Tërmeti zhvendos “Minishengenin”, Vuçiç dhe Zaev mbërrijnë në Tiranë

POLITIKË


Shqipëria është pritëse e samitit të radhës në lidhje me Shengenin Ballkanik. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev mbërritën në Tiranë për të marrë pjesë në kuadër të Samitit të tretë të Shengenit Ballkanik, që mbahet pas atij të Novisadit në Serbi dhe Ohrit në Maqedoni.

Samiti i tretë ishte parashikuar të mbahej në Durrës, por për shkak të tërmetit do të zhvillohet në Tiranë. Vuçiç, Zaev dhe Rama do të takohen tek hotel ‘Rogner’ në një takim informal dhe më pas marrin pjesë në eventin e bamirësisë ‘Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’, për mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.


Të shtunën liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të vizitojnë në orën 10:00 zonat e prekura nga tërmeti në Durrës dhe më pas do të nis samiti. Në samiti do të marrë pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi Gjukanoviç i cili vjen të shtunën në mëngjes në Tiranë.

Në orën 13:15 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp për të shpalosur konkluzionet e samitit. Mali i Zi bëhet pjesë për herë të parë i këtij takimi dhe shpreh dëshirën për të qenë pjesë e kësaj nisme për largimin e barrierave kufitare për kapitale, njerëzit dhe shërbimet, ndërsa Kosova refuzoi sërish ftesën për të marrë pjesë në këtë samit, ku presidenti Thaçi u shpreh se “ nuk do të bëhej pjesë e eksperimenteve rajonale”.




Skip to toolbar