Drejtësisë i largohen edhe dy ish anëtarë të Gjykatës së Lartë

Dy ish-anëtarët e Gjykatës së Lartës, gjyqtarët Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj, kanë dhënë dorëheqjen e tyre duke u larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Dy gjyqtarët ishin anëtar të Gjykatës së Lartë që në korrik të 2017 dhe njoftuan dorëzimin e mandatin me arsyetimin e mbarimit të tij, edhe pse sipas ligjit ato mund të qëndrojnë në detyrë deri sa të zëvendësohen.

Largimi i tyre nga drejtësia, shmang zhvillimin procesit të vettingut që vlerëson ligjshmërinë  e pasurisë së tyre, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Po sipas ligjit, gjyqtarët Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj mund të kërkonin të emëroheshin gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, por ata nuk kanë preferuar të shërbejnë më në sistemin e drejtësi.

Që nga nisja e vettingut, këto nuk janë gjyqtarët e parë që kanë zgjedhur të largohen nga sistemi i drejtësisë duke shmangur hetimin e pasurisë së tyre dhe pastërtisë së figurës. Disa ditë më parë edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë Andi Çeliku, njoftoi largimin e tij nga drejtësia duke hequr dorë nga statusi i magjistratit.

Nuk justifikon pasurinë, Zaganjori rikthehet përsëri në sitën e Vettingut

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, aktualisht Kryetar i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ka dalë këtë të martë para Kolegjit të Posaçëm të Ankimimit, me kërkesën e Komisionerit Publik. Ky organ, Komisioneri Publik, me rekomandim të ONM, të cilët nuk ishin dakord me vendimin e KPK, ka ankimuar vendimin e dhënë nga Kolegji i Pavarur i Kualifikimit, i cili në korrik të vitit 2018 e la në detyrë Xhezair Zaganjorin, duke e kaluar Vettingun me sukses.

Por, Komisioneri Publik pretendon se ka parregullsi në deklarimet e pasurisë së Zaganjorit, ndaj, kërkon rivlerësim të tij. Gjatë seancës të së martës para KPA-së, Komisioneri Publik ka dhënë shpjegime dhe argumente të reja, duke u shprehur se gjyqtari Zaganjori s`ka burime për të justifikuar pasurinë dhe në deklaratat vjetore, ka vlera më të ulëta sesa realja.

“KPK ka bërë interpretim të gabuar të ligjit me rastin e Zaganjorit. Subjekti i rivleresimit ka katër pasuri në zotërim. I ka në bashkëpronësi me bashkëshorten. Zaganjori ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe nuk ka burime të mjaftueshme financiare për ta justifikuar atë. Në deklaratat vjetore ka deklaruar vlera më të ulëta sesa realja. Ndërsa në deklaratën e vettingut vlera e pasurive është më e lartë. Pra ka pasaktësi. Pasaktësitë në vlera reflektohen edhe në kontratat e shitjes, në të cilat vlera për apartament është 500 mijë lekë”.

“Për dyqanin është përcaktuar 125 mijë lekë dhe vlera për bodrumin, 125 mijë lekë dhe për zyrën 125 mijë lekë. Nga aktet në dosje, nuk provohet burimi i ligjshëm për vënien e këtyre pasurive. Sa i takon transfertave monetare nëpërmjet bankës, nuk provohen një pjesë e tyre. Nuk ka paraqitur dokumentacion provues për barrën e provës dhe justifikimet e tij ngelin në nivel deklarativ. Në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të të ardhurave për krijimin e pasurive të sipërcituara janë të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër, të ardhura personale dhe të ardhura nga qiraja”, ka deklaruar Komisioneri Publik.

Vetë Zaganjori në dalje deklaroi se në shtëpinë e tij jeton që prej vitit 1997. Por tha se kishte gjetur kontratën e sipërmarrjes 30 vjet më parë dhe se prona i përkiste fisit të gruas prej 200 vjetësh.

Tani pritet vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili ka në dorë të vendosë nëse gjyqtari Zaganjori do të konfirmohet në detyrë, apo ky organ, pra KPA, do të rrëzojë vendimin e një viti më parë nga KPK, duke shkarkuar nga detyra dhe larguar nga sistemi i drejtësisë Xhezair Zaganjorin.

Ngërçi me zgjedhjen e Kryeprokurorit, KLP kërkon Vetting të përshpejtuar për Olsian Çelën

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i është drejtuar me një letër zyrtare Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për përshpejtimin e procedurës për rivlerësimin e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm Olsian Çela.

Ky i fundit është një nga kandidatët që ka dorëzuar dosjen për tu bërë Prokuror i Përgjithshëm, por deri më tani, Çela ende nuk e ka kaluar Vettingun, pasi dosja e tij mbetet në pritje për rivlerësim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Shkresa e KLP-së mban firmën e kryetarit të saj Gent Ibrahimi, i cili ndër të tjera shkruan:

Në këto kushte, nisur nga rëndësia e procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe duke mbajtur parasysh afatin e parashikuar nga neni 31 i Ligjit nr 97/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë”, për kryerjen e verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët, do të kërkonim nga ana juaj rivlerësimin me përparësi të subjektit Olsian Çela brenda 30 ditëve nga mbërritja e kësaj kërkese”, thuhet në shkresën e KLP-së.

Vetëlargohet nga sistemi i drejtësisë gjyqtari i lartë Andi Çeliku

I emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik të vitit 2008 dhe mbajtja e këtij funksioni deri në 2017, kanë qenë të mjaftueshme për gjyqtarin Andi Çelikun, i cili nuk ka pranuar më t’i shërbejë sistemit të drejtësisë. Mosqenia më pjesë e sistemit të drejtësie, shmang gjithashtu edhe procesin e vettingut për të më lidhje me vlerësimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Gjyqtari është larguar nga Gjykata e Lartë në qershor të vitit 2017 për shkak të mbarimit të mandatit, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej. Pas largimit nga Gjykata e Lartë, sipas statusit të magjistratit, Çeliku kishte të drejtë të shërbente si gjyqtar në Gjykatën e Apelimit, por me një shkresë të datës 26.03.2019, ai ka njoftuar Presidentin se nuk kërkon të përfitojë nga të drejtat që i burojnë nga statusi i magjistratit. Madje në shkresë përcakton se me vullnetin e tij ai nuk e dëshiron më statusin e magjistratit. Të njëjtën shkresë ai e ka paraqitur edhe më datë 08.04.2019 në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor në datë 25.04.2019 e ka dërguar vendimin për mbarimit të statusit të magjistratit, pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duke ndërprerë kështu procesin e vettingut për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Andi Çeliku. Vettingu kishte nisur 11 ditë para se ai të njoftonte Presidentin për heqjen dorë nga statusi i magjistratit.

Kushtetuesja e re në 2 muaj. Meta shkarkohet brenda verës?

Brenda kësaj vere, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e mbetur pa gjyqtarë për shkak të vettingut, pritet të bëhet sërish funksionale. Nga 9 gjyqtarë që ka gjithsej, 7 të tillë do të zgjidhen së shpejti.

Sipas Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, 9 anëtarë e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi i Shqipërisë, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Gazeta Shqiptarja.com shkruan të mërkurën se gjashtë anëtarët e parë, sipas të gjitha gjasave dhe bazuar në afatet ligjore, do të emërohen brenda dy muajve, ku së bashku me anëtaren aktuale Vitore Tusha, Gjykata Kushtetuese do të ketë të paktën 7 anëtarë, të cilët mund të nisin shqyrtimin e 79 kërkesave që janë në pritje për t’u shqyrtuar. Ndërkaq, Presidenti, Kuvendi, politika apo Gjykata e Lartë, kanë zero mundësi dhe hapësira për të bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, meqenëse Kushtetuesja ka vetëm një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, mund të depozitohen kërkesa, ndonëse nuk shqyrtohen. Nëse Kuvendi vendos të shkarkojë Presidentin, vendimi i shkarkimit mund të depozitohet në Kushtetuese, e cila mund ta shqyrtojë me përparësi sapo të emërohen gjashtë anëtarët e parë. 

Presidenti i Republikës ka një rol formal dhe figurativ në zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit është i detyruar që për çdo vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhë një emër mes tre emrave të parë në listën e renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse Presidenti refuzon që ta ushtrojë këtë të drejtë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në krye të listës konsiderohet i emëruar.

Vettingu heq njeriun e Berishës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro. Po cilat janë lidhjet e saj me Partinë Demokratike?

Mësohet se Hajro ka qenë vartëse e disa ish-ministrave të Sali Berishës deri në vitin 2013, kur u rrëzua me votë pushteti i Berishës.

Pas daljes në opozitë të PD-së, Enkeledi Hajro kapërceu sërish në sistemin e drejtësisë dhe jo thjesht si gjyqtare, por si kryetare e Gjykatës së Tiranës.

Hajro ka mbajtur postin e drejtorit të kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 2011-2012, ku ministër Drejtësie ka qenë Eduard Halimi. Ndërsa gjatë periudhës 2012-2013 Enkeledi Hajro ka mbajtur gjithashtu postin e drejtorit të kabinetit në Ministrinë Brendshme, ku ministër i Brendshëm ka qenë Flamur Noka. Por nuk mjafton me kaq, sepse Enkeledi Hajro ka punuar pranë pushtetit të Sali Berishës që nga viti 2006, pra një vit pasi Berisha erdhi në pushtet. Në vitet 2006-2008, Hajro ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, ku ministër ishte Enkelejd Alibeaj. Kjo është koha kur ministri Alibeaj thuhet u përfshi në dosjen “Gërdeci” pas disa fakseve të shkëmbyera me palët e interesuara dhe përfshirjen e dyshuar të familjarëve të Kryeministrit të kohës.

Ndërsa në vitet 2008-2011 ka punuar si Avokate Shteti për çështjet e Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Enkeledi Hajro u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë.

Kalon vettingun prokurori i dosjes “Shullazi” dhe “Balili”

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda Ened Nakuçi, i cili njihet edhe si prokurori i dy dosjeve “Shullazi” dhe “Balili”

KPK zhvilloi  seancën dëgjimore më datë 06.06.2019, ndërsa ditën e premte vendosi konfirmimin e tij si prokuror në Prokurorinë pranë Krimeve të Rënda, i cili është edhe kandidat për SPAK.

Gjatë seancës së tij dëgjimore ka pasur shqetësime në lidhje me justifikimin e pasurisë dhe largimi pa njoftuar nga dosja “Shullazi”.

Vendimi për konfirmimin e tij në detyrë u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari. Më herët kaloi vettingun edhe prokurori Edvin Kondili.

Nis vettingu në polici, në “sitë” 45 dosjet e para

Ministria e Brendshme ka njoftuar ditë e enjte se ka nisur puna për pastrimin e të inkriminuarve në polici, ku janë përzgjedhur edhe 45 dosjet e para që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, ka përzgjedhur 45 emrat e parë, ku 31 punonjës janë në detyrat më të larta drejtuese në Policinë e Shtetit, 12 punonjës në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe 2 punonjës në Gardën e Republikës.

Dosjet e vetë-deklarimit janë tërhequr nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe ka nisur puna në fazën e parë, ajo e shqyrtimit të deklaratave, kërkimit të informacioneve dhe verifikimeve përkatëse.

Sipas parashikimeve ligjore, pas procesit të hetimit administrativ, do të mbahet për çdo subjekt seancë e hapur dëgjimore.

Vettingu shkarkon kryetarin e Gjykatës së Fierit Roland Jaupaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vettingu) ka shkarkuar kreytarin e Gjykatës së Fierit Roland Jaupaj. Ky i fundit vetëm një ditë më parë u paraqit para Vettingut, teksa KPK ka gjetur parregullsi në deklarimet e pasurisë së gjyqtarit.

Babai i gjyqtarit Jaupaj ka blerë një apartament në një kompani ndërtimi, ku kjo e fundit kishte pasur një çështje gjyqësore e cila ishte gjykuar më herët nga Roland Jaupaj. KPK është fokusuar pikërisht te kjo çështje duke e cilësuar si “konflikt i mundshëm intersi”.

Raporti i ILDKPKI nuk raportonte problem rreth pasurisë së kryetarit të Gjykatës së Fierit, duke saktësuar se burimet e parave ishin të ligjshme.

Gjithashtu, në deklaratën e pasurisë së gjyqtarit të Fierit, KPK ka pasur dyshime edhe për një shumë valute rreth 13.000 euro në emër të bashkëshortes së Roland Jaupajt, të përfituara nga një kontratë pronësie.

 KPK i ka cilësuar këto si para të pajustifikuara, pasi gruaja e gjyqtarit i kishte përfituar këto para nga një kontratë e shitjes së një prone ndaj tezes së saj.

Edhe noterët nën sitën e Vettingut

470 noterë do i nënshtrohet procesit të Vettingut brenda 2 muajve të ardhshëm. Brenda 25 majit, të gjithë noterët kanë dorëzuar në mënyrë elektronike dosjen e tyre personale pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku synohet të kontrollohet karriera e tyre, që nga hyrja e tyre si asistent e deri sa kanë marrë licencën për të ushtruar detyrën e tyre si noter.

Një komision i posaçëm i ngritur nga Ministria e Drejtësisë do të verifikojë nëse janë bërë abuzime apo jo me detyrën e tyre. Nëse vihen re mospërputhje të dokumentacionit apo deklarime të rreme do të merret masa t’u hiqet licenca.

Skip to toolbar