I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.
Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore:
Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.
Në Moldavi, më 1 qershor, udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, gjatë takimit të tyre me presidentët e të dy vendeve, Vjosa Osmanin dhe Aleksandar Vuçiçin.
Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.about:blank
Bashkimi Evropian e kishte quajtur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve si një “dalje nga faza e menaxhimit në krizave në një fazë të normalizimit”.
Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në veri të Kosovës, për çka përgjegjësia iu bart autoriteteve të Kosovës, të cilat insistuan që kryetarët e zgjedhur të komunave të hynë në ndërtesa, prapë aktiviteti i BE-së është kthyer në menaxhimin e krizave.