Mbrojtësi i Partizanit Lorenc Trashi doli të mërkurën në koferencë për shtyp. I grumbulluar nga trajneri Edy Reja për dy ndeshjet e radhës eleminatore, Trashi shprehet se është përshtatur me trajnerin. “Është e vërtetë, është grumbullimi im i tretë me Kombëtaren. Jam përshtatur dhe njohur mirë me epokën e trajnerit që ndodhem tani. Panuccin nuk e njoh shumë dhe s’mund të flas më shumë për të. Trajneri Reja nuk është nevoja të them unë kush është”, u shpreh Trashi.
Më tej, mbrojtësi foli për atomsferën në skuadër, duke treguar se çdo gjë është mirë, ndërsa për aktivizimin e tij pret vendimin e trajnerit. “Atmosfera është pozitive. Nuk jam i mendimit që ka pasur shumë probleme krahu i majtë. Por, njëherë lojtari është në formën e duhur dhe njëherë jo. Unë jap maksimumin në ekipin tim, por vendos trajneri. E ndjej veten shumë mirë, ndaj trajneri më thirri. Shpresoj të kem minuta”, shprehet mbrojtësi.
Por, Trashi lë të kuptohet se do minuta, jo vetëm për të treguar veten në skuadër, por aktivizimin në kombëtare e sheh si një mundësi për të luajtur në ekipe jashtë vendit. “Normalisht çdo lojtar në kampionatin shqiptar kërkon të ketë një eksperiencë në një kampionat më të lartë. Mendoj që Kombëtarja më shërben më mirë për këtë pjesë. Por, disa minuta në këmbë do të më bënin të provoja veten, pse jo të provoj edhe veten në një ekip më të lartë në Europë. Unë personalisht s’kam pasur asnjëherë probleme me trajnerin. Ai ka qenë i pari që më ka mbështetur dhe më ka përqafuar”, përfundoi mbrojtësi.