Tmerr në Martanesh, plumba në kokë dhe trup fëmijës në gjumë

AKTUALITET


Një fëmijë 6 vjeç është plagosur rëndë në Krastë të Martaneshit gjatë një breshërie plumbash që synonin vrasjen e babait të tij.

Nga të dhënat e para raportohet se fëmija ka qenë në gjumë kur është plagosur me plumba në fytyrë dhe trupi. 6-vjeçari është transportuar fillimisht në spitalin e Dibrës, ndërsa më pas me helikopter në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar, pasi është në gjendje shumë të rëndë.

Sipas policisë autori i plagosjes së fëmijës është Jetmir Koxherri 27 vjeç. Pas një konflikti mes Koxherrit, babait të 6-vjeçarit me inicialet H. Rr. dhe një tjetër personi me inicialet Sh. P. në lokalin e fshatit, 27-vjeçari ka marrë armën e zjarrit tip automatik duke shkuar dhe qëlluar drejt banesës së tij, por plumbat kanë kapur fëmijën, që ishte në gjumë duke e plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, policia është lajmëruar rreth orës 01:15, ndërsa mëngjesin e së mërkurës autori është arrestuar dhe arma e krimit është sekuestruar.

Mjeku i spitalit të Dibrës, Agron Mezegjiu foli për gjendjen që kishte ardhur fëmija dhe plumbat që kishte marrë në fytyrë dhe pjesët e tjera të trupit, ndërsa theksoi se gjendja u stabilizua.

“Fëmija erdhi rreth orës 01:00 i plagosur me armë zjarri, kishte një plagë të madhe në fytyrë dhe një plumb i ngelur mbrapa qafës, kishte një dëmtim në kyç dhe një plagë të madhe në kofshën e djathtë, kishte edhe një plagë në bazën e hemitoraksit të majtë që mund të ishte rikoshet. U shtrua në spital, gjendja u stabilizua, rreth orës 07:00 u lajmërua gjendja në Tiranë, erdhi helikopteri dhe e mori. Megjithatë gjendja mbetet problematike, pasi mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale” tha mjeku Mezegjiu.

Njoftimi i policisë

Bulqizë

Reagimi në kohë i Policisë vë në pranga autorin e dyshuar që qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese e për pasojë mbeti i plagosur një fëmijë.

Sekuestrohet arma e krimit automatik tip “kallashnikov”.

Me datë 19.06.2019, rreth orës  01:15, është marrë informacion, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal, mes shtetasve J. K., H. Rr. dhe Sh. P, shtetasi  J. K,  është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një  armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rr,  ku për pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë i mitur, i cili po merr ndihmë mjekësore  në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Bulqizës, në orët e mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes shtetasit J. K., 27 vjeç, banues në Krastë, si  dhe sekuestrimi i armës së krimit.

Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje.



Skip to toolbar