Veseli “mahnitet” nga lojtarët e rinj

AKTUALITET


Në prag të ndeshjes me Turqinë, mbrojtësi Frederic Veseli kërkon fitore, pasi sipas tij është një mundësi për të bërë një hap para. Në konferencën për shtyp të së mërkurës, mbrojtësi që aktivizohet me Empolin, beson se kombëtarja mund të përsërisë të njëjtën ndeshje si në Antalia, kur e mundi Turqinë me rezultatin 3-2.  

“Besoj se kemi lojtarë që përshtaten me skemën me 3 por mund të kalojmë edhe me 4 pa problem. Është diçka që varet nga kundërshtari dhe nuk është fiks. Mund të kalojmë edhe me 4 apo 5 mbrojtës. Ka shumë rëndësi kjo ndeshje sepse e dimë që ka mundësi të bëjmë një hap shumë para nëse fitojmë. Synojmë fitoren dhe pse jo të vazhdojmë në këtë edicion dhe të bëjmë diçka pozitive. Besoj e shpresoj të mundim Turqinë si në miqësoren në Antalia”, tha mbrojtësi.


Më tej, Frederic Veseli u shpreh se skuadra nuk duhet të ketë presion. Sipas tij, lojtarët e rinj të grumbulluar nga Edy Reja, janë me kualitet dhe do të shtojnë konkurrencën në skuadër.  “Nuk duhet të kemi presion por të bëjmë lojën tonë pasi kemi mundësi të fitojmë. Sigurisht që do të na ndihmojnë pasi kanë ardhur lojtarë me shumë kualitet dhe i kemi parë në stërvitje dhe kur kanë luajtur. Janë një shenjë me perspektivë për të ardhmen dhe kur ka lojtarë të rinj shtohet konkurrenca dhe kjo është pozitive për skuadrën. Konkurrenca është pozitive për mua sidomos në Kombëtare ku duhet dhënë maksimumi. Mund të sigurojnë vendin e tyre në Kombëtare pasi jemi gati të japim maksimumin”, tha Veseli.

Mbrojtësi i Empolit nuk i kursen elozhet për futbollistët e rinj, një prej të cilëve është Marash Kumbulla që luan në Serie A me Veronan. Sipas Veselit, ai është lojtar shumë i mirë dhe punëtor. “Kumbulla është shumë i mirë dhe shumë i ri. E ka treguar veten në Serinë A dhe si person është djalë i mirë e punëtor. Do të arrijë shumë lart nëse e mban këtë mentalitet. Është pozitive për Kombëtaren që një lojtar si ai, përparon aq shumë në një kampionat të atij niveli”, tha mbrojtësi.

Por, mungesa e Elseid Hysajt do të ndihet në skuadër. Sipas Veselit ai është  lider në ekipin kombëtar, por shprehet se pozicioni i Hysajt në lojë do të mbulohet nga lojtarë të tjerë.  “Hysaj mungon shumë sidomos pas ndeshjes me Islandën ku edhe shënoi. Mundem të them se është lider i ekipit dhe e vuajmë mungesën e një lideri në ekip por kemi lojtarë për të mbuluar atë pozicion. Edhe unë mundem ta bëj atë pozicion por në fund vendos trajneri”, përfundoi Frederic Veseli.




Skip to toolbar