UEFA hije dyshimi për trukim ndeshjesh mes Kukësit dhe Kastriotit

UEFA ka dërguar në Federatën Shqiptare të Futbollit, raporton Panorama Sport, një raport ku ngre dyshime për trupimin e një ndeshje të kampionatit shqiptar, mes Kukësit dhe Kastriotit, luajtur në 30 maj të këtij viti. Bëhet fjalë për ndeshjen e cila përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të Kukësit, me ekipin verilindor që arriti të përmbyste rezultatin e pjesës së parë, që ishte 0-1 për Kastriotin. Dy ditë më pas, UEFA ka arritur që nëpërmjet sistemit BFDS (i njëjti që kapi luhatjet e basteve, që sollën më pas dënimin e Skënderbeut), të ngrejë dyshime se ndeshja mes Kukësit dhe Kastriotit të jetë e trukuar.

“Ekzistojnë prova të qarta dhe mbizotëruese të basteve se drejtimi dhe rezultati i kësaj ndeshjeje ishte përfundimisht i ndikuar me synimin për të fituar baste të korruptuara. Provat e basteve treguan se bastexhinjtë kishin njohuri paraprake për dështimin e Kastriotit për të fituar ndeshjen”, thuhet ndër të tjera në raportin e UEFA-s për ndeshjen e luajtur më 30 maj ora 16:00 në stadiumin e Kamzës, ku Kukësi ishte pritës.

Pas publikimit të këtij lajmi, ka ardhur dhe reagimi i presidentit të Kukësit, Safet Gjici, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe është shprehur se “skuadra ime nuk është përfshirë në trukim ndeshjesh”. Më pas, klubi ka reaguar me një komunikatë zyrtare ku mohon përfshirjen në trukim ndeshjesh.

“Deklarojmë me përgjegjësi se nuk ka asnjë element që të vërtetojë këtë akuzë. Ekypi ynë e ka patur jetike këtë ndeshje, për të siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe për të qenë i sigurtë në pjesmarrjen e kupave të Europës. daj, impenjimi ka qenë maksimal nga skuadra dhe stafi. Ne sigurojmë Uefa-n, institucionet e futbollit në Shqipëri, gjithë opinionin sportiv dhe tifozërinë se jemi të hapur ndaj çdo hetimi dhe se FK Kukësi kurrë nuk është përfshirë në ngjarje të tilla që shëmtojnë futbollin dhe imazhin e Klubit”, shkruhet ndër të tjera në deklratën e Kukësit.

Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.

Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.

Tirana në agoni, Kastrioti shpreson ende!

Tirana nuk ka shkuar më shumë se barazimi 0-0 me Kastriotin, në takimin që u quajt ndryshe dhe si “derbi mbijetesës”. Ky barazim nuk vlen asgjë më shumë se u zgjat mundimin të dyja ekipet, që tashmë do të luajnë dy finale, të cilat do të vendosin fatet e sezonit.

Me një stadium në heshtje, pasi klubi bardheblu nuk pranoi të shlyente dënimin duke e paguar në formë gjobe, ndeshja ka qenë e karakterit fizik, ku gjyqtarit maqedonas i është dashur të ndalojë shumë herë lojën.

Në pjesën e parë Tirana u mundua të shkonte te porta kundërshtare, por ishin krutanët ata që shfaqën më shumë rrezik në portën e Ilion Likës. Ky i fundit ka bërë heroin disa herë për Tiranën si gjatë fraksionit të parë dhe atij të dytë ndeshjes.

Pas pushimit ekipi i Bledar Devollit ka pasur rastet më të mira për shënim, por me Turtullin në qendër të mbrojtjes dhe Likën të vëmendshëm, krutanët nuk i dolën të ndëshkonin kryeqytetasit. Pas barazimit të sotëm Tirana shkon në kuotën e 41 pikëve, dy më shumë se Kastrioti.

Derbi i mbijetesës për Tiranën luhet pa tifozë, Fanatics: A ka më turp?!

Tirana do të përballet me Kastriotin në ndeshjen e radhës ditën e shtunë, e cila do të jetë një ndeshje derbi për të dyja skuadrat, që i ndajnë mes tyre dy pikë nga lufta për mbijetesë.

Kjo sfidë është tepër delikate për të dyja ekipet, për vetë pozitat në renditje. Megjithatë, përfshi ngarkesën e tepërt psikologjike dhe presionit, të dyja skuadrat, por më shumë Tirana, do të kenë një minus të madh në këtë ndeshje.

Stadiumi “Selman Stërmasi” është i dënuar dhe ndeshja do të luhet me dyer të mbyllura. Tirana kishte mundësi që dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës ta paguante si detyrim financiar, dhe për rrjedhojë në stadium të ketë prani tifozësh, që do të ishin lojtari i 12-të për këtë ndeshje.

Ky vendim i klubit nuk është pritur mirë nga tifozët ultras të Tiranës. “Fanatics” ka reaguar me një status në Facebook, duke e cilësuar si “turp” vendimin e klubit për ta zhvilluar ndeshjen me “silenciator”.

“Ai që e rrëzoi dhe po e rrëzon prap Tironën, vendos që stadiumi nesër ndaj Kastriotit te jetë bosh! Ata që e rrëzuan Tironën dhe po e rrëzojnë prap, qënkan “më rehat” dhe “pa presion”, pa praninë e tifozëve! A KA MË TURP SE KTA!? KTA NUK JAN TIRONA! IKNI NGA TIRONA!”, shkruajnë ultrasit bardheblu.

Kastrioti shpreson ende, zhytet Flamurtari!

Me humbjen e Tiranës në derbi, dhe fitoren ndaj Flamurtarit në “Redi Maloku”, Kastrioti ka rritur shanset për të mbijetuar në Superligë, pasi tani është vetëm dy pikë larg kryeqytetasve, me të cilët kanë përballje direkte javën e ardhshme.

Sfida në Fushë Krujë është mbyllur me tezultatin 2-0, për Kastriotin, që ka shënuar nga një gol për çdo pjesë. Në të parën shënoi Shehu në minutën e 30′, ndërsa Roger vulosi shifrat në në 2-0 në minutën e 55′.

Pas disfatës së sotme, Flamurtari ka zbritur në vendin e pestë të renditjes me 48 pikë, ndërsa Kastrioti ka 38 pikë, dy më pak se Tirana, me të cilën do të përballet javën e ardhshme në kampionat.

Barazim pa vlerë mes Laçit dhe Kastriotit (video)

Laçi dhe Kastrioti janë ndalur në barazim 1-1, por pika e së shtunës nuk ka vlerë për asnjë prej ekipeve, pasi kurbinasit janë larg zonës së Europës, ndërsa krutanët zhyten në renditje në luftën për mbijetesë.

Një gol i Taulant Markut pak minuta para përfundimit të ndeshjes, ka krijuar iluzionin se ekipi i Bledar Devollit do të dilte me tre pikë nga fusha e Laçit, por këto të fundit kanë realizuar me Regi Lushken në kohën shtesë të takimit.

Loja ka qenë e barabartë, me të dyja ekipet që kane qarkulluar topin në mesin e fushës, ndërsa rastet më të mira i kishte skuadra mike në pjesën e parë.

Megjithatë dy golat e shënuar në fund të takimit u dhanë ekipeve nga 1 pikë, me Laçin që mbetet me 46 pikë, 2 më pak se Flamurtari i vendit të tretë, ndërsa Kastrioti ka 35 pikë, 5 më pak se Tirana dhe Luftëtari.

Kastrioti ndal Partizanin, të kuqtë gabojnë në mbrojtje!

Kur të gjithë presin që Partizani të shpallet matematikisht kampion, ekipi i Skënder Gegës gabon në ndeshje, që nuk duhet t’i diskutojë fitoret. Kështu ka ndodhur dhe sot, pasi skuadra e kuqe ka barazuar 1-1 në fushën e Kastriotit, me këtë të fundit që po tregon se nuk do të dorëzohet në luftën për të mbijetuar.

Mensah kaloi i pari të kuqtë në avantazh, ndërsa më pas erdhi dhe reagimi i vendasve, të cilët realizuan me Shehun, duke e mbrojtur rezultatin 1-1 deri në fund të ndeshjes.

Goli i sulmuesit të Partizanit erdhi pas një topi të hedhur në zonë nga Asani në minutën e 55′. Topi i ka dalë sulmuesit me ngjyrë të të kuqve që ka lëshuar një silurë duke e pushuar në rrjetë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i vendasve që kanë shënuar me anë të Shehut 3 minuta më vonë. Goditje këndi, Belica nuk e heq si duhet. Sfera mbetet te Julian Shehu që e shtyn drejt rrjetës për 1-1.

Goli i ka dhënë më shumë entuziazëm vendasve që kanë nisur sulmin drejt portës së Hoxhës dhe kanë detyruar mbrojtësin Lum Rexhepi të dalë me karton të kuq. Shtatlarti mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 59′.

Me këtë rezultat, Partizani mbetet në vendin e parë me 61 pikë, ndërsa Kastroti në kuotën e 31 pikëve.

Kastrioti fiton përballjen e mbijetesës (video)

Kastrioti ka fituar “finalen” e mbijetesës me Luftëtarin, duke i mposhtur gjirokastritët 1-0 në ndeshjen e luajtur në “Redi Maloku”.

Herald Marku kaloi të tijët në avantazh, pasi shndërroi në gol një penallti të fituar nga Roger. Ky i fundit pengohet brenda zonës nga portieri Ruçi, ndërsa arbitri Jorgji akordoi direkt penallti.

Marku nga pika e bardhë nuk gabon dhe realizon golin e avantazhit dhe të vetmin e këtij takimi, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore shumë të rëndësishme.

Me fitoren e sotme, Kastrioti barazon Tiranën me 30 pikë në renditje, mirëpo bardheblutë nuk luajtën këtë mesjavë pasi e kanë të fituar në tavolinë ndeshjen me Kamzën, pasi kjo e fundit është përjashtuar nga kampionati.

Ndërkohë, Luftëtari mbetet në vend të shtatë të renditjes me 34 pikë, katër më shumë se dy ekipet e tjera që luftojnë për mbijetesë, paçka se ende nuk janë llogaritur dhe pikët që fitojnë në tavolinë me Kamzën të treja ekipet.

Muzaka: Trajneri ka pasur të drejtë për ankesat, fitojmë me Kastriotin (video)

Skënderbeu do të përballet nesër me Kastriotin në ndeshjen e radhës të kampionatit. Një sfidë delikate kjo për të dyja skuadrat, pasi korçarët vijnë pas disa humbjesh në kampionat, ndërsa krutanët janë tashmë më me shpresë se kurrë për të luftuar deri në fund për mbijetesën. Para medieve ditën e sotme ka folur Gjergji Muazaka, i cili ka komentuar atë që po ndodh me ekipin korçar.

Përballja me Kastriotin?- “Për situatën që ne ndodhemi, për mungesë të rezultateve, është një ndeshje e rëndësisë shumë të madhe, që mbase kërkon një vlerësim edhe më të madh se ndaj ekipeve rivale direkte, me të cilët mobilizimi vjen vetiu. Me Kastriotin duhet gjetur mobilizim shtesë, edhe më i madh, për shumë arsye.

Pikët e humbura? – “Natyrisht që kemi keqardhje, sepse kemi lënë shumë pikë, por jemi në një moment ku nuk mund të qajmë të shkuarën, sepse fundi është afër dhe kemi objektiva për të arritur.

Krutantët në formë? – “Jemi gati, sepse kemi treguar se kemi qenë ekip agresiv dhe me cilësi, përtej rezultateve. Kastrioti është ekip agresiv dhe do kërkojë pikë në fushë tonë, por edhe ne do t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë në fushë.

Ankesat e Shehit ndaj veteranëve?  – “Trajneri në këtë pikë ka pasur të drejtë, sepse përgjegjësia e lojtarëve më të vjetër është që jo vetëm të luajnë mirë në fushë, por edhe të tërheqin shokët e skuadrës. Në këtë këndvështrim, besoj se trajneri ka pasur të drejtë.

Objektivat ?- “Pavarësisht se rezultatet e dobëta na kanë ulur moralin, duhet të gjejmë forcë dhe të ecim përpara, pa vajtuar pikët e lëna. Jemi ende në lojë për kupën, kemi objektiva edhe në kampionat, ndaj do të duhet një shtysë shumë e madhe për këtë fundsezoni”.

Skënderbeu rikthehet me “poker”, zhytet Kastrioti

Skënderbeu ka fituar bindshëm ndaj Kastriotit pasditen e sotme, duke treguar se nuk është dorëzuar në kampionat, pavarësisht rivalit që kishte kundër këtë të diel.

4-0 ka përfunduar sfida e luajtur në Korçë mes dy ekipeve që vinin nga ecuri të ndryshme në javët e fundit.

Seria e golave është hapur në minutën e 14′ kur Gjergji Muzaka kalon ekipin në avantazh. Miqtë nuk dorëzohen, por pa mundur të krojojnë rrezikun e duhur në portën kundërshtare.

Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, ndërsa në të dytën korçarë realizojnë dhe tre gola të tjerë në harkun kohor të 9 minutave.

Fillimisht është Oto John që shënon në të 76′, ndërsa dy minuta më vonë Blerim Krasniqi realizon golin e tretë për korçarët, teksa në të 85′ realizon dopietën personale dhe vulos shifrat në 4-0 për Skënderbeun.

Skip to toolbar