhe F/7, të aneksit të Kushtetutës, konsideron se, ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm, sipas nenit 59/1 të ligjit nr. 84/2016. Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi së bashku me denoncimin nga publiku të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shkruhet në njoftim.

Me shkarkimin e Gentian Osmanit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbetet me 10 anëtarë. Në këto kushte Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku pritet të bëjë edhe një herë thirrjen e prokurorëve, për pasuesin e tij në KLP.

ONM kthen në vetting prokurorin Artan Madani

Komisioneri Publik pritet të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kërkesën për rivlerësim të kryeprokurorit të Kavajës, Artan Madani, i cili mori dritën jeshile nga KPK. Artan Madani kaloi vettingun më 1 korrik 2019, por duket se ai ende nuk ka bindur vëzhguesit ndërkombëtar të ONM që mbikëqyrin procesin e vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

ONM i ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ankimimin në KPA të vendimit të konfirmimit në detyrë të kryeprokurorit të Kavajës, Artan Madani. Këtë kërkesë Komisionerët publik duhet ta ankimojnë pranë KPA brenda 15 ditëve pasi të njoftohen me shkrim për vendimin e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nuk dihet se cila çështje ka penalizuar kryeprokurorin e Kavajës, Artan Madani që ONM nuk është bindur dhe ka kërkuar rivlerësim të tij.

Vettingu është një proces vlerësimi për prokurorët dhe gjyqtarët në tre drejtime 1-justifikimin e pasurisë 2-pastërtinë e figurës dhe 3-aftësitë profesionale.

Kalon ‘Vettingun’ këshilltarja në Gjykatën e Lartë, emërohet gjyqtare

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar këtë të mërkurë se subjekti i rivlerësimit, këshilltarja në Gjykatën e Lartë, Maela Alicanaj ka kaluar “Vettingun”, duke u konfirmuar në detyrë.

Vendimi për Alicanaj është marrë këtë të mërkurë, nga trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me Lulzim Hamitaj relator, ndërsa Genta Tafa ka qenë anëtare. Ky vendim do t`i njoftohet më Komisionerëve Publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtar, brenda 30 ditësh.

Maela Alicanaj është hetuar për tre kritere duke u konsideruar e “përshtatshme”. Ajo më herët ka punuar si avokate e Shtetit në zyrën vendore të Vlorës.

Më pas Alicanaj është emëruar këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ndërsa pas kalimit të Vettingut ajo është emëruar gjyqtare, duke qenë se është duke ndjekur gjithashtu magjistraturën.

Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

ONM kundër KPK për gjyqtarin Selita, kërkon rivlerësim

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar ankimin e vendimit të KPK për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita. Ai kaloi Vettingun nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ONM nuk është dakord me këtë vendim të KPK-së për Selitën.

Në këto kusthe, vëzhguesi ndërkombëtar ka kërkuar nga Komisioneri Publik, që të apelojë Vettingun për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit. Kastriot Selita kaloi Vettingun në datën 18 qershor, pasi KPK vendosi ta konfirmonte në detyrë.

Ky vendim për Kastriot Selitën i është komunikuar Komisionerit Publik këtë të mërkurë në datë të 24 korrikut. Menjëherë pas këtij njoftimi, ka qenë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që i ka paraqitur Komisionerit Publik rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të KPK në Kolegin e Posaçëm të Apelimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Basha “Vetting” gjithë PD-së (a ka një çështje besimi në parti?)

Partia Demokratike ka hyrë në një fazë ristrukturimi, teksa drejtuesit e saj kanë deklaruar më herët se gjatë gjithë verës do ketë një organizim strukturash. Pjesë e këtij organizimi duket se do të jetë dhe një filtër i imtësishëm i gjithë anëtarësisë së PD-së, duke nisur nga baza deri në formuet më të larata drejtuese të saj.

Konkretisht, Partia Demokratike, duke imituar “Vettingun” e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe atë të policisë, por dhe procesin e dekriminalizimit, ka hartuar një pyetësor prej 13 faqesh, ku të gjithë anëtarët e saj do të vetëdeklarohen.

Formulari i vetëdeklarimit për anëtarësinë e PD-së, përmban pyetje të ndryshme, të cilat në shumicën e tyre janë të ngjashme me ato të formularëve të vetëdeklarimit të zyrtarëve që janë pjesë administratës publike apo që kandidojnë për poste drejtuese.

Në formular kërkohen të dhëna personale, të dhëna për punësimin, shkollimin, apo të dhëna për pastërtinë e figurës që lidhen me gjendjen gjyqësore të anëtarëve të PD. Formulari merr rëndësi të madhe për anëtar të Partisë Demokratike që do të garojnë të jenë pjesë e forumeve të larta drejtuese në Tiranë dhe rrethe, të cilët duhet të deklarojnë gjithçka për veten e tyre.

Anëtarët e PD do të vetëdeklarohen në seksione të veçanta për veprimtarinë e tyre politike, duke nisur prej vitit 1944 deri në vitin 1991, ku të vetëdeklaruarit do të përgjigjen nëse kanë qenë anëtar apo kandidat i Byrosë Politike, Anëtarë i Komitetit Qendrorë i Partisë Punës, Anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, Bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit, anëtarë i komisionit qendrorë të Dëbim-Internimit, apo denoncues ose dëshmitar në procese politike të posaçme.

Nuk dihet ende qëllimi i vërtetë i plotësimit të këtij formulari, por gjithçka vjen në një kohë kur zërat kundër Bashës në PD janë shtuar dhe divergjencat brenda partisë nuk janë të pakta.

Javët e fundit, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, zërat kritikë ndaj Bashës janë shtuar. Nga Jozefina Topalli, Edvin Kulluri, Arben Imami, e deri tek Arben Ristani, kanë folur për situatën në parti. Ristani, vetëm disa ditë më parë në “Real Story”, kërkoi që PD duhet të hapet dhe të krijohet besimi brenda anëtarësisë së partia është gati për të ardhur në pushtet.

Ndaj, nuk dihet nëse ky formular vetëdeklarimi mund të jetë një masë paraprake nga kreu i PD-së për të frenuar kritikat, jo nga ata që janë jashtë, por ata që janë ende pjesë e strukturave dhe kanë role drejtuese në parti.  Apo është vërtet një mision për të vendosur një standard brenda së djathtës, ku çdo anëtar duhet të jetë i ‘pastër’ dhe i denj për të qenë pjesë e forumeve drejtuese të kësaj partie dhe gjithashtu për të kandiduar në poste të rëndësishme nën siglën e PD?! Këtë do ta gjykojë koha!

Skip to toolbar