Mbrëmjen e së mërkurës u vra në derën e shtëpisë në Selenicë të Vlorës, 47 vjeçari Laver Tozaj i cili u qëllua me 7 plumba, 5 në kraharor dhe 2 në kokë.
Pista e vetme e hetimit është ajo e hakmarrjes që lidhet ngushtësisht me të shkuarën e tij kriminale si trafikant droge, pasi nga kontaktet me banorë të zonës, mësohet se nuk ka pasur asnjë konflikt në fshat.
Viktima Laver Tozaj kishte ndërruar të paktën 3 emra. Ai njihej si Laver Tozaj, më pas e ndërroi në Xhaferr Tozaj dhe së fundmi në Nikola Ikonomi.
Në vitin 2011 Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për trafik droge.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka akuzuar viktimën për trafikimin e 1146 kilogramëve kanabis në drejtim të Greqisë, ngjarje e ndodhur në vitit 2005. Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën janë të pandehur personat e dërguar në gjykim, ku në krye të listës ka qenë Tozaj, ka ndodhur më 17 mars 2005, në pikën e kalimit kufitar Kakavijë ku është sekuestruar sasia prej 1146 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Droga ishte ngarkuar në një kamion që kishte si destinacion, kalimin në territorin e shtetit grek.