Shpërdoroi 700 mijë euro fonde të UEFA, arrestohet ish-presidenti shqiptar i Federatës së Futbollit në RMV

AKTUALITET


Ish-presidenti shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, është arrestuar nga autoritetet nën dyshimin për përvetësim fondesh dhe shpërdorim detyre.

Sipas informacioneve zyrtare, Sejdini dyshohet se ka përvetësuar rreth 700 mijë euro të akorduara nga UEFA për zhvillimin e futbollit në vend.

Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se rasti është zbuluar nga drejtuesit e rinj të federatës, ndërsa hetimet janë nisur nga Prokuroria e Shkupit. Arrestimi është kryer nga strukturat për luftën kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sjellim ndërmend se Sejdini mori drejtimin e FFM-së fillimisht si ushtrues detyre në mars të vitit 2019 dhe më pas u zgjodh president në vitin 2021. Gjatë periudhës së drejtimit të tij, janë ngritur vazhdimisht dyshime për keqmenaxhim të fondeve të dhëna nga UEFA, në një kohë kur futbolli maqedonas përballej me probleme infrastrukturore.

Me origjinë nga Kërçova, ai drejtoi federatën gjatë kohës kur në pushtet ishte Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Prokuroria ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të publikohen detaje të tjera lidhur me këtë çështje.



Skip to toolbar