Tërmeti, miratohet fondi: 1 mln dollarë për dëmet

AKTUALITET


Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar një mbledhje urgjente pasditen e të dielës, ku ka miratuar fondin 1 milion dollarë për t`u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti. 20% e këtij fondi, do të shkojë në ndihmë të bashkisë së Durrësit si fond solidariteti për t`u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në këtë qytet. Gjatë fjlaës përpara këshilltarëve, Erion Veliaj u shpreh se mandati i ri po nis me një sfidë të madhe për të gjithë.

“Sot po kalojmë një fond prej 1 milion dollarësh të ndarë 80% për qytetin e Tiranës, por në mënyrë simbolike vendimi i parë është për 20% të këtij fondi, pra 200 milionë lekë, për qytetin e Durrësit, në ndihmë të koleges sonë atje, që ka një sfidë akoma më të madhe. E fillon mandatin me një sfidë të jashtëzakonshme, me tërmet në qytetin e saj, kështu që do të doja shumë që t’i gjendeshim pranë Valbonës dhe vëllezërve e motrave në Durrës”, theksoi Veliaj.


Ndërkaq, nisur nga situata, Bashkia e Tiranës miratoi me urgjencë edhe dy vendime të rëndësishme që u vijnë në ndihmë njerëzve në vështirësi ekonomike. Kështu, pagesat për muajin shtator për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar dhe ata që marrin pagesa nga fondi 6% për ndihmën ekonomike do ta marrin atë më parë. Në shenjë solidarizimi, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës vendosën unanimisht që pagën e tyre të shtatorit ta dhurojnë për të prekurit nga tërmeti.




Skip to toolbar