Ikën dhe Gjykata e Lartë, shkarkohet gjyqtari

Gjykata e Lartë i është bashkuar fatit të Gjykatës Kushtetuese duke dal jashtë funksioni pasi ka mbetur vetëm me dy anëtarë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjykatësin Edmond Islamaj, duke e lënë institucionin e Gjykatës së Lartë me dy anëtarë.

Edmond Islamaj nuk kaloi dot procesin e vettingut, pasi nuk justifikonte një pjesë të pasurisë së tij. Islamaj ishte konfirmuar më herët në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u shkarkua ditën e sotme nga KPA.

Vettingu boshatis prokuroritë, KLP emëron drejtuesit e rinj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar ditën e sotme drejtuesit e rinj në disa prokurori të vendit, pas vakancave të krijuara nga procesi i vettingut. Ja disa nga vendimet që KLP mori ditën e sotme:

-KLP caktoi me 11 vota pro, Julian Çafkën drejtues të përkohshëm të Prokurorisë Gjirokastër, pas shkarkimit të Arben Pasho.

-KLP votoi me 11 vota shtyrjen e afatit me 3 muaj, të Irena Çunoti për drejtimin e Prokurorisë së Apelit Korçë, e cila u vendos në krye të këtij institucioni pas shkarkimit nga vettingu të Irma Ballit.

-KLP miratoi me 11 vota pro projekt-aktit për shtyrjen e afatit të caktimit të përkohshëm të prokurorit Altin Dumani në funksionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, përkatësisht nga dt. 22.05.2019 deri ne 22.08.2019.

-KLP miratoi me 11 vota pro Rozeta Qirjaqin, prokurore pranë Gjykatës së Apelit Korçë të ushtrojë funksionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë.

Kuvendi rrëzon dekretin e Metës për vettingun në polici

Me 79 vota parlamenti ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për ligjin e Vetting-ut në Polici.

Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për vettingun me argumentin se cënon parimet dhe standardet e vendosura në Policinë e Shtetit. Sipas tij, me ndryshimet e bëra nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, qeveria kërkon që të kontrollojë procesin e vettingut në Policinë e Shtetit.

Por kjo është hedhur poshtë nga Lleshaj, i cili në fjalën e tij tha se ligji i ri nuk ka ndryshim nga ai i vjetri, por disa rregullime të vogla në të mirë të këtij procesi.

“Ligji nuk ndryshon në substancë nga i pari, janë ndryshime kozmetike, që nuk prekim thelbin e ligjit të vjetër. Ligji i vjetër parashikonte që vettingu të bëhej për të gjithë policët dhe drejtuesit, kështu është edhe në ligjin e ri. Nuk ka asnjë ndryshim ligji i ri me të vjetrin. Vettingu sipas ligjit të vjetër duhet të mbyllet në mars të 2020, sot jemi në maj dhe ende nuk ka nisur dosja e parë. A mund të mbyllet Vettingu i 14 mijë vetave në një kohë kaq të shkurtër? Kush do që është në favor të Vettingut duhet të jetë në favor të rrëzimit të dekretit të presidenti. Në duhet të rrijmë në një proces Vettingu pa fund. Një punonjës policie që e kalon Vettingun sot, mund të merret nesër me vepra kriminale. Ka nevojë që të rregullojmë SHÇBA-në, e jo të krijojmë një strukturë ekstra, se s’kemi besim te strukturat që kemi krijuar vetë. Policia ju ka mbrojtur që deputetët e rinjëtë mbërrijnë në parlament shëndoshë e mirë. Demokracia nuk ka asnjë lidhje me atë që po ndodh ditën e sotme.” – tha Lleshaj

Gjyqtari i VEFA-s rrëzohet në vetting

Vettingu ka shkarkuar nga detyra një tjetër gjyqtar. Bëhet fjalë për Fehmi Petkun, kreu i Apelit të Krimeve të rënda. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari në fjalë nuk justifikon pasurinë me burime të ligjshme financiare.

Komisioni vuri në dukje se Fehmi Petku në vitin 1999 ka gjykuar një dosje për Vehbi Alimuçën, ish-kreun e firmës piramidale VEFA, kohë kur babai i tij kishte marrëdhënie interesi.

Sipas komisionit të vettingut, gjyqtari ka konflikt në gjykimin e Vehbi Alimuçës kur i ati i tij kishte marrëdhënie interesi. Po kështu sipas komisionit, ka mungesë dokumentacioni për justifikimin e një trualli prej 16 mijë m2.

Përveç mos justifikimit të pasurisë, gjyqtari është konsideruar i papërshtatshëm për të vijuar detyrën edhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të klasifikuar. Në raport thuhej se ka dyshime se Fehmi Petku është i përfshirë në korrupsion pasiv.

Skip to toolbar