Turqia nis operacionin në veri të Sirisë

BOTA


Turqia nisi një operacion ushtarak të planifikuar për një kohë të gjatë në veriun e Sirisë për të nxjerrë forcat kurde të etiketuara nga Ankaraja si terroristë, por që shihen nga shumica e Perëndimit si partnerë kryesorë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi fillimin e operacionit, të quajtur “Pranvera e Paqes” dhe tha se ai kishte për qëllim zhdukjen e “kërcënimit të terrorit” kundër Turqisë. Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët (FDS) thanë që avionët luftarak turq po godasin zona civile, duke shkaktuar panik të madh.

Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm të Shtëpisë së Bardhë se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni, duke i hapur rrugën operacionit ushtarak turk. Presidenti Donald Trump po vazhdon të mbrojë vendimin e tij, mes kritikave të gjera në Uashington, duke thënë se “luftërat e kota të pafundme për ne po mbarojnë!”

“Luftimet mes grupeve të ndryshme kanë vazhduar për qindra vjet. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kishte qenë kurrë në Lindjen e Mesme. Lëvizëm 50 ushtarët tanë! Turqia DUHET të marrë përsipër luftëtarët e kapur të ISIS-it që Evropa nuk pranoi të ktheheshin. Luftërat e kota, pa fund, për ne, po mbarojnë! ”, tha Presidenti Trump të mërkurën, në një seri postimesh në Twitter për këtë çështje.

Si ligjvënësit demokratë edhe ata republikanë kanë kritikuar ashpër tërheqjen amerikane nga Siria veriore, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po braktisnin kurdët sirianë që kishin luftuar grupin terrorist Shteti Islamik së bashku me trupat amerikane.

“Nëse e dëgjoj presidentin të thotë edhe një herë,” bëra një premtim fushate për të dalë nga Siria, “do më turbullohet stomaku”, tha senatori republikan Lindsay Graham për Axios. “Ai bëri një betim për të mbrojtur kombin kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe vendas. Nuk ka asnjë armik më të madh për kombin tonë se ISIS. Dhe nuk ka asnjë mënyrë që ta mbrojmë vendin nga Islami radikal pa partnerë si kurdët.”

Përpara sulmit turk, Forcat Demokratike Siriane lëshoi thirrjen e vet për vendet e përfshira në koalicionin për të mposhtur ISIS-in dhe për të shmangur një katastrofë humanitare në veri të Sirisë.

“Të gjithë treguesit, informacionet në terren dhe grumbullimet ushtarake në anën turke të kufirit tregojnë se zonat tona kufitare do të sulmohen nga Turqia, në bashkëpunim me opozitën siriane të lidhur me Turqinë,” tha FDS. “Ky sulm do të sjell viktima në radhët  e mijëra civilëve të pafajshëm sepse zonat tona kufitare janë të mbingarkuara.”

Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk po braktis kurdët që luftuan me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit kundër ISIS-it. Në të njëjtën kohë, ai ka lavdëruar edhe Turqinë, duke e ftuar Presidentin Erdogan të vizitojë Shtëpinë e Bardhë muajin tjetër (13 nëntor), ndërsa e quajti Ankaranë një “partner të madh tregtar” dhe i atribuojë qeverisë turke “ndihmën për të shpëtuar shumë jetë njerëzish në provincën Idlib”.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë konfirmuan se kanë ripozicionuar rreth 50 anëtarë të forcës speciale amerikane, të cilët kishin vepruar përgjatë kufirit Turqi-Siri, për shkak të rreziqeve të sigurisë.

“Fatkeqësisht, Turqia ka zgjedhur të veprojë në mënyrë të njëanshme,” tha zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Rath Hoffman në një deklaratë, të martën. “Si rezultat, ne kemi zhvendosur forcat amerikane në veriun e Sirisë larg nga rruga e inkursionit të mundshëm turk për të ruajtur sigurinë e tyre,” shtoi ai. “Deri tani nuk kemi bërë asnjë ndryshim në praninë tonë ushtarake në Siri.”/VOA/



Skip to toolbar