Pasditen e të mërkurës është rënduar bilanci i viktimave të tërmetit të së martës. Të paktën 36 persona mësohet se janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e palleteve dhe objekteve të tjera të shembura në Thumanë dhe Durrës. Mirëpo ky numër është konfirmim mediatik, siç raporton News 24. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes konfirmon zyrtarisht 31 persona të vdekur. Në një njoftim gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se viktima cilësohet zyrtarisht i vdekur vetëm pas konfirmimit nga policia dhe mjekësia ligjore.
Ndaj,
shifrat janë kontradiktore. Megjithatë, grupet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën
për nxjerrjen nga rrënojat e të tjerë trupave në Thumanë e Durrës. Ndërkohë,
numri i personave të plagosur raportohet të jetë të paktën 657 njerëz, ndërsa
ka pasur dhe shumë raste që paraqiten në spital për të marrë ndihmë mjekësore për
shkak të gjendjes së panikut.
Tre
viktima u nxorën nga pallati 6 katësh që u shemb në Durrës; 5 viktima në
rrënojat e 3 pallateve që u shembën në Thumanë; 4 viktima janë nxjerrë nga
rrënojat në Kënetë në Durrës. Në vilën që u shemb në Kënetë, tre viktima në
familjen Lala por nga kjo familje u shpëtua një 17-vjeçar.
Një
viktimë u gjet në rrënojat e Kavalishencës në Durrës. Bëhet fjalë për policin
Bajram Hadërmataj. Një person nga paniku u hodh nga pallati në Kurbin duke
humbur jetën. Dy vëllezër të rinj nga Kosova u nxorën të pajetë nga rrënojat e
‘Tropikalit’. Në Thumanë e Durrës situata vijon të jetë e rëndë pasi ka ende
njerëz në rrënoja.
Mëngjesin
e sotëm u nxor i vdekur edhe 32-vjeçari Klement Çupi, ndërkohë në spital ka
humbur jetën 31-vjeçari Saimir Greku, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të
marra. Pavarësisht se shpresat nuk ishin shuar, lajme erdhën nga Thumana, atje
ku tërmeti i së martës ishte shkatërrues, duke shkaktuar viktima. Çifti i
bashkëshortëve, Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e
pallatit 6-katësh ku banonin.
Sot
është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri
sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje. Ndërkohë në kampingun e Thumanës janë
ngritur rreth 67 çadra ku janë strehuar 700 banorë dhe po kështu janë ngritur
kampe edhe në Durrës, Manëz, Ishëm, Sukth e Katund i Ri, rreth 181 çadra në
total, ku janë strehuar rreth 1450 banorë. Shqipëri u trondit mëngjesin e së
martës nga një tërmet i shkallës 6.3 të shkallës Rihter që ra në orën 3:54 të
mëngjesit dhe u pasua me disa lëkundje të tjera.