Deutsche Welle ka publikuar sot një artikull në të cilin komenton rezultatin e zgjedhjeve europiane dhe shkruan se shumë shpejt periudhës së Merkelit në Gjermani pritet t’i vijë fundi.
“Rezultati i zgjedhjeve në BE tregon për të ardhmen e pasigurt të qeverisë gjermane. Partitë pro-europiane morrën shumicën e votave, por rënia e SPD mund të rrezikojë koalicionin qeverisës”, shkruhet në artikullin e Deutsche-Welles.
Artikulli i plotë:
Frika që ekzistonte ishte se partitë antieuropiane të krahut të djathtë do të fitonin në zgjedhjet europiane. Në Gjermani, Austri dhe Hollandë, kjo nuk ndodhi.
Ky është rezultati pozitiv i zgjedhjeve të fundjavës.
Polarizimi midis nacionalistëve dhe pro-europianëve i motivoi me sa duket njerëzit, që të merrnin pjesë në votime dhe shumë vende kanë raportuar për pjesëmarrje në votime më të madhe se zakonisht. Shumë më tepër votues të moshës nën 30 vjeçare, votuan kësaj herë në krahasim me herën e kaluar, një tregues tjetër që thotë se njerëzit janë të interesuar në temën e Europës dhe në çështjen se si duam të bashkëjetojmë.
Në këtë grupmoshë fituesit janë Të gjelbërit, të cilët ishin në gjendje të përvetësonin çështjen kyçe të së ardhmes, mbrojtjen e klimës.
Humbje për socialdemokratët e Gjermanisë
Për socialdemokratët gjermanë, kjo e dielë ka qenë shkatërrimtare. Partia më e vjetër demokratike gjermane ra nën nivelin europian, duke marrë nën 16 përqind të votave. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte: Në Bremen, një shtet federal gjerman ku socialdemokratët kanë kryesuar prej 73 vjetësh, u mbajtën të dielën edhe zgjedhjet lokale. Ato i fituan kristiandemokratët për herë të parë në histori.
Kjo humbje e dyfishtë nuk do të mbesë pa pasoja. Humbjet tregojnë se partia ndodhet në gjendje të vështirë dhe se riorientimi i përgjithshëm është e vetmja rrugë për vazhdimësinë e saj dhe shancin për të pasur të ardhme.
Zgjedhjet e parakoshme të mundshme
Në Bruksel do të flitet ditët e ardhshme se cilat parti do të marrin postet drejtuese. Në Gjermani ky diskutim do të jetë fundamental. Pyetja kryesore është: Sa kohë do të vazhdojë koalicioni qeverisës të torturojë veten dhe gjithë vendin?
Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundjavës është shumë e mundshme që pas 14 vjetësh, periudhës së Merkelit t’i vijë fundi prej partnerit në koalicion, socialdemokratëve. Nëse ndodh kjo, atëherë do të duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në fund të këtij viti. Ato do të jenë zgjedhje me shumë pyetje të hapura dhe me një gjë shumë të sigurt, se Angela Merkel nuk do të jetë më në gjendje të marrë sërish postin./DW