Trump mbron Holliwood/ Tarifa 100 përqind për filmat e prodhuar jashtë SHBA

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se do të vendosë tarifa prej 100% për filmat e prodhuar në vendet e huaja, në kuadër të përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve tregtare me shtete të ndryshme në mbarë botën. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump u shpreh se industria amerikane e filmit po “vdes me shpejtësi” dhe akuzoi vende të tjera për një “përpjekje të organizuar” për të joshur prodhuesit e filmave me stimuj financiarë, gjë që ai e cilësoi si “kërcënim për sigurinë kombëtare”. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë – është edhe propagandë! DUAM FILMAT TË PRODHOHEN NË AMERIKË, SËRISH!”, shkroi Trump ne Truth Social.

Presidenti Amerikan tha se ka autorizuar Departamentin e Tregtisë dhe Përfaqësuesin për Tregtinë të nisin procesin për vendosjen e tarifave, megjithëse detajet e sakta mbeten të paqarta. Nuk dihet nëse tarifat do të përfshijnë prodhimet amerikane të realizuara jashtë vendit, si dhe nëse do të aplikohen edhe për filmat që publikohen vetëm në platformat online si Netflix, përveç atyre që shfaqen në kinema. Shumë filma të fundi, prodhime te medha kinematografike si Deadpool & Wolverine, Wicked dhe Gladiator II, janë xhiruar jashtë Shteteve të Bashkuara, në vende si Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia – vende që ofrojnë kosto më të ulëta dhe personel të specializuar.

Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, deklaroi se qeveria e tij do të mbrojë me vendosmëri industrinë e ekranit në Australi. Ndërsa Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, tha se qeveria e tij po pret më shumë detaje, por do të jetë “një avokat i fortë” i sektorit filmik vendas. Ndërkohë, sindikata britanike e medias, Bectu, paralajmëroi se një masë e tillë mund të ketë “efekt shkatërrues” për industrinë ndërkombëtare të filmit, e cila ende po rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë dhe një ngadalësim i kohëve të fundit.

Pavarësisht sfidave kompania e statistikave dhe studimeve ProdPro deklaron Shtetet e Bashkuara mbetën një qendër kryesore e prodhimit filmik me rreth 14.5 miliardë dollarë shpenzime në vitin e fundit – megjithëse kjo shënon një rënie prej 26% krahasuar me vitin 2022.

Në fillim të mandatit të tij të ri, Trump emëroi aktorët Jon Voight, Mel Gibson dhe Sylvester Stallone si “Emisarë të Posaçëm” për të promovuar biznesin dhe investimet në Hollywood, të cilin ai e përshkroi si “një vend të madh, por shumë të trazuar”.



Skip to toolbar