Turistët bllokohen në kanionin e Holtës, policia shkon në vendngjarje

AKTUALITET


Disa turistë shqiptarë janë bllokuar në brendësi të kanionit të Holtës në Gramsh. Forcat speciale të Policisë së Elbasanit dhe ato zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të këtij kanioni për të bërë të mundur shpëtimin e turistëve.

Pas ndërhyrjes së forcave të policisë dhe atyre zjarrfikëse në Kanionin e Holtës, është bërë fillimisht shpëtimi i katër fëmijëve, të cilët ishin bllokuar në brendësi të këtij kanioni.


Më pas, kanë nisur kërkimet për të shpëtuar nga rreziku jetën e turistëve të rritur, që gjithashtu ishin bllokuar në brendësi të kanionit.

Nga raportimet paraprake mësohet se turistët kanë qenë në brendësi të këtij kanioni, por reshjet e shiut kanë shtuar prurjet e ujit, duke bërë që turistët të mbeten të bllokuar. Gjithashtu, nga raportimet paraprake të policisë nuk raportohet për dëme në shëndetin e turistëve.

Në vendin e ngjarjes, veç forcave të policisë dhe zjarrfikësve kanë shkuar dhe autoambulancat, të cilat janë në gatishmëri për çdo ngjarje emergjente.

Kanioni i Holtës ndodhet në afërsi të Gramshit, dhe njihet si një nga pasuritë e rralla natyrore të vendit tonë, ku veç ujërave të zakonshme, që vijnë prej maleve të krahinës së Shpatit në Elbasan, aty burojnë dhe ujëra termale.

Gjithashtu, pjesë e këtij kanioni, janë dhe disa shpella të pasura me stalagtide dhe stalagminde, të cilat gjithashtu ofrohehen si pjesë e paketës turistike për turistët vendas dhe të huaj.

Në përditësim…




Skip to toolbar