Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shfaqur para mediave në një deklaratë me tone të larta, ndërsa tha se drejtësia u tregua gjysmake në rastin e tij. Ai i cilësoi dekurajuese komentet e ambasadave të huaja të cilat u zhgënjyen nga masa e dënimit, ndërsa tha se “nuk e besoj që të ekzistojë një presion mbi gjykatat më i madh se ky”. Tahiri foli edhe për rikthimin e tij në politikë, kur tha se nuk pyet askënd as partinë për karrierën e tij politike. Disa herë u pyet për rivalët në PS, apo për “servilët e shefit”, por Tahiri refuzoi të fliste me emra dhe iu shmang pyetjeve për Fatmir Xhafajn. Ai tha se “e di shumë mirë se cilët njerëz ka rrotull”. Ndërsa theksoi se ai nuk do të bëhet kurban edhe nëse përfundon në burg. “Më fyeni kur më pyesni: A do bëhesh kurban? Kurban do të thotë të mos jesh i lirë. Ka në politikë njerëz që janë bërë kurban, sepse nuk janë të lirë të flasin. Por kam njohur burra që edhe kur kanë qenë në burg nuk janë bërë kurban. Kanë folur dhe kanë qenë të lirë. Unë nuk jam kurban”, tha Tahiri.
Ndërsa i pyetur se a ka marrë ndonjë mesazh nga Rama pas vendimit, Tahiri tha se “rrugës së drejtësisë i shkoj i vetëm”. Ai tha se do ta apelojë vendimin e Gjykatës dhe se do të kërkojë pafajësi. Tahiri tha se për të më shumë se çdo gjë tjetër ka vënia e drejtësisë në vend. Ai garantoi se nuk mban letra nën sjetull dhe se nuk kërcënon askënd.
Ish ministri tha se mezi pret të dalë vendimi i plotë i gjykatës në mënyrë që të shohë se cilin ligj ka shkelur për shpërdorim detyre. Nisur nga kjo Tahiri solli faktet se ish ministri i brendshëm i disa viteve më parë, nuk u dënua me burg edhe kur në mes të bulevardit u vranë 4 njerëz të pafajshëm.
“Ka pasur Shqipëria ministra të brendshëm të tjerë, ministra, kryeministra të tjerë. Një ministër i brendshëm kur u vranë 4 qytetarë këtu jashtë nuk u akuzua për shpërdorim detyre, dhe as kryeministri kur tha se Lazaratin e lashë të mbillej se ashtu ishte politika ime, as ministri i Mbrojtjes kur la 28 të vdekur në Gërdec”, është shprehur Tahiri duke sulmuar Bashën, Berishën dhe Mediun.
Ai tha se vendimi i gjykatës ishte vetëm gjysma e lajmit të mirë, pasi rrëzoi gënjeshtrat ndaj tij për trafik droge e organizate kriminale, njëlloj si gjykata italiane.
“Ishte një gjysmë lajm i mirë për mua, gënjeshtrat morën një përgjigje, edhe pse as e plotë dhe as përfundimtare. Nuk është drejtësi e plotë, beteja për të vërtetën time ndaloi dje vetëm në stacionin e parë dhe ka plot rrugë përpara. Do më duhet shumë punë për të bindur edhe ata që nuk e kanë kuptuar sesa të pavërteta janë thënë deri tani.
Gjykata tha se unë kam shpërdorurar detyrën. Me aq sa u lexua në sallë, vendimi kishte të bënte me faktin që kishin përmendur emrin tim disa kushërinj të mi. Dhe me faktin që nuk kam luftuar sa duhet kultivimin e kanabisit. Unë uroj të mos jenë këto argumentet, ndaj po pres ta lexoj, të shoh cilin ligj konkretisht kam shkelur duke shpërdoruar detyrën që mu caktua dhe besua. Në kulturën time një vendim gjykate, nuk komentohet, vetëm ankimohet, për më tepër që vendimi nuk është zbardhur dhe më takon ta ankimoj sa të zbardhet. Drejtësinë e kam pritur dhe ende nuk mendoj se është bërë siç mendoj se më takon. Jam i bindur që nuk e kam shpërdoruar kurrë detyrën që mu besua në asnjë sekondë, e kam bërë me shumë pasion bashkë me ekipin tim e shndërruam policinë nga një institucion të degraduar në institucion të mirëfilltë, luftuam krimin me rekorde të pamenduara ndonjëherë”, tha Tahiri.
Ish ministri i cilësoi dekurajuese komentet e ambasadës amerikane dhe asaj britanike, pasi sipas tij ambasadat nuk duhet të komentojnë një vendim gjykate, aq më tepër kur vendimi i gjykatës nuk është zbardhur akoma.
“Dekurajuese edhe për mua që i dëgjova ato deklarata. Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatave, e nuk e besoj ndodh dhe në Amerikë që një ambasadë flet për vendimin e gjykatave, e nuk e besoj që të ekzistojë një presion mbi gjykatat më i madh se ky”, tha Tahiri.
Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi ish ministrin Tahiri me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi në kohën që ishte ministër lejoi kanabizimin e vendit. Gjykata rrëzoi akuzat e tjera të prokurorisë për të cilat kishte 2 vjet që hetohej. Kjo është cilësuar drejtësi gjysmake nga ish ministri i cili do ta çojë çështjen në Gjykatën e Apelit pasi pretendon pafajësi./realstory.al