Çupi: Tash pe dun Kosovën si Palestinë

KOSOVA


Nga Frrok Çupi

Nëse studiues ose analistë të nesërm të gjendjeve në Ballkan do të shfletojnë kur nisi deformimi i Republikës së re të Kosovës sipas një modeli të vjetër, palestinez, ka gjasa që datën 14 Qershor ta shënojnë si ditën e parë të thurjes së modelit.


Sepse dje, në 14 Qershor u shënua akti i parë i Modelit:

Tre anëtarë të Policisë Speciale të Kosovës, u grabitën të gjallë prej ‘armikut që po ruanin’. Serbia i kishte paketuar tre burra të armatosur dhe i shëtiste nëpër botë si të ishte duke bërë reklamën e mallit të ri.

Lufta e Palestinës nisi që në vitin 1967 e as ka mbaruar sot e kësaj dite. Hyjnë forcat izraelite në xhamitë palestineze dhe rrëmbejnë njerëz. Dynden kamikazë palestinez dhe bëjnë namin në kufirin e Izraelit.

Gaza, si Leposaviqi në Veri të Kosovës, është tani vendi i tensioneve më të mëdha. Gaza drejtohet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili ka kryer disa herë luftime me shtetin izraelit. Izraeli kontrollon kufirin e Gazës për të mos lejuar që Hamasi të marrë armatime.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor vuajnë për shkak të veprimeve të shtetit të Izraelit, ndërsa autoritetet në Tel Aviv thonë se veprojnë vetëm për vetëmbrojtje…

Sipas projekteve dhe shpresave të qeverisë Kurti në Kosovë dhe qeverisë Vuçiç në Beograd, lëngata do të zgjasë aq sa ka zgjatur në Palestinë. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihen tre projektet e tyre:

E para që situata as luftë as paqe të pranohet forcërisht nga Perëndimi dhe mbarë bota

E dyta, që as aleatët dhe as armiqtë të mos mund hyjnë në këtë territor të minuar dhe këtu të mbretërojë mizerabiliteti. Bota nuk do të dijë më se si jetojnë qytetarët, a në uri apo në frikë.

E treta, do të ndërtohet pushteti i përjetshëm Kurti-Vuçiç, i cili do të prodhojë jo një, por dy Jasser Arafatë.

Puna për ndërtimin e ‘shtetit palestinez’  brenda dy shteteve ballkanike ka nisur që dje. Sot qeveria Kurti kreu aktin heroik të stilit të vjetër: Urdhëroi Mbledhjen e  Këshillit të Sigurimit të Republikës, por kur? Jo në ora nëntë, as në dhjetë- kur nisin punë të tilla në shtetet europiane… Kurti urdhëroi që mbledhja të niste në ora 07:00 të mëngjesit.

Dje, të dy palët, në akordancë, ndërtuan filmin e parë të fillimit të Modelit: Tre Policë të Forcave të Kosovës, të lidhur, të shtrirë përtokë, të çarmatosur, të hequr rripash pantallonash…, tek poshtëroheshin në një copë tokë me bar. Në të ardhmen Hollivudi ose Belivudi, ose Turkish Cinema…, do të prodhojnë filma me metrazh të gjatë mbi situatën ‘as luftë as paqe’.

Por asnjë nga regjisorët e botës nuk do ta gjejë se ku pikërisht ndodhet kjo tokë ku i shtrinë dhe i poshtëruan policët e Kosovës. Nëse edhe këta tre policë nuk do të jenë ‘aktorë’ të filmit të fillimit dhe më vonë do të shpërblehen.

Një herë do të thuhet se policët u rrëmbyen në tokën shqiptare, një herë tjetër do të thuhet se u rrëmbyen 10 kilometra brenda Serbisë. Kjo do të krijojë situatën e luftimeve të Hazbullah mbi kokat e libanezëve: Hazbullahët e fshehur në Bejrut, kërkohen me raketa gjatë natës nga Izraeli. Por kurrë nuk gjenden sa janë e ku janë.

Dje nisi edhe mesazhi i përjetshëm i trafikut dhe akteve mafioze në kufirin mes Kosovës e Serbisë. Qeveria Kurti vendosi që të ndalojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Ndërsa qeveria Vuçiç nuk u ndje. Të dy palët kanë të njëjtin interes: Të ndalojnë tregtinë e lirë e të bazuar mbi ligje dhe të nisin trafikun ilegal të mallrave të drejtuar prej tyre.

Kjo ka ndodhur ‘motamo’ në Palestinë dhe me udhëheqësit palestinezë. Të përfituarit në Kosovë do të jenë militantët e Kurtit dhe të VV, ndërsa në Beograd- po kështu, militantët që rrëmbyen dje 3 policët e Kosovës. Tregtia e paligjshme do të lulëzojë në Veri.

Vetë udhëheqësi legjendar palestinez, Arafat, është i njohur në mbarë botën si trafikant droge dhe armësh. SHBA e kishte shpallur ‘non grata’, deri diku nga fundi i jetës së tij. Albin Kurti i ka të gjitha gjasat e një  revolucionari’ si Arafat. Edhe ky kërkon të bëhet ‘hero’ përballë Amerikës armike. Edhe ky shfaq shenja inferioriteti para Vuçiç.., dhe përse? Për shkak të shkurtësisë trupore

Jasser Arafat ishte 1.57 cm i gjatë.




Skip to toolbar