Teatri, si e ardhmja e Lulzim Bashës

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Çështja e Teatrit Kombëtar, e godinës së re që do të ndërtohet, e asaj që do të prishet, dhe mënyrës se si do të ndërtohet, është një temë e vjetër dhe e stërkonsumuar. Një vit më parë për çdo ditë, ky debat ishte temë e ditës.

Protestuesit e arritën një fitore. Ata imponuan ndryshimin e ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri, duke detyruar qeverinë të bënte garë të hapur për ndërtuesin, pas rekomandimeve të Bashkimit Europian për këtë çështje.

Të gjitha të tjerat, rreshtimi i aktorëve të njohur pro Tetarit të ri dhe disa aktorëve militantë të PD kundër Teatrit të ri, përpjekja për të ndarë këtë histori si betejë mes nostalgjikëve të Teatrit dhe atyre që duan ndërtesë të re, dhe mbi të gjitha, kthimi i saj si kauzë politike, janë histori të vjetra.

E vetmja histori e re në këtë mes, është nevoja që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike të kenë një kauzë për të shtyrë ditët e verës, pasi debati mbi dështimin e tyre kundër 30 qershorit, dhe përpjekjes për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, dështuan, dhe ata nuk ballafaqohen dot me njerëzit e tyre.

Po ashtu, presidenti Ilir Meta, i trembur se mbetej pas në këtë histori, njësoj si dikur presidenti Nishani që shkoi me makinë tek të njëjtit protestues, kundër ndërtimit të parkut të lojërave të fëmijëve tek Liqeni, shkoi sot me këmbë në Gjykatë, për të dorëzuar një kërkesë kundër projektit të ri.

Opozita, por dhe qytetarët kanë të drejtë legjitime të dinë se si do të shpenzohet çdo qindarkë për ndërtimin e Teatrit të ri, nëse dalin nga buxheti i shtetit, dhe si do ritkhehet tek publiku çdo centimetër tokë, nëse i ofrohet nga shteti privatit. Dhe tani për këtë, qeveria ka një detyrim ligjor, prej ligjit që ka miratuar vet në Kuvend.

Gjithçka tjetër është një teatër i aktorëve politikë, për të shtyrë ditët e verës.

Qeveria ndjehet mirë që gjeti një mënyrë të duket sikur ka opozitë, Lulzim Basha ndjehet mirë, që të mos përballet qytet më qytet me ata që i la rrugëve, ndërsa Bashkia ka rastin të promovojë gjithë betejat e dështuara të të njëjtit grup, kundër saj.

E gjitha është një inskenim për të shmangur ballafaqimin e madh që Lulzim Basha ka me të ardhmen e Partisë Demokratike, të cilës Ramiz Alia më 1990 u detyrua t’i hapte rrugë dhe ta fuste në pushtet, kurse ky e nxorri nga çdo qelizë e pushtetit duke e lënë rrugëve.

Lulzim Basha  e nxorri Partinë Demokratike nga sistemi politik, e nxorri nga Parlamenti dhe Bashkitë, e nxorri nga Këshillat Bashkiake dhe institucionet. Dhe po e fut në Teatër. Vetëm aty ndjehet i sigurtë që fiton si aktor.



Skip to toolbar