Të mëdhenjtë e vegjël të Kupës së Botës

Ditari i Botërorit


Nga Sokol Balla – Mexico City

Futbolli ndryshon kombet. Mendoni si do të ishte Brazili pa futbollin? Ndërsa Gjermania po. Atje ka jetë edhe pa topin e rrumbullakët. Por pyetja është tjetër? Si është kjo jetë? Këtë mendoja ndërsa shihja gjermanët të largoheshin të turpëruar pas një ndeshjeje të lodhshme ndaj një Paraguaji që vërtet u mbrojt fort, por bukur për 120 minuta. Duke eleminuar për herë të parë në histori gjermanët, me penallti. Një tjetër record negativ për katër herë kampionët e botës. Të cilët u mundën dy herë nga latinët në këtë Botëror. Shihja tifozët gjermanë dhe reagimet e tyre. Buzëqeshje dhe: “Das ist ok. Ich bin zuruck im hause”.

Pak orë më vonë një tjetër favorit, Holanda, u largua. Nga Maroku. Jam shumë i sigurt që tifozët holandezë, do pinë e do bëhen tapë. Do mbushin me shurrë rrugët e Monterrey e më pas do kthehen në shtëpi. Ashtu si ndotën tiranën 4 vjet më parë gjatë finales së Conference League. Ndërkohë shikoni farë ndodh në rrugët e Asuncion, apo të Casablanca. Kombe të vogla e të shtypura, nga hegjemonitë e dikurshme kulturore, ushtarake dhe sot edhe ekonomike, por që ringrihen. Një ringritje që nis nga futbolli.

Pak ditë më parë, ndërsa mbërrija në hotelin tim në Mexico City, pranë qendrës historike të Zocalo, shihja turma pa fund njerezish me bluzën e Meksikës, që ishin në radhë prej orësh për tu futur në Fan Zone të ngritur në një nga sheshet më të mëdha të botës. Mendova një shifer: duhet të ishin mbi 200 mijë. Në mbrëmje lexova shifrën zyrtare: 218 mijë.

Ndërsa portalet nga Tirana po atë ditë raportonin sesi Fan Zone në sheshin Skënderbej kishte përjetuar sulmin e parë nga protestuesit shumëngjyrësh në Tiranë. Mesazhi më erdhi ndërsa në Azteca, u gjenda mes tifozëve meksikanë, ndërsa filloi “olee”-ja e parë. Në ekranin e madh led, u shënua shifra “132 decibel”: kaq e lartë ishte zhurma e tifozëve lokalë për Meksikën e tyre. Meksikë e cila mundte Cekinë 3 me 0. Po kaq e kemi mundur edhe në këtë ekip e ndoshta Shqipëria jonë e meritonte më shumë të ishte në Azteca. Edhe për këtë mund të kisha dalë unë në protestë: për vrasjen e ëndrrës sonë të madhe të Botërorit. Por vallë a do më kishte kuptuar dot njeri?

A do më kishin kuptuar se sa shumë ëndërronim ne të shihnim një ndeshje futbolli me ngjyra nga Kupa e Botës, aq sa rreshtoheshim si ushtarët, në ndonjë studio të RTSH, ku na fusnin të afërmit tanë fshehurazi, para një televizori Blaunpunkt? A do më kuptonte shumica, po t’I thoja se për brezin tim, një ngjarje që nuk harrohet, është ndeshja e parë me drita në Qemal Stafa, pasi për dekada rresht Kombëtarja jonë I luante ndeshjet në mesditë, që mos të skualifikohej stadium, nga ankesat e holandezëve, apo gjermanëve? Po. Gjermania ankohej gjithmonë për ne. Gjendej gjithmonë një arsye. Gjermanët fitonin gjithmonë. Edhe para. Edhe pas 90 minutave. Epo jo më. Tani fiton Paraguaji.

Por e vërteta është se në futboll Shqipëria ka ecur mbrapsht. Por a është Shqipëria si Brazili? Për shembull, çfarë ndodh nëse mbyllet Liga Superiore, merr fund edhe kombëtarja jonë? Vështirë, pasi lojtarët tanë, me shumë pak përjashtime, janë produkte të Diasporës. Janë brezi më i artë i futbollit shqiptar, ndoshta që nga vitet 80. Edhe atëherë për pak u kualifikuam për në Meksikë. Por një humbje në Greqi 2 me 0, na preu çdo shpresë. Një gol i Agustin Kolës, i munguar, vetëm dy metra larg portës. Nuk e harroj kurrë xhestin e tij: vuri dy gishtat në sy. Shenjë për të treguar se i kishin vrarë sytë prozhektorët e Stadiumit olimpik të Athinës. Lojtarët tanë ishin mësuar të luanin vetëm nën dritën e diellit. Ndeshjen po e shihja në një studio me drita të fikura në RTSH, mes nja 30 familjarëve të tjerë të punonjësve të televizionit, me paktin e heshtur se nuk do bënim zhurmë, para një televizori Blaupunkt. Kuptohet, një ekrani me ngjyra.

Ishte shkurt 1985. Në tetor 1985, në Tiranë barazuam 1 me 1 po me Greqinë dhe këtu ëndrra e Botërorit meksikan mori fund. Fiks 30 vjet më vonë, në tetor 2015 në stadiumin e Jerevanit në Armeni, festonim si të çmendur kualifikimin e parë në Europian. Sot 11 vjet më vonë, duket sikur kjo ëndërr përfundoi. Dhe ne kemi përfunduar, të ndjekim sërish Botërorin nga televizori me ngjyra. I vetmi ndryshim: nga nesër e tutje, bashkë me gjermanët dhe holandezët. Por a është ky një ngushëllim? Për Joridën me siguri, po për mua jo.

Dhjetë vjet më parë, pata shkruar një libër: Loja që ndryshoi Shqipërinë. Futbolli ishte dhe është pasqyra e ecjes së një shteti dhe të një kombi, në rrjedhën e historisë. Gjermania nuk ka marrë pjesë vetëm në një Botëror: në 1950 kur as pjesa perëndimore dhe asaj ajo lindore nuk njiheshin Akoma si shtete. Por ne 1954 kur u rikthye, fitoi mënjeherë Kupën e Botës. Aty nisi rilindja e saj. Eleminimi i Gjermanisë dje, tregon gjithashtu krizën e identitetit të një kombi, që ka nisur të luhatet sërish në reminishencat e dy plagëve botërore që i hapi globit në 1914 dhe 1939. Në kërkim të një lidershipi që as e Meriton, e as ia kërkon kush.

Zhurma në Azteca nuk më pengonte të kujtoja se edhe në 1986 kur FIFA ja hoqi të drejtën Kolumbisë, bashkë me Meksikën, botërorin e kerkoi edhe Kanadaja me SHBA. Amerika sapo kishte krijuar nga pasioni i çmendur i disa miliardierëve, një ligë futbolli. Kishin sjellë në continent Pele, Beckenbauer, Kruyiff dhe George Best. Por liga amerikane kishte vendosur “rregullat” e saj. Për shembull njëri prej tyre, ishte që kur ndeshja përfundonte barazim, atëherë gjuheshin penalltitë nga mesi i fushës. Lojtari merrte topin prej andej, dhe duhet të driblonte portierin, pasi futej në zonën e rreptësisë. Por futbolli ka rregullat e veta. Atij nuk mund t’ia imponosh. As ato dhe as emrin. Kur Amerika pranoi futbollin, atëherë ai u kthye atje, me Kupën e Botës 1994.

Sot në Amerikë, ëndërrohet Kupa e Botës. Një spot publicitar parashikon finale mes ekipit vendas dhe Brazilit me Amerikën që fiton 3 me 2 në minutën e fundit. Askush nuk mund të privohet nga e drejta për të ëndërruar.  As Amerika dhe as Meksika. Në kthim në Linea Blu të metrosë, mijëra meksikanë pas fitores me Cekinë, I drejtohen sheshit Zocalo, për të festuar kualifikimin pasi mundën Cekinë. Dua shumë t’u them se edhe Kombëtarja ime I ka mundur cekët po 3 me zero, po sot e shohim Botërorin nga shtëpia. Po unë jam vetë një ëndërrimtar. Dikur dua dhe unë Brenda jetës sime biologjike, t’I shoh kuqezinjtë në Botëror. Por a do mundem vallë?

Shoh në rrjete ndërsa jam ulur në tren mes meksikanëve të ekzaltuar, një radhitje të ekipeve që mund të fitojnë Kupën e Botës:

Favoritë: Franca dhe Argjentina

Konkurentë: Anglia, Spanja, Gjermania, Holanda.

Endërrimtarët: Meksika, SHBA, Maroku

Kuajt e errët: Norvegjia, Japonia dhe Paraguaji.

Tre ditë më vonë holandezët dhe gjermanët kthehen në shtëpi. I bashkohen italianëve, grekëve dhe shqiptarëve, dhe tani Kupën e Botës do ta shohin nga televizorët.

Disa prej tyre me siguri, të firmës Blaupunkt.

Ciudad de Mexico, qershor 2026



Skip to toolbar