Pas Metës reagon Basha. Asnjë reflektim: Rama ik!

AKTUALITET


E ndërsa presidenti Meta shkruan se Rama nuk largohet vetë por largohet përmes zgjedhjeve dhe i takon opozitës së bashkuar që të përballet me të, kryetari i PD-së, Basha vijon më refrenin “Rama ik”.

Në një postim në facebook Basha publikon një videomesazh përmes të cilit akuzon Ramën se vjedh paratë e shqiptarëve për të bërë rrugë.


“Në vend të ndërtimit të infrastukturës, të rrugëve, të porteve, të linjave të energjisë Edi Rama po vjedh paratë e shqiptarëve gjoja për të bërë rrugë.

Në vendin më të varfër të Europës një kilometër rrugë kushton dhjetë herë më shtrenjtë se në vendet më të pasura të botës, më shtrenjtë se në Amerikë, Gjermani apo Zvicër.

Sepse këto janë projekte për të vjedhur”, shkruan Basha duke e mbyllur postimin me thirrjen “Rama ik”.

Prej 6 muajsh ky është aksioni i opozitës i drejtuar nga Basha. “Rama ik” u dëgjua në 10 protestat e opozitës që synuan pengimin e zgjedhjeve më 30 qershor por nuk ia dolën dot. “Rama ik” u dëgjuan edhe në dy protesta të zbehta të pas 30 qershorit në mbrojtje të bashkisë së Devollit dhe asaj të Kavajës, por sërish nuk ndodhi gjë, bashkitë u morën nga socialistët. Edhe gjatë të mërkurës ku Xhelal Mziu u la vetëm nga PD, u dëgjuan 2-3 thirrje “Rama ik”, por sërish PS mori bashkinë ku si për ironi gjeti permbys foton e Metës. Siç duket aksioni i opozitës me thirrjen “Rama ik” nuk ia arriti qëllimit, por Basha vijon sërish ta thotë pavarësisht se Meta vetëm pak minuta më herët po gjatë të enjtes ia bëri të qartë se Rama largohet vetëm me zgjedhje. Këtë propozim të Metës e kanë mbështetur edhe aleatët e Bashës të cilët kanë kërkuar regjistrim nga KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit, ndërsa PD nuk e ka bërë një kërkesë të tillë. Më shumë se largimin e Ramës përmes zgjedhjeve, Basha së fundi ka hallin të pengojë lëvizjen “Basha ik”, që pritet të nisë në shtator, sikur ka njoftuar më herët realstory.al.




Skip to toolbar