UEFA hije dyshimi për trukim ndeshjesh mes Kukësit dhe Kastriotit

SPORT


UEFA ka dërguar në Federatën Shqiptare të Futbollit, raporton Panorama Sport, një raport ku ngre dyshime për trupimin e një ndeshje të kampionatit shqiptar, mes Kukësit dhe Kastriotit, luajtur në 30 maj të këtij viti. Bëhet fjalë për ndeshjen e cila përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të Kukësit, me ekipin verilindor që arriti të përmbyste rezultatin e pjesës së parë, që ishte 0-1 për Kastriotin. Dy ditë më pas, UEFA ka arritur që nëpërmjet sistemit BFDS (i njëjti që kapi luhatjet e basteve, që sollën më pas dënimin e Skënderbeut), të ngrejë dyshime se ndeshja mes Kukësit dhe Kastriotit të jetë e trukuar.

“Ekzistojnë prova të qarta dhe mbizotëruese të basteve se drejtimi dhe rezultati i kësaj ndeshjeje ishte përfundimisht i ndikuar me synimin për të fituar baste të korruptuara. Provat e basteve treguan se bastexhinjtë kishin njohuri paraprake për dështimin e Kastriotit për të fituar ndeshjen”, thuhet ndër të tjera në raportin e UEFA-s për ndeshjen e luajtur më 30 maj ora 16:00 në stadiumin e Kamzës, ku Kukësi ishte pritës.


Pas publikimit të këtij lajmi, ka ardhur dhe reagimi i presidentit të Kukësit, Safet Gjici, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe është shprehur se “skuadra ime nuk është përfshirë në trukim ndeshjesh”. Më pas, klubi ka reaguar me një komunikatë zyrtare ku mohon përfshirjen në trukim ndeshjesh.

“Deklarojmë me përgjegjësi se nuk ka asnjë element që të vërtetojë këtë akuzë. Ekypi ynë e ka patur jetike këtë ndeshje, për të siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe për të qenë i sigurtë në pjesmarrjen e kupave të Europës. daj, impenjimi ka qenë maksimal nga skuadra dhe stafi. Ne sigurojmë Uefa-n, institucionet e futbollit në Shqipëri, gjithë opinionin sportiv dhe tifozërinë se jemi të hapur ndaj çdo hetimi dhe se FK Kukësi kurrë nuk është përfshirë në ngjarje të tilla që shëmtojnë futbollin dhe imazhin e Klubit”, shkruhet ndër të tjera në deklratën e Kukësit.




Skip to toolbar