Të mërkurën testi për policët e rinj, ja çfarë duhet dini

AKTUALITET


Të mërkurën më 4 shtator do të zhvillohet testi i 2120 kandidatëve që do të synojnë të bëhen pjesë e patrullës së përgjithshme të Policisë së Shtetit, për 500 vende vakante. Me anë të një deklarate mbajtur për mediat, Drejtori i Kolegjit Policor, Ylli Vasili  ka treguar disa nga rregullat që duhet të kenë parasysh aplikanëtët gjatë zhvillimit të testimit. Sipas Vasilit, testimi që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, do të ndahet në dy faza. Në fazën e parë do të testohen aplikanëtët nga qarqet Tiranë, Berat, Durrës dhe Fier, ndërsa në të dytin do të testohen ata nga qarqet Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës e Dibër.

“Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve. Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit”, ka thënë Ylli Vasili.


Testimi do të monitorohet nga kamera  në mënyrë që të eliminohet çdo abuzim, ndërkohë që testi është përgatitur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit, ndërsa do të tërhiqet në orën 07:00 të mëngjesit nga komisioni përkatës. Ylli Vasili ka sqaruar edhe mënyrën se si do të bëhet korrigjimi i testit. “Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve. Çdo konkurent, në fund të çdo faze konkurimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, ka thën Drejtori i Kolegjit Policor.

Ndërkohë, vijojnë të jenë të hapura aplikimet deri në datën 15 shtator 2019, për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në degët Ekonomik, Juridik dhe Teknologji Informacioni dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, të cilët në përfundim të kursit, do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.




Skip to toolbar