Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme
në Laç ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë Mikel Jushi, 35 vjeç, dhe Jani Jushi,
30 vjeç.
Policia bën të ditur se motivi i vrasjes ka
ndodhur pas një konflikti të çastit mes 5 personave të cilët kanë qenë duke
biseduar në lokal. Për zbardhjen e rrethanave të krimit, policia shoqëroi 23
persona në cilësinë e dëshmitarit.
“Në
lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku
pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy
shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen
në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm
hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit
Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Menjëherë sa është marrë njoftimi, në
vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor.
Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e
Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot
-Kurbin -Tiranë.
Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë
kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si
dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga
grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se
ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit,
dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23
vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.
Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive
për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet iu referuan
Prokurorisë Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale
“Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje
e armëve dhe municioneve luftarake”, thuhet në njoftimin zyrtar.