Turizmi, Arjan Vasjari: Duhet rishikim i paketës fiskale, 2020 të shërbejë si trampolinë ringritjeje. Klosi: Na gjeti në momentin e investimeve, nuk e dimë fundin

AKTUALITET


Analisti Arjan Vasjari i ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24, i cili sot ishte i zhvendosur në Vlorë ka apeluar për një rishikim të paketës fiskale për të ringritur turizmin.


Vasjari thotë se qeveria duhet të bëjë përpjekje që së paku strukturat hoteliere të mbijetojnë deri në 2021.

”Në të gjitha rastet, edhe turizmi patriotik do jetë i pamjafueshëm, për një pacient që është i intubuar, as në terapi intensive. Rishikim i paketës fiskale për turizmin, do të ishin elementi që pjesa më e madhe e strukturave të ekzistojnë në 2021. 2020 duhet të shërbejë si trampolinë ringritjeje për turizmin. Shikoj një situatë që mos jetë në projeksionet e mia apo operatorëve turistikë.

Situata është e tillë. Nuk po vuan vetëm turizmi shqiptar. Ky fluks kaq i reduktuar i turistëve, Shqipëria nga ana tjetër ka numrin më të vogël për turistët.”- tha Vasjari.

Por Klosi i cili ishte i pranishëm në emision, tha se pandemia e gjeti turizmin shqiptar në kohën e investimeve dhe se nuk mund të bëhen përllogaritje sa është dëmi në turizëm kur ende nuk dihet fundi i kësaj krize.

”Është e vështirë të gjesh ku është fundi. Ne flasim me idenë se pandemia po kalon, por numrat nuk e tregojnë. E vështirë të bësh përllogaritje kur nuk di fundin. Ne jemi turizëm në rritje. Na gjeti në momentin e investimeve. Nga veriu në jug, nga Valbona, Theth, Bogë, deri në Konispol ka investime”- sqaroi Klosi.